Drejt një refuzimi të ripërsëritur?
Po të dëgjosh përditë e përditë retorikat e politikanëve tanë, nuk e ke aspak të vështirë, nuk të pengon asnjë zhurmë tjetër që të dëgjosh se objektivi i tyre është marrja nga Shqipëria e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Por, po të vështrosh përditë e përditë ato çka bëjnë eksponentët e të gjitha krahëve të politikës sonë, gjithashtu nuk e ke aspak të vështirë, nuk të pengon asnjë pamje tjetër që të kuptosh, se ritmet për të arritur këtë objektiv janë tepër të ngadalta, ndonëse edhe të ndryshme brenda të njëjtit konfigurim të kontrastuar. Ama, fundja, kujt i hyn në punë ky ndryshim, kur ndodh si dikur, që megjithëse disa e kishin orën të saktë, kambanat e sahatit të qytetit e lajmëronin kohën gabim dhe shumica në planifikimin e punëve të veta u referohej atyre kambanave, edhe sikur të dinin që akrepat majë kullës së lartë nuk lëviznin me shpejtësinë e duhur?!
Për të qenë më konkretë në shpjegimin e kësaj gjendjeje, mjafton të ballafaqohen arritjet e pakta apo progresi i ngadaltë i reformave tona, me kërkesat e shtruara nga Bashkimi Europian. Siç është bërë e qartë prej kohësh, rruga jonë drejt Brukselit përbëhet së paku prej tri fazash. Dhe, megjithëse kërkesat e afatet kohore për të tretin vit radhazi nuk kanë ndryshuar, Shqipëria ende ndodhet duke përshkuar kilometrat e para, pa pritur dhe besuar hë për hë në ndonjë vlerësim pozitiv të Progres-Raportit që publikohet zakonisht në tetor. Më pak akoma, për mundësinë e çeljes së negociatave midis nesh dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, mbi bazën e rekomandimit të KE–së.
Faktikisht, nga 12 prioritetet kyçe të përcaktuara saktësisht qysh më 2010–ën, vështirë të pohohet që mund të jetë përmbushur qoftë edhe plotësisht njëri prej tyre. Sepse, zgjedhja e Avokatit të Popullit, që është propaganduar nga disa diplomatë të huaj me tone shpresëdhënëse, nuk përbën veçse gjysmën e njërit prej prioriteteve; gjysma tjetër është zgjedhja me përparësi dhe kritere të drejta e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe e atyre të Gjykatës Kushtetuese. Miratimi i legjislacionit të domosdoshëm të akteve që kërkojnë shumicë të cilësuar të votave në Parlament, pavarësisht unisonit të votave për amendimet në disa kode dhe veçanërisht të Kodit Penal, ende nuk është përfunduar, nëse kujtojmë për shembull Ligjin për Gjykatën Administrative. Për një prioritet tjetër, lufta kundër korrupsionit, megjithëse kryeministrit tonë i pëlqen të vërë në dukje disa nisma për lehtësimin e procedurave të çeljes së bizneseve dhe deklarimit apo mbledhjes online të taksave, dëshpërimi dhe mosbesimi i qytetarëve në këtë drejtim sa vjen e thellohet. Për zgjidhjen e çështjes së pronave, gjithashtu shpresat mbeten të vakëta dhe, me gjithë hartimin prej qeverisë të një skeme që pretendohet të fillojë nga zbatimi vetëm pas një viti tjetër, skepticizmi është real, përderisa aktualisht mungon një hartë unike e pronësisë, mungon një bazë elektronike unike të dhënash për vendimet, që në vetvete nuk janë të përditësuara kryesisht në drejtim të ndryshimeve që kanë pësuar në rrugën gjyqësore etj, etj. Dhe kështu me radhë...
Në pamundësi për të arritur përmbushjen e të gjitha prioriteteve gjatë kohës së shkurtër që mbetet deri në vjeshtë, diplomatë të akredituar në Tiranë, që përfaqësojnë këtu vende influente në Bashkimin Europian, nuk kanë mbetur pa shprehur edhe mendimin, se është e domosdoshme dhe e mundshme që tani politika shqiptare të përqendrohet më së tepërmi te prioritetet politike. Por, as kësaj këshille sikur nuk po i vihet veshi sa duhet. Ndërkohë që lufta në këtë front po ashpërsohet çdo ditë e më tepër, aq sa shkon më 7 Mars kryeministri në Korçë për të vizituar Mësonjëtoren e parë të gjuhës shqipe dhe që aty nis e lëshon dhjetëra “bashkëtingëllore” kundër kreut të opozitës; përshëndet më 8 Mars gratë e këtij vendi gjatë një ceremonie vezulluese dhe që aty nuk mund të rrijë pa shfryrë inatin dhe zemërimin ndaj rivalit kryesor politik të tij; vështron projektet urbanistike për zgjerimin e Tiranës dhe gjen vend përpara atyre eksponateve që të lëshojë shpotitë për ish-kryetarin e Bashkisë së Kryeqytetit. Ndërsa ky i fundit, nuk lë të bjerë ndonjë llaf i kryeministrit, pa i hedhur atij disa thumba tejshpues në takime, konferenca shtypi dhe në Twitter.
