E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i Ilievskit: Bastet dhe mafia shqiptare në Itali

TIRANE-Hristian Ilievski është i gjatë 1 metër e 90 centimetra, ka një fytyrë të egër që nga lufta dhe një tatuazh në pulpë me fytyrën e Al Paçinos, në versionin Scarface. Ai është njeriu që ka tronditur futbollin italian me rrëfimin e tij për bastet në Itali dhe për lidhjen e tyre me botën e futbollit. "Ishin rreth 30 futbollistë që merreshin me trukime, 90 për qind nga Seria B, ndërsa 10 % në Serinë A", ka thënë Ilievski, në një rrëfim special për të përditshmen "La Repubblica", pas akuzave të ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Kremonës. Ilievski tashmë jeton në Shkup dhe nga aventura në Itali kujton sidomos tre gjëra: e para, është një restorant në ujë, në Kullën e Detit, pak metra larg hotelit ku grumbullohet skuadra e Barit. E dyta është Andrea Masielo, futbollist i Barit, që i shërbeu duke bërë disa manipulime ndeshjesh dhe e treta, Françesko Prudentino, numri 1 i organizatës kriminale Sacra Corona Unita, që ai e quan "My big friend". Ilievski kërkohet nga të gjitha policitë e Evropës, pasi quhet bosi i mafies së basteve. Dje, ai ka treguar edhe për një hotel në Milano, të cilin e quan "Hoteli i basteve" dhe që ndodhet në rrugën Como, në Milano. Aty, sipas tij, mblidhen të gjithë bastexhinjtë, dhe luajnë shuma mbi 30 mijë euro për ndeshjet. Maqedonasi përfshin edhe shqiptarët, madje i akuzon ata se ishin të parët që e çuan këtë "biznes" në Itali. "Rreth Serisë A e B qëndrojnë grupe bastexhinjsh që marrin informacione nga futbollistët, që rregullojnë ndeshje për arsye bastesh. Mafia italiane ose shqiptare, nuk jemi ne maqedonasit apo grupi i ciganëve siç e quani ju", thotë Ilievski.
Ilievski, kur keni qenë për herë të parë në Pulja?
Për punë, vitin e shkuar. Shkova pasi Gervasoni dhe Karobio më thanë se ishin disa futbollistë të Barit që rregullonin ndeshjet apo që ishin gati ta bënin këtë.
Përse erdhën te ju?
Sepse e dinë cili është zanati im: unë jam bastexhi. Dhe jam gati të blej informacione, kur ato janë të mira. Në Bari ndërkohë dihej se "skuadra ishte e mirë", pra të afrueshëm.
Çfarë do të thotë "të afrueshëm"?
Skuadra në atë kohë kishte rënë nga kategoria, kështu që nuk kishte më motive sportive që të arrinte disa rezultate. Pastaj, klubi nuk paguante rrogat prej muajsh, e dija që skuadra ishte e shpërbërë dhe më kishin thënë se disa futbollistë ishin gati të rregullonin ndeshjet. Ai ishte biznesi im, kështu që lëviza vendit. Çfarë bëtë?
Kontakti im i parë ishte Anxhelo Iakoveli. Lexova se e kanë arrestuar, po ç'lidhje ka këtu ai i shkreti? Nuk është person i zoti për të marrë asnjë lloj vendimi. Mua më dukej një kukull, një njeri që bën pikërisht atë çfarë i thonë.
Dhe kush e drejtonte këtë kukull?
Unë, i vetmi me të cilin kam pasur të bëj, ka qenë Andresa Masielo (futbollist i Barit), i cili më dukej një njeri që i kishte idetë të qarta se çfarë kërkonte dhe se çfarë duhet të bënte.
Të ecim sipas rashës: kur shkuat për herë të parë në Bari?
Para ndeshjes me Sampdorian, nëse s'gaboj. Më kishin thënë se ndeshja mund të rregullohej, se dy klubet ishin miq. Por, unë nuk mund t'u besoj zërave. Unë kam rregulla shumë të sakta. Duhet të shikoj çfarë thonë për të kuptuar përse e thonë. Unë jam si një psikolog.
Të kujt janë paratë me të cilët blen futbollistët?
