E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skrami: Na duhen të huaj

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, tregon se çfarë ndodhi në asamblenë e ETC-së në Dresden. Prezantimi i TK-së dhe votimi unanim i përfaqësuesve të teatrove. Nevoja më urgjente: ndriçim dhe ide të reja. Dhe disa dhjetëra mijë euro


Teatri Kombëtar i Shqipërisë, që prej javës së shkuar, është anëtar me të drejta të plota në Unionin Evropian të Teatrove (ETC), por vetëm dje, drejtori Kristaq Skrami ka dalë përpara mediave për të treguar se çfarë ndodhi në Drezden, Gjermani, gjatë mbledhjes së radhës së Asamblesë së ETC-së.


Sipas tij, pranimi i TK-së në këtë organizatë jofitimprurëse u bë nga votimi unanim, asnjë nga 40 anëtarët përfaqësues nuk e kundërshtoi anëtarësimin e Shqipërisë.


"Ky pranim nuk është një vlerësim që i bëhet stafit aktual të TK-së, por është një vlerësim i gjithë punës 64-vjeçare të teatrit", - përcaktoi drejtori. Hapi i parë u hodh, tani mbetet vetëm që TK-ja të jetë në lartësinë e duhur për të përballuar obligimet e ETC-së.


Ajo që Skrami cilëson më urgjente është rinovimi i ndriçimit të skenës që, sipas përllogaritjeve që ka bërë në Gjermani, shifra mund të shkojë në 100 mijë euro. Urgjenca tjetër është prania gjatë sezonit artistik e një regjisori të huaj. Por edhe pse prej kohësh e priste këtë anëtarësim, nuk ka nisur punën për hartimin e një projekti konkret.


Sipas Skramit, deri në mbledhjen e radhës së Asamblesë në tetor, ka kohë të mjaftueshme për të përcaktuar kërkesat. Më poshtë ai shpjegon se si do të zgjidhë disa nga problemet që dalin në dritë prej këtij anëtarësimi.

Z. Skrami, urime për anëtarësimin në Unionin Evropian të Teatrove. Ju keni thënë se ky akt do t'i kushtojë teatrit 5500 euro në vit. Ku do ta gjejë teatri këtë shumë?


Ne kemi vetëm 5500 euro për të paguar dhe për mua kjo çështje është e zgjidhshme. Në buxhetin që do të hartojmë së shpejti, këtë shumë do ta vendosim si një zë të veçantë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për 5500 euro, por edhe për pjesëmarrjen dy herë në vit në mbledhjet e asamblesë.


Në statusin e ETC-së thuhet se prania në këto mbledhje është e detyrueshme dhe anëtarët i paguajnë vetë shpenzimet e rrugës dhe të qëndrimit. Patjetër që do të jetë një buxhet i veçantë, le të themi, 10 milionë lekë në vit.

Cila mendoni se është nevoja me urgjente, për të cilën do të kërkoni ndihmën e ETC-së?


E para është që, të paktën një regjisor i huaj, të vazhdojë të jetë prezent në kalendarin e Teatrit Kombëtar. Sepse regjisori që vjen, vjen me një vizion të ri, me një frymë të re të Europës. Por edhe sikur të bëhen dy regjisorë, nuk është keq.


Kjo mund të jetë një nga kërkesat. Dhe tjetra që është po kaq urgjente, ana teknike. Ndriçimi dhe fonia duhet doemos të rinovohen. Në dy-tri teatro që vizituam në Drezden pamë një cilësi të jashtëzakonshme të ndriçimit.


Nga bisedat që pata me inxhinierët atje, mësova se kjo gjë mund të realizohet me një maksimum prej 100 mijë eurosh. Teatri Kombëtar mund të marrë një ndriçim dhe foni të jashtëzakonshme, sepse do na duhet që të presim trupat e huaja, të cilat kanë efekte speciale.

Ju pranuat që ana teknike është ajo që ka nevojë urgjente për ndërhyrje. Por për sa i përket cilësisë së produktit të TK-së, nivelit estetik, ideve dhe projekteve që kalojnë në Bordin e Këshillit