Sidoqoftë, pavarësisht se përmbushja e ndonjë kushti mund të jetë vështirësisht i dallueshëm apo i matshëm, së paku dy prioritete të tjera vlerësohet se nuk e kanë këtë optikë. Fillimisht është fjala për Reformën Zgjedhore, e cila qysh në nëntorin e kaluar më së fundi ngriti siparin e përpjekjeve të përbashkëta integruese dhe krijoi imazhin e futjes së politikës shqiptare në normalitet. Por, megjithëse në zhvillimin e kësaj reforme, formulimet për implementimin e tyre në Kodin zgjedhor janë pothuajse të gatshme nga rekomandimet e herëpashershme të OSBE/ODIHR-it, përsëri Komisioni bipartizan përkatës i bie anës e pas anës çështjeve thelbësore të kësaj reforme, aq sa u shtrua nevoja e zgjatjes së afatit të vendosur më parë. Ndonëse gjatë seancave të veprimtarisë së këtij komisioni qëndrojnë prezentë përfaqësues ekspertë të Organizatës Ndërkombëtare për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, zvarritjet për përcaktimin e sistemit të numërimit të votave, për mënyrën dhe karakterin e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisioneve vendore etj., pa asnjë dyshim janë evidente.
Të njëjtin fat, madje edhe më të keq akoma, duket se po pëson Reforma Parlamentare, veçanërisht ndryshimi i Rregullores së Kuvendit, për sensin e të cilave mazhoranca ngre zërin në tonalitetet e liderit të tyre, me një “argument” sa pa autenticitet, aq edhe të papërshtatshëm. “Do ta njësojmë Rregulloren tonë me atë të Bashkimit Europian”, –thotë Berisha dhe, pas tij, e tundin këtë kartë edhe deputetët e grupit parlamentar të mazhorancës, të emëruar si anëtarë të Komisionit për hartimin e projektit të kësaj reforme. Por, një pretendimi të tillë i ka rënë vlera prej disa javësh edhe publikisht, kur vetë eksponentë të Parlamentit Europian e kanë hedhur poshtë këtë ide dhe kanë shpjeguar se ai organizëm mbikombëtar është krijuar dhe funksionon nëpërmjet deputetëve të zgjedhur nga vendet e veçanta, anëtare të Unionit. Pra, bëhet e qartë, se as Berisha dhe as pasuesit e tij nuk e kanë hallin të konformohen me praktikat europiane, por për të mos u sanksionuar sidomos votimi i hapur për zgjedhje dhe emërime me karakter nominal etj., çka ndoshta do të zbehte ligjërisht tagrat që i janë veshur vetëm një fragmenti parlamentar, të mos vazhdonte më përjashtimi i opozitës nga bashkëpunimi për ushtrimin e pushtetit dhe, tek e fundit, të vinte në rrezik vetë ekzistencën e një mazhorance si kjo aktualja.
Këto dhe të tjera arsye apo dukuri të vëna re fare qartë gjatë muajve të fundit theksojnë përgjegjësitë e palës qeverisëse për zvarritjet e përmbushjeve të prioriteteve. Kjo është kuptuar veçanërisht pasi opozita votoi unanimisht me deputetët e koalicionit qeverisës ndryshimet në Kodin Penal, shumica e të cilave ishte formuluar mbi propozimet e vetë asaj. Që atëherë, kryeministrit nuk i ka mbetur veçse të përmendë tani, përsëri bllokimin që i bëri opozita jetës parlamentare pas zgjedhjeve të vitit 2009-të, të cilësuara botërisht jo të ndershme, aspak transparente.
Mirëpo, sa do të vazhdohet kështu, me zvarritje dhe pengesa të vëna posaçërisht nga faktori qeverisës? Mos vallë ky faktor po tenton vetëdijshëm të ecet drejt refuzimit të përsëritur, jo, të ripërsëritur nga Brukseli të statusit zyrtar të Shqipërisë si vend kandidat për në Bashkimin Europian? Përgjigjet e këtyre pyetjeve lidhen sigurisht me kapacitetet tona administrative, vënia plotësisht në funksionim e të cilave duhet t’u përgjigjet përkushtimeve të Bashkimit Europian, që si organizatë mbikombëtare i siguron ato me përmbajtje të fortë institucionale. Njëherazi, këto përgjigje nuk mund të përjashtojnë edhe shprehjen e tepruar të diskurseve individuale, të cilat në shoqëritë demokratike nuk mund të arrijnë të pengojnë shtetin, që krijon të drejtën, për t’iu nënshtrohet kësaj. Në të kundërt, është vetë shteti, që në zhvillimet e brendshme të tij nuk lejon për shumë kohë asnjë institucion dhe asnjë individ, qoftë ky edhe lider i ndonjë force politike, që të ketë epërsi ose të konkurrojnë me ‘të.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)