E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skifterët dhe pëllumbat e zgjedhjes së Presidentit

NDRIÇIM KULLA

Në një artikull të Foreign Policy, ekonomisti-psikolog Daniel Kahneman (çmimi Nobel në vitin 2002) dhe politologu Jonathan Renshon pyesin se si është e mundur vallë që në historinë politike e njerëzore, skifterët arrijnë gati gjithmonë të mbizotërojnë mbi pëllumbat? Arrijnë të kenë sukses, përgjigjen studiuesit, sepse zotërojnë paragjykime më të forta, opinione të paluajtshme e, mbi të gjitha, iluzione më thjeshtësuese. Ushqehen me parakoncepte të pavërtetuara e më bindëse nga këndvështrimi demagogjik. Për shembull, nga parakoncepti i kundërshtarit të gjykuar si thellësisht armiqësor. Së dyti, nga një parakoncept që lind nga optimizmi i pakufi, të cilin Kahneman dhe Gershon e quajnë iluzioni i kontrollit. Skifterët janë të bindur të jenë më të mirët, më të zotët, më brilantët dhe më tërheqësit në media. Ndonjëherë janë, por shpesh kjo parësi e tyre është një ves: vesi i atij që i mbivlerëson sukseset e veta, që e ekzagjeron kontrollin që mund të ketë mbi ngjarjet, që i fsheh dobësitë si të vartësve, ashtu dhe të rivalit.
Nëse do ti përthyenim të tilla përfundime në realitetin e sotëm shqiptar, e sidomos në problemin konkret të zgjidhjes së Presidentit, mund të na ravijëzohej në rolin e skifterëve e gjithë strategjia dhe veprimet e kryera tash sa kohë nga ana e opozitës në këndvështrimin e kësaj çështjeje, vërtet të rëndësishme, por kurrsesi kaq të ethshme e kaq shqetësuese për fatet e vendit, sa po trajtohet këto muajt e fundit.
Cila është vallë domosdoshmëria historike e momentit shqiptar? Në pikëpamjen e kombit, qytetarëve, e pse jo edhe të qeverisë, që ka veç përfitime nga një gjë e tillë, mund të thuhet pa dyshim: integrimi. Nuk mund të paragjykojmë as opozitën në këtë vlerë të gjithëpranuar, mirëpo strategjia dhe mënyra se si po e përdor ajo këtë domosdoshmëri, i ngjan vërtet rolit të skifterit përballë pëllumbave. Qeveria, përballë urgjencës së integrimit duhet të përkulet, qoftë për reformën zgjedhore, qoftë për atë parlamentare e për të gjitha pikat në vijim, ndaj qasja e përfitimit në të gjitha draftet që paraqiten për këto reforma janë maksimale. Ato shoqërohen jo vetëm me qëndrime të forta e të patundshme nëpër bisedime, por edhe me skema e lëvizje të nëndheshme, siç mund të qe vizita në Gjirin e Lalzit apo, pse jo, edhe ideja për mocion apo zgjedhje të parakohshme.
Po a i ka vallë Shqipëria të gjitha ato energji për të shpenzuar në iniciativa të tilla që e shmangin nga domosdoshmëria e saj historike? Pse vallë është kaq i ethshëm, apo kaq tranditës procesi i    zgjedhjes së Presidentit, që duhet përgatitur që muaj më parë terreni politik, mediatik dhe ndërkombëtar, me stilin e zanatin e skifterëve? Kuptohet atëherë se çështja nuk shtrohet në raportin me vlerën e integritetit, me vlerën e një presidenti-figurë të integritetit, me kryerjen në kohë të reformave, por me strategji, kanosje e veprime për të fituar maksimalen tani që qeveria mund të arrijë të fitojë statusin e integrimit.
Pra, kemi të bëjmë vetëm me një lojë skifteri në arenën politike, por që për fat të keq nuk i nevojitet Shqipërisë në të tilla përmasa shtrëngesash e bllokimesh se si po luhet. Kjo nuk  nënkupton kurrsesi që opozita të mos luftojë fort për ti arritur qëllimet e saj për një reformë sa më të mirë e për një president sa më të denjë. Absolutisht. Kjo nënkupton që të gjitha këto qëllime të vihen e të shkojnë në kahun e rrymës së domosdoshmërisë historike, integrimit, një rrymë kjo që ska nevojë të turbullohet apo ndryhet nga rrjedha të tjera interesash.