Unë nuk blej futbollistë, unë blej informacione nga futbollistët. Ndeshjet në një masë të madhe janë vendosur përpara se të shkonim ne. Në Bari është mafia lokale që e bën këtë punë prej vitesh, pastaj janë edhe shqiptarët. Shqiptarët janë të parët që e çuan në Itali "biznesin" e basteve. Kur informacionet nuk na vinin ne, i shkonin mafias siçiliane, shqiptare, hungareze apo edhe Bepe Sinjorit, që është një prej kapove të basteve të futbollit. Shpesh janë drejtuesit e klubeve që arrijnë marrëveshje me njëri-tjetrin. Në fund të vitit të shkuar, kur shkova personalisht në Itali, pashë që gjithçka ishte vendosur, kush fitonte titullin, kush shkonte në Evropë, kush binte në Serinë B. Kështu që ishte një festival. Ka skuadra që ne i quanim të besueshme, si Sampdoria, Kaljari, Bari, Leçe, Siena apo Kievo. Sidoqoftë, paratë vijnë nga bastexhinj si puna ime, që kërkojnë ndeshje të sigurta. Mashtrimet, si në rastin e Barit që tregova, janë gjithnjë afër.
Përse?
Herën e parë shkova për Sampdorian, për të kuptuar se çfarë mund të bëhej. Iakoveli më çoi në një hotel, ku bënte grumbullimin Bari (hotel Majestic). Të gjithë ama më panë shtrembër, e kuptova se nuk kishte shumë gjasa të bëhej diçka. Dëgjova se Bari duhet të humbiste, por ne nuk luajmë me rezultatet e ndeshjeve, sepse nuk u besojmë. Preferojmë lart me gola, por e përsëris që nuk ekzistonte një klimë e mirë, kështu që mbi atë ndeshje nuk vumë bast asgjë. Shkova të haja diçka në një restorant shumë të mirë në Kullën e Detit. Shumë i mirë. Miku im Françesko Prudentino më thoshte gjithnjë se në ato anë hahet mirë. Kishte të drejtë.
Ajo me Sampdorian nuk ishte ndeshja e vetme që provuat të rregullonit apo jo?
Jo. Masielo këmbënguli. Më mori në telefon, folëm, më tha "hajde se kemi një ndeshje, sill paratë, sill paratë". Unë shkova në Bari me 300 mijë euro. Si zakonisht, kërkova të takoj futbollistët. Më çuan sërish në atë hotel ku jetonin disa lojtarë. Përshembull Bentivoljo. Ai duhet të luante në atë ndeshje, por e kuptova se nuk ishte dakord. Ishte i terrorizuar. E kishte fytyrën të bardhë, Masielo e futi brenda me forcë atë dhe Parizin. Belbëzonin ndërsa unë flisja. I vetmi që ishte i bindur, ishte Masielo. Nuk flisnin anglisht. Unë kisha përgatitur një pusullë në italisht me rregullat e lojës: dorëzimi i parave bëhej nëse humbisnin me më shumë se 2 gola diferencë dhe rikthimin e parave nëse kjo nuk ndodhte. Masielo vazhdonte të thoshte "ok, ok", ndërsa të tjerët ishin të terrorizuar. Kërkova të takoja edhe Marko Rosin, që nuk ishte. Shkuam në shtëpinë e tij në një rrugë të errët në krahun tjetër të qytetit. Zbriti, por edhe ai ishte si kufomë. I dhamë para, por sipas meje nuk kuptoi asnjë fjalë nga ato që i thamë.
Po më pas?
Më pas shkova në Palermo dhe e kuptova menjëherë se sensacioni ishte i drejtë. Ndeshjen po e rregullonte vetëm Masielo dhe sipas meje jo vetëm me ne. E përsëris, në Bari kishte grupe të tjerë bastexhinjsh. Ishte mafia. Çfarë ciganësh thoni? Unë e njoh edhe Belavistën, ai sipas meje di shumë gjëra, telefononte, thoshte se i kishte gati ndeshjet, por nuk kishte paratë. Takonte bastexinjtë me çeqe.
Të kthehemi te ndeshje me Palermon...
Unë isha në fushë. Bentivoljo shënoi, Parizi ishte më i miri në fushë. Vetëm Masielo nuk luajti në atë ndeshje. Mora në telefon Singaporin kur Bari shënoi golin e 1-0 dhe mbulova bastin për të mos humbur paratë. U thashë luani fitoren e Palermos të pastër dhe lart me gola. Më pas, ishte penalltia. Padeli, portieri, nuk kishte lidhje fare. Është një rastësi që Mikoli e gjuajti ashtu. Meqë ra fjala...
Vazhdoni...?
Kur shkova në Bari, kisha kërkuar informacione mbi portierin Zhilet. Më kishin thënë se ishte i vetmi që nuk mund t'i afroheshe. E quanin "presidenti", më patën thënë të mos provoja të flisja me "presidentin". Pas ndeshjes Palermo-Bari, i kërkova paratë mbrapsht Masielos. Ai m'i riktheu. Më foli për ndeshjen me Bolonjën si kompensim. Por, ajo ishte një "m..." dhe unë nuk u besoj më atyre. Gjithçka më pas e bënë vetë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›