E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndërron jetë në moshën 80- vjeçare legjenda e muzikës italiane, Toto Cutugno

Legjenda e muzikës italiane, këngëtari dhe kompozitori i famshëm, Toto Cutugno, ka ndërruar jetë. Këngëtari, autor i disa prej këngëve më të njohura në historinë e muzikës italiane, u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare.

Siç raporton Ansa, këngëtari është shuar të martën në orën 16:00. Cutugno ishte shtruar në spitalin San Raffaele në Milano. Ka qenë menaxheri i tij artistik, Danilo Mancuso, i cili ka dhënë lajmin për agjencinë, duke shpjeguar se Cutugno vdiq “pas një sëmundje të gjatë, dhe se shëndeti i këngëtarit ishte përkeqësuar muajt e fundit”.

Toto Cutugno, është pseudonimi artistik i emrit Salvatore Cutugno. Ai ishte  këngëtar, kompozitor, tekstshkrues dhe prezantues televiziv italian. Me mbi 100 milionë kopje disqesh të shitura, vlerësohet të jetë një ndër artistët muzikorë italianë më të suksesshëm. 

Ai arriti majat e top-listave, si interpretues i këngëve të tij, ashtu edhe si producent dhe autor këngësh për të tjerët, veçanërisht për Adriano Celentanon, në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë.

Ai mori pjesë si solist, duet ose së bashku me një grup, në 15 edicione të Festivalit të Sanremos, duke e fituar një herë në vitin 1980 me Solo noi, gjashtë herë doli në vend të dytë, një herë në atë të tretin dhe dy herë në të katërtin. Ai fitoi tre vende të para edhe me disa këngë të shkruara prej tij për artistë të tjerë. 

Në vitin 1990 ai fitoi Eurovision Song Contest me këngën Insieme: 1992 , i dyti nga tre artistët italianë që e bëri këtë, pas Gigliola Cinquetti në 1964 dhe para Måneskin në 2021.

Ai është një nga 5 artistët që mban rekordin e pjesëmarrjes në Festivalin e Sanremos (4 të tjerët janë Al Bano, Peppino di Capri, Milva dhe Anna Oxa).

Kryeministri Rama: Cutugno, një italian i vërtetë

Për largimin nga jeta të këngëtarit italian me famë botërore, Toto Cutugno, ka reaguar edhe kryeministri, Edi Rama, i cili, në postimin e tij në Facebook, përmend një detaj të panjohur, që lidhet me një takim të lenë mes tyre këtë verë në Vlorë, por për shkak të sëmundjes së Cutugno-s nuk është realizuar.

“Ti ishe një italian i madh, i vërtetë. Ne duhej të takoheshim këtë verë në Vlorë, por Zoti vendosi të të lërë të pushosh në paqe, ndërsa tek ne këngët e tua mbeten të regjistruara përgjithmonë në zemrat e shumë shqiptarëve. Faleminderit për gjithçka Toto Cutugno, ishte një privilegj të jetoja në të njëjtën kohë me një legjendë si ju”- shkruan Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›