Pasioni për fizarmonikën e jazz-in, dy të rinjtë nga Kosova, prej tre vitesh pjesë e festivalit në Shkodër

Renato dhe Donati vijnë nga qyteti i Prizrenit. Pasioni i tyre i madh për muzikën e në mënyrë të veçantë instrumentin e fizarmonikës, i ka sjellë ata prej dy javësh në Shkodër duke u bërë pjesë e edicionit të XIV të “Shkodra Jazz Festival”.
“Këtë mundësi në Kosovë unë nuk e kam parë që realizohet dhe për këtë kam ardhur në Shkodër”, thotë instrumentisti Renato Sakica.
Shkodra po i pëlqen si qytet, por edhe po i rrit ata në aspektin profesional.
“Është një ditë e shkëlqyeshme, ne ushtrohemi, por vizitojmë edhe vendin. Po ndihemi shumë mirë, është qytet shumë i bukur”, shprehet instrumentisti Donat Sakica.
“Vizitoj qytetin, shikoj vende të ndryshme, është një qytet i shkëlqyer”, thotë Renato.
Çdo vit “Shkodra Jazz Festival” bën bashkë të rinj nga shtete të ndryshme të Ballkanit por profesori i fizarmonikës, maestro Bardh Jakova thotë se asnjëherë muzika nuk ngatërrohet me politikën.
“Ne bëjmë muzikë bashkë, sjellim muzikën tradicionale kosovare, muzikën serbe. Rinia nuk i ka këto probleme”, thekson maestro.
Përgjatë ditëve të festivalit, të rinjtë pjesëmarrës marrin leksione intensive sa i përket muzikës jazz dhe asaj klasike nën drejtimin e profesionistëve të fushës.
Gazetar: Mario Merhori
/rtsh/