E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika, disa harresa kinse të vogla

Politika jonë në asnjë moment nuk u shmanget kremtimeve. Arsyeja është e thjeshtë: Krem-timi është momenti kur institucionalizohet pushteti në aspektin protokollar. Me pak fjalë, ajo ditë që regjistrohet në kronikën protokollare shqiptare është krenaria me të cilën sak-baba-nënë-llarët e kombit kanë mundësi të institucionalizojnë dukjen e mandatit të tyre. Megjithatë, të ngërthyer në llogaritje matricash dhe algoritmesh për presidentin, askush nga ata nuk ka ‘pasur’ kohë dhe rend të vërë re ca pako gjëra si të vogla. Një e tillë ndodhi pak ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, ku kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Topalli organizoi një seancë të veçantë plenare, në kujtesë të Holokaustit, bashkë me projektimin e dokumentarit “Besa e Shqiptarit”. Ky i fundit, një film gati propagandistik për qeverinë aktuale dhe nderimet e saj, u çel me fjalime patetike të kryetares së Kuvendit dhe kryeministrit aktual z. Berisha. Është e vërtetë se populli i thjeshtë shqiptar shpëtoi një bashkësi të vogël hebrenjsh që jetonin në këtë vend para shpalljes së teorisë raciste të demoracës. Dhe, mbeti me nder në histori, pasi u bë vendi i një tranzitimi për shumë syresh dhe mbajti dhe jo pak të tjerë, që i japin realisht një vend nderi tek popujt në mbrojtje të hebrenjve. Megjithatë, shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri ka në thelb një bërthamë që lidhet me karakterin kombëtar shqiptar, një atribut që shqiptarët ia kanë dhënë deri pushtuesve serbë dhe italianë, mbetur në zgrip të fatkeqësisë. Anipse, rrahja e gjoksit në atë ditë, jo vetëm na bën pak qesharak në këtë rast, por edhe në shumë të tilla syresh. Dy episode të fundit mund ta evokojnë më së miri këtë. Këto ditë (dita e saktë mund të hamendësohet, sepse në kampet e përqendrimit s’mund të ishte ky luks) shënohet përvjetori i 70-të i vdekjes tragjike të profesorit të madh të albanologjisë me origjinë hebreje, Norbert Jokli, pedagog në Universitetin e Vjenës. Pas “Natës së kristaleve”, profesori (edhe pse përpjekjet e Çabejit, Xhuvanit e pak të tjerëve në mbrojtje të tij nuk munguan), u kërkoi autoriteteve tona të pajisej me pasaportën shqiptare dhe të vinte në Shqipëri, të mbaronte një punë titanike që po bëhej me paratë e shtetit shqiptar. Një studiues interesant i historisë së marrëdhënieve të asaj kohe, Artan Puto, vite më parë botoi te ‘Përpjekja’, kalvarin e të ngratit. Kërkesa e tij drejtuar autoriteteve shqiptare mbeti udhëve, sepse u shty aq shumë sa ai u deportua në njërin nga kampet fatkeqe të përqendrimit. Përveç përmasës së tij të madhe, Shqipëria humbi atë që Koliqi, në të gjallë, kur e vizitoi në Vjenë bibliotekën e tij, më dhjetor të 1937-ës, do e shkruante një vit më vonë te “Demokratia” e Vangjel Koçës: “E më çoi fíll ke nji raft librash [...] Botime të vjetra e të reja: Toskësh e Gegësh e Shqiptarësh t’Italís; të gjithë auktorët, të mëdhej e të mesëm e të vegjël fare; kolekcjone së përkohëshmesh shti për bukurí në kartuç, radhiteshin të dendun n’at bibljotekë të smirueshme. Shum prej atyne botimeve sot nuk gjinden mâ, sado me i pague. Sejcili vëllim mâ së miri i lidhun mbante të shkruem me gërma ari në shpinë titullin e vet. Sýt e mij shetitshin plot lakmi mbi ato tituj e zemra më ndrydhej. Paska qenë dashtë të shkojshëm larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe”. I ngrati kish formuar një bibliotekë të tërë me 3000 vëllime, sot të ruajtura vetëm 200 syresh, një nga humbjet më të mëdha të fondit tonë të albanologjisë të të gjitha