Kur kontrasti midis pritshmërive dhe opinioneve të ndryshme nis të jetohet si një humbje, kur ai pushon së qeni një element që mbjell dhe rrit demokracinë, kur ai fillon të konsiderohet i padobishëm dhe synohet të çrrënjoset sepse nuk gjendet mënyra për ti qeverisur diferencat, në historinë e demokracisë del në pah ajo që Karl Poper e ka quajtur, duke i dhënë një aspekt negativ, miti i kornizës. Ky term, për atë që mendon në mënyrë të ndryshme apo që ka nevoja të ndryshme, bëhet kërcënues dhe i pamundur nëse midis të dyja palëve nuk ekziston më parë një kornizë e përbashkët vlerash që e kanë themelin e tyre jo vetëm te ligjet, te kushtetuta, te politika, por thelbësisht te kultura e integritetit, etikës apo moralit.
Respekti për rolin e njëri-tjetrit në zhvillimin e jetës politike nuk është i negociueshëm, por gjithsesi ai ridiskutohet e riorganizohet nëse dëshirohet që armiku i shoqërisë së hapur (i përshkruar si kanibal nga ana e Poperit) të arrijë të bindet. Politika shqiptare se ka njohur shumë gjatë këtyre viteve rrënjosjen e atij patriotizmi kushtetues për të cilin flasin shpesh filozofë  dhe përfaqësues të mëdhenj të filozofisë politike, mbi të gjithë Habermasi. Dhe arsyeja pse këta të ashtuquajtur promovues vlerash ndihen si të justifikuar të ndërhyjnë në rregullat e politikës dhe demokracisë, është se e gjykojnë atë të mangët nga idetë e forta të integritetit.
Në prizmin e parimit të kushtetueshmërisë dhe integritetit duhet të sillet edhe përzgjedhja e Presidentit, sepse një prim i tillë si ai i integritetit, në cilësorët e vet moralë e profesionalë, arrin ta përmbyllë shumë mirë në vetvete edhe rolin e një administruesi të mirë të drejtësisë dhe sistemit të saj, ashtu edhe unitetit të popullit dhe marrëdhënieve midis palëve, që janë dy pikat e nxehta të debatit. Ka ardhur koha që institucioni i Presidentit të mos kalojë përmes eksperimentimeve dhe konsensualitetit të barazuar me pazar apo fiktivitet. Ka ardhur koha që vlerat e këtij institucioni të reflektojnë vlerën e domosdoshmërisë historike të Shqipërisë në këtë moment integrimi. Ka ardhur koha që, ashtu siç e dikton edhe fryma e ndryshimeve kushtetuese, që ajo të mos bëhet pengesë e as lojë skifterësh, por lojë pëllumbash. Ja pse vlera e momentit aq të shumëpritur për shqiptarët, marrjes së statusit, të shihet kështu edhe nga marrëdhënia politike. Opozita nuk mund të vazhdojë më të kanoset e të bëjë lojë aleancash fluide, me perspektivë zgjedhjet e 2013-s, se pas kësaj mund të ndodhemi në mënyrë hipotetike përballë po së njëjtës kapje pushteti që po britet sot e disa vjet, ku e majta të ketë pushtetin dhe një pëllumb të sajin në Presidencë. Opozita duhet të bëjë shumë hapa prapa nga ky qëndrim që e ka kaluar masën e konstruktivitetit dhe pajtueshmërisë me domosdoshmërinë tonë historike, duke shpënë ujë veç në mullirin e saj politik, për ta riparë raportin që po krijon me shqiptarët nëpërmjet kësaj strategjie, jo lufte parimore. Ky prapakthim i fortë duhet të ndiqet edhe nga një hap prapa i maxhorancës. Ajo, le ti mëshojë raportit brenda maxhorancës, raportin me Kushtetutën dhe raportit me integritetin e profilit të Presidentit, për të hequr dorë nga një profil i lartë partiak, legal në të gjitha kuptim, por jo legjitim në shumicën e qasjeve. Le të vendosë, siç ka bërë edhe herë të tjera, domosdoshmërinë historike në plan të parë, se kështu do të arrijë të fitojë edhe sfidën e saj reale, aspak politike, aspak pushtet-kapëse, siç e ka paragjykuar opozita, sfidën me opinionin dhe pritshmërinë e njerëzve për integrimin.

Jonathan Renshon pyesin se si është e mundur vallë që në historinë politike e njerëzore, skifterët arrijnë gati gjithmonë të mbizotërojnë mbi pëllumbat? Arrijnë të kenë sukses, përgjigjen studiuesit, sepse zotërojnë paragjykime më të forta, opinione të paluajtshme e, mbi të gjitha, iluzione më thjeshtësuese. Ushqehen me parakoncepte të pavërtetuara e më bindëse nga këndvështrimi demagogjik. Për shembull, nga parakoncepti i kundërshtarit të gjykuar si thellësisht armiqësor. Së dyti, nga një parakoncept që lind nga optimizmi i pakufi, të cilin Kahneman dhe Gershon e quajnë iluzioni i kon

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›