Skënderbeu dhe Elez Isufi bëhen murale në Bulqizë

Të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt Dibrës nëpërmjet rrugës së Arbrit mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës do të shohin këto dy murale.
Portreti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe ai i dëshmorit Elez Isufi janë vendosur në muret anësore të urës që lidh dy lagjet e Bulqizës.
Këto dy portrete janë vepër e autorit Bledar Çakalli.
Ai thotë se nëpërmjet këtyre pikturave, që ka bërë jo vetëm këtu, por në shumë vende të tjera, synon të jetësojë historinë e kombit shqiptar me ata që kanë dhënë jetën për vendin.
Çakalli shton se i detyrohet vendlindjes për të pikturuar këto murale.
“Në fillim ka qenë pasion. Nga detyrë m’u kthye në një sfidë, që këto piktura dhe historia e kombit shqiptar të ringjallen nëpërmjet artit,” shprehet piktori Çakalli.
Muralet me portretin e Skënderbeut dhe Elez Isufit të pikturuara nga Bledar Çakalli mund të shihen nga qindra persona, që udhëtojnë në drejtim të Dibrës dhe në Bulqizë.
Gazetar: Marjo Merhori
/rtsh.al/