kohërave... Duke u kthyer në temën tonë, as edhe një kujtesë nderi s’u bë nga politikanët, as s’e përmendi këtë askush këto ditë dhe as znj. Topalli s’gjeti mundësi ta përmendte atë ditë. Në fakt, turpi bie mbi Institutin e Albanologjisë, që në këto ditë nuk i kushtoi edhe kujdesin më të vogël figurës së tij, paçka se drejtuesit e tij rreshtohen rregullisht në aktivitetet e politikës. Si për ironi të kohës, historiani Puto përmendte në shkrimin e tij se si zyrtarët e dikurshëm shqiptarë manovruan duke u marrë para të thatë hebrenjve që vinin për të tranzituar tutje me ar të thatë, duke mos na lënë aq ‘të bardhë’ në mëtimin tonë për shpëtimin e hebrenjve si të vetëm. Sa i përket popullit, kodi i nderit shqiptar mbeti i shenjtë, sepse lidhej me zemrën e bardhë të njerëzve të thjeshtë. Argumenti s’mbaron këtu. Përfaqësuesit e politikës së djathtë dhe të majtë bëhen vërtetë qesharakë, sa i përket kremtimeve. E tillë u tregua politika në të gjithë spektrin e saj për përkujtimin e një njeriu që do të vdiste po në maj të vitit 1942. Qemal Stafën e kaluan pa u ndjerë fare dhe sidomos të majtët, sepse i riu, që është një nga dëshmorët e parë të antifashizmit, nuk e mohoi kurrë përkatësinë komuniste. Politikanët shqiptarë, të trembur nga lufta dhe evokimi i ngjarjeve të luftës antifashiste, që për hir të së vërtetës e lidhin vetëm me komunistët, heshtën, paçka se kjo luftë është në bazë të vlerave më të mëdha të qytetërimit të sotëm. Dhe, ky djalë i ri, me idetë e tij të antifashizmit, ishte një model i nderuar. Qoftë dhe të majtët, që dikur e përdorën figurën e tij për një tip fondacioni, u kufizuan me harresë për të. Edhe pse ndryshimet që kanë ndodhur në botë as nuk i kanë prekur vlerat e antifashizmit, duket se ato kanë reflektuar pak në politikën shqiptare, që e fsheh kokën si struci. Dhe më i hidhur ende ishte përvjetori i një poeti të vrarë, që kaloi në heshtje nga të persekutuarit, politikanët dhe artistët. Trifon Xhagjika ka një trashëgimi modeste poezish, por me një forcë të tillë që i jep vlerë reale disidencës shqiptare. Pakkush ka artikuluar si ai dhe kuptohet se, për këtë jeta e tij s’do kishte shumë alternativa. Të përndjekurit apo shkrimtarët e sotëm shqiptarë as u kujtuan për të. Një masë e madhe e tyre, ashtu si një masë e politikanëve dhe studiuesve, e kanë të rënduar kujtesën me bëmat që i bënë disa njerëzve të tillë që duhet të ishin realisht në panteonin e këtij vendi. Ndaj, sikur institucionet tona të kishin pak më shumë integritet, do duhej të kthjelloheshin dhe t’u shpëtonin kremtimeve për kremtime, që tregojnë një shtet pa bosht dhe që nuk di të nderojë altarin e saj. Sot, mund të manipulosh historinë, mund të shpikësh kinse heronj, ngjarje dhe aktivitete, por nuk mund të fshehësh vërtet atë që ke bërë. Ndoshta politika shqiptare nuk duhet të harrojë se, jo shumë vite të shkuara, ishte pikërisht Shqipëria vendi i parë që përgatiti martirët e luftës së Palestinës, kundër hebrenjve. Dhe, paradoksalisht sot, është një nga vendet që i ruhet qëndrimit të hapur ndaj saj. Këto raste diferencimi, që bëjmë me të kaluarën tonë, tregojnë se ne nuk mësojmë dot nga historia. Ndërsa civilizimet nuk dallohen thjesht nga sistemet, por nga ndërgjegjja e kujtesës. Danezët e treguan këtë kur shpëtuan si askush tjetër plot 8000 hebrenj në kohën e Luftës së Dytë Botërore, por nuk e rrahin gjoksin. Dhe nuk kanë pse ta rrahin, sepse sistemin e vlerave, kombet e mëdha e kanë të ngritur jo me kinse heronj dhe me kinse bëma, por me realitete. Ato, të cilat neve nuk i shohim më prej kohësh në jetën tonë...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›