In memoriam studenteve të mia
Që jeta jonë është një bashkudhëtim mundues me kurthin e vdekjes mbi të, i ngjashëm me zhguallin e pandashëm të breshkës, kjo mbetet e qartë për gjithsecilin nga ne dhe pjesë e rëndësishme e kulturave të ndryshme interpretuese. E përshkruar si tinëzare, si e pabesë dhe diku si dhuratë e Zotit, siç duket për ta zhvlerësuar ose për ta marrë diçka me të mirë, e mallkuar shpesh dhe rrallë e thirrur me dëshirë, ajo shtrin midis nesh mbretërinë e saj në një luftë kurrë të përfunduar me vetë jetën. Dhe këtë gjithmonë e kuptojmë dhe e pranojmë.
Por, pse zgjodhi të tregojë prezencën e saj arbitrare duke rrëmbyer brenda hapësirës së saj të pashije dhe të pashpirt, pikërisht freskinë dhe bukurinë e studenteve të mia të dëlira, të mira e të mençura, këtë, me gjithë sforcimet e zhytjeve meditativo-filozofike, asnjëherë nuk do ta perceptoj, nuk do ta besoj dhe jo më të mundohem ta mbush me fjalë shpjeguese, të cilat gjithnjë e më shumë e arratisin meditimin drejt iluzionit se jam brenda një ëndrre makthi ende të papërfunduar.
Është një gjendje e pezullt, e cila më mban të varur diku, në një pikë të paidentitet, e cila më tendos qenësisht midis revoltës, dhimbjes dhe dëshirës.
Revolta ime më e thellë është ajo e vetë racës njerëzore, e cila, krahas superioriteteve, është pajisur me pafuqinë për të pasur mundësinë e kthimit të kohës mbrapsht për të gjetur aty mundësinë e fshirjes së sekuencave fatale si në një film të cilit i presim pjesët e padëshirueshme.
Revolta ime e fortë i përket vetvetes, e cila e kapluar dhe e rënë pre e intrigës asnjëherë të përfunduar të politikës, nuk gjeti disa minuta, orë apo ditë më shumë për të qenë më afër me ato të mirat e pakufishme, në auditorin e magjishëm ku leksionet e tyre ndaj nesh, që turremi të bëjmë politikë, për idealizmin, dëshirën për të ndryshuar botën e për të kërkuar njohurinë, dashurinë e gëzimin, janë ushqimi i vetë jetës.
Tek e fundit, këto orë të mrekullueshme, të humbura midis qenieve që të falin adhurim të pashpërblim e të pakufi, të stolisur me inate të vogla zbukuruese, nuk do të ndryshonin zgjedhjen e Presidentit, nuk do të ndryshonin as deklaratat pompoze të partive e as ato ambige të ndërkombëtarëve, dhe as do të pengonin reformën zgjedhore.
Revolta ime fatale lidhet me të gjitha pse-të e mundshme të parashtruara këto ditë: Pse nuk u bë kjo apo ajo gjë? Pse ishte ai vend? Pse nuk ishte ndryshe? E shumë pse, pse, pse…, të cilat fatalisht nuk mund të shmangin tani fatalitetin e pakthim. Kjo është dhe revolta ndaj vdekjes, e cila në garën e saj me jetën për ta sfiduar atë, rrëmbeu në mënyrë makabre bukurinë e studenteve për të makiazhuar përkohësisht vetveten, duke harruar që kështu u bë akoma më e urryer nga raca njerëzore.
Revolta ime e fundit lidhet me vetë studentet e mia, të cilat, të pushtuara nga dëshira për jetën dhe të përkryerën, nxituan me sinqeritet hyjnor, pa nisur ende udhëtimin e tyre mbi tokë, të nisnin udhëtimin për në botën e përtejme, sigurisht, për të shkuar për në parajsë, por duke mos u kujtuar për një çast se lanë prindërit me lot në sy, të dashurin me kokën mënjanë, auditorët dhe shpirtrat tanë të zbrazur.
Dhimbja që na pushtoi vazhdon të jetë ende aty. Dhe ishte aq e fortë, sa diçka na theu të gjithëve me zhurmë. Pas kësaj, ecejaket e mia dhe të kolegëve të mi në aulat e Universitetit nuk do të jenë njësoj si dikur, sepse diku do të mungojë hareja e përhershme e Aurorës, diku thjeshtësia e bukur e Denisës, diku shkëlqimi i syve të zgjuar të Dorinës, diku optimizmi i pafund i Elsës, diku zëri magjik i Erandës, diku bukuria e pashoqe e Eriolës, diku qetësia olimpike e Ermirës, diku serioziteti i qetë i Linditës, diku natyra ëndërrimtare e Julianës, diku e qeshura e zhurmshme e Joanës, diku melankolia njerëzore e Fabiolës.
Ikja e tyre pa na thënë një fjalë dhe pa i tokur bëri që brenda nesh të vdesë diçka nga buzëqeshja jonë, diçka nga entuziazmi ynë, diçka jetësore, thelbësore që endet magjishëm vetëm në eterin e sallave të mahnitshme të universiteteve. Thonë që dhimbjet të urtësojnë e mençurojnë, por kjo e jona ishte ndryshe, sepse ajo zgjatet pa fund në ëndrra të brishta të lëna përgjysmë, në projekte madhore të ndërprera, në dëshira kuptimplota, të nisura e të papërfunduara, në malle të thella që kurrë nuk do të plotësohen, në jetë që përfunduan pa nisur.
Po dëshirat si shenjë e jetës që triumfon mbi vdekjen nuk përfundojnë të shprehin praninë e tyre. Ato lidhen pazgjidhshmërisht me studentet e çiltra të miat, për ti sjellë ato ndër kujtime të patretura, për ti lartësuar si simbole të dashurisë për jetën. Ikja e tyre do të jetë vërtet mungesa jonë e madhe, sikurse do të jetë detyrimi ynë për të respektuar e dashur jetën, të bukurën, të mirën, idealen në emër të kujtimit të emrit dhe ëndrrës së tyre.
