E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia, dje dita III

Orë pas ore me gjithçka ndodhi gjatë ditës së djeshme. Bilanci tragjik i viktimave, gjendja e të plagosurve dhe protestat e banorëve

Ora 5.00 Rreth orës 5.00 të mëngjesit të djeshëm, dhjetëra forca xheniere nisën operacionin për gjetjen e personave të zhdukur dhe pastrimin e zonës nga moria e predhave të shpërndara në gjithë sipërfaqen e fshatit nga shpërthimi i fuqishëm i tri ditëve më parë. Ora 6.00 Pa zbardhur ende dita, banorët e fshatit Gërdec që kaluar natën në qendrat e pritjes dhe të afërmit e tyre nisën të kthehen pranë shtëpive të tyre. Zyrtarisht u raportua se rreth 50 persona mbërritën për të marrë ato pak orendi që mundën të shpëtonin nga shpërthimi tragjik, për t’u kthyer më pas në vendet e strehimit. Ora 7.00 1000 trupat të ushtrisë, tre helikopterë dhe 149 mjete nisin operacionin masiv për pastrimin e Maminasit, Stacionit të Trenit, Marqinetit dhe Manzës. Në zonën ku ndodhi shpërthimi veprojnë trupat e batalionit të operacioneve speciale. Misioni i tyre është kufizimi i zonës së ndotur dhe kërkimi i viktimave të mundshme. Në pak orë kërkim u identifikuan gjithsej 149 predha të paplasura. Ora 7.15 Një shoqëri e huaj sigurimesh shpreh solidaritetin dhe i jep qeverisë shqiptare medikamente shëndetësore për 300 persona. Ora 8.35 Sipas informacioneve që vijnë nga spitali i Barit në Itali, thuhet se një fëmijë 6 vjeç është në gjendje të rëndë. Vogëlushi ka djegie në 70 për qind të trupit dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm gjendja e tij është rënduar së tepërmi. Ora 8.40 Zyrtarët bëjnë bilancin e të vdekurve, ku deri në këtë orë regjistrohen 10. E ndërsa flitet zyrtarisht për 10 të vdekur, Shtabi i Emergjencës pohon se 9 persona të tjerë janë të zhdukur, pasi emrat e tyre nuk ekzistojnë as në spital dhe as në qendrat e strehimit. Janë familjarët e të zhdukurve, që pasi kërkuan në spital dhe qendrat e strehimit, raportuan pranë Shtabit të Emergjencës humbjen e familjarëve të tyre. Ora 9.30 Banorët e Gërdecit konfrontohen me Policinë Ushtarake, e cila ndalon hyrjen e tyre në fshat. Me thirrjet “Duam të kthehemi në shtëpitë tona”, dhjetëra banorë tentuan të hyjnë në fshatin e rrënuar. Me gjithë kërkesat e banorëve, të cilët me çdo kusht donin të ktheheshin pranë shtëpive të tyre, policia dhe forcat e ushtrisë që kishin urdhër të vendosnin kordonin e sigurisë, nuk lejuan asnjë banor të futet në fshat, pasi mund t’iu rrezikohej jeta nga predhat e pashpërthyera.  Ora 10:40 Forcat e ushtrisë gjetën një fëmijë 9-vjeçar pranë banesës së tij. Fëmija që qëndronte i fshehur nga momenti i shpërthimit, sipas drejtorit të Emergjencave Civile, Alfred Olli, është në gjendje të mirë shëndetësore. Ora 10:45 Kryeministri Sali Berisha bën bilancin tragjik të viktimave të Gërdecit. Kreu i qeverisë bëri të ditur se deri në këtë orë numri i të zhdukurve u rrit nga 9 në 13 persona. Gjithashtu, Berisha tha se “rreth 300 ndërtesa janë të shembura dhe 185 janë me dëmtime të rënda”. Ndërkaq, kryeministri premtoi se çdo rit mortor për viktimat e Gërdecit do të kryhet nga qeveria. “Familjeve të viktimave do t’u jepet një ndihmë prej 2 milionë lekësh dhe ky vendim duhet të hyjë në fuqi menjëherë. Sot duhet të jetë një vendim qarkullues dhe shpenzimet e varrimit duhet t’i marrim përsipër ne”, deklaroi Berisha. Ora 10:50 Shkon në 11 numri i personave të vdekur. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit u gjet trupi i pajetë i 3-vjeçarit, Flavio Deliu. Trupi i pajetë i të miturit u nxor nga rrënojat, në afërsi të zonës së shpërthimit. Në momentin e shpërthimit, fëmija ka qenë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, që gjendej pak metra larg fabrikës së çmontimit të municioneve. Me gjetjen e trupit të 3-vjeçarit ulet në 12 numri i të zhdukurve. Ora 11.00 Franca i ofron ndihmë Shqipërisë për përballimin e pasojave të tragjedisë së Gërdecit. Në aeroportin e Rinasit mbërrin një avion ushtarak francez me 9 tonë materiale mjekësore, të nevojshme për trajtimin e të plagosurve nga shpërthimi. Ora 11.50 Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mbërrin në Bashkinë e Vorës, aty ku është vendosur Shtabi i Emergjencës, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Gazmend Oketa. Ora 12.45 Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi politikën e ndjekur për 17 vjet rresht, si të vjetër dhe shkaktare të fatkeqësive të shqiptarëve, ndërsa ngarkoi me përgjegjësi për tragjedinë e Gërdecit kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes. Kryesocialisti kërkoi dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe ministrit Mediu. Ora 13.15 Kreu i shtetit kërkoi nga Vora angazhimin e të gjithëve për të kthyer situatën në normalitet. “Të gjithë së bashku duhet të jemi protagonistë për ta kthyer në normalitet këtë situatë”, - tha Presidenti Topi gjatë mbledhjes së Shtabit të Emergjencës në Bashkinë e Vorës. Ora 14.25 Rreth një orë pas fjalës së presidentit, banorët e fshatit Gërdec bllokojnë autostradën Tiranë-Durrës. Të revoltuar që nuk lejohen të hyjnë në fshat, ata hidhen në një protestë masive. Banorët kërkojnë gjetjen e personave përgjegjës për tragjedinë, ndërsa mbajnë në duar parulla ku shkruhet: “Berisha, Mediu ikni!”. Ora 14.30 Forcat e ushtrisë që janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit në fshatin Gërdec, nxjerrin nga rrënojat trupat e katër viktimave të tjera. Trupat ende të paidentifikuar, pasi janë thuajse të karbonizuar totalisht, u përkasin tre burrave dhe një gruaje. Me gjetjen e katër trupave të pajetë shkon në 15 persona të vdekur, bilanci tragjik i shpërthimit të Gërdecit. Ora 14.40 Ministria e Shëndetësisë konfirmon faktin se drejt Italisë do të transportohen dhe tre të plagosur rëndë nga tragjedia e Gërdecit. Të plagosur ndodhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po trajtohen në Repartin e Djegieve Plastike dhe në Okulistikë. Deri tani jashtë vendit janë transportuar gjithsej 16 të plagosur. Ora 15.20 Vjen lajmi i hidhur nga Italia, ku ndërroi jetë 46-vjeçari Azem Ameliu, i cili u transportua për një mjekim të specializuar, në gjendje kritike për jetën. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se 46-vjeçari shfaqi komplikacione, të cilat më pas i shkaktuan humbjen e jetës. Me vdekjen e Azem Ameliut, shkon në 16 numri i viktimave nga ngjarja tragjike e dy ditëve të shkuara në fshatin Gërdec. Ora 15.25 Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, deklaron se i ka paraqitur kryeministrin dorëheqjen nga posti që mban. Ora 15.45 Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, komandanti i KFOR-it, Gjeneral Lejtnant Xavier de Marnhac dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, ngushëllojnë kryeministrin Berisha për ngjarjen e rëndë të Gërdecit. Ora 16.15 Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, konfirmon zyrtarisht faktin se numri i viktimave të tragjedisë shkoi në 16 persona. Ndoka tha se situata në QSUT është ende e rënduar dhe ka të tjerë të plagosur rëndë. Ora 17.20 Ambasada amerikane në Tiranë thotë se “qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ka ndihmuar Ministrinë e Mbrojtjes për çmontimin e municioneve në këtë bazë magazinimi”, duke sqaruar kështu faktin, se mes qeverisë shqiptare dhe asaj të SHBA-ve nuk është lidhur asnjë kontratë.  Ora 17.30 Kryetari i ALUIZNI-t, Shaban Memia, tha se në zonën e prekur nga shpërthimi do të dërgohen rreth 300 ekspertë të këtij institucioni, për të bërë të mundur evidentimin dhe nxjerrjen e dëmeve që kanë pësuar banesat dhe objektet e kësaj zone. Ora 17.45 Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa që udhëheq dhe Shtabin e Emergjencave, tha se nga dita e nesërme, fëmijët e Gërdecit do të nisin procesin mësimor në ambientet e konvaleshencës së Durrësit. Ora 18.00 Imzot Rrok Mirdita vizitoi të plagosurit që ndodhen të shtruar në Repartin e Djegies në QSUT. “Ne do të impenjohemi për t’i kërkuar ndihme “Karitasit” dhe shoqatave të tjera me të cilat ne jemi në kontakt, për të na dhënë çfarë është e mundur. Uroj që këta banorë dhe të plagosur të kenë mundësi të përmirësohen dhe të kthehen pranë familjeve të tyre”, - tha Imzot Rrok Mirdita. Ora 18.10 Protestuesit zhbllokojnë autostradën Tiranë-Durrës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, banorët që për katër orë kërkuan nxjerrjen e përgjegjësve të tragjedisë, vendosën të shpërndahen në mënyrë paqësore. Pak para shpërndarjes, ata deklaruan se “nëse nuk do të marrim një përgjigje nga autoritetet për plotësimin e kërkesave tona, atëherë do t’u rikthehemi sërish protestave”. Ora 19.25 Policia e kryeqytetit ndalon presidentin e firmës çmontuese në Gërdec, Mihal Delijorgjin. Së bashku me të policia shoqëroi dhe drejtorin e firmës “Meico” Ylli Pinarin. Po kështu, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë shoqëruar edhe dy persona të tjerë, njëri punonjës i firmës së Delijorgjit, ndërsa tjetri drejtuesi i një policie private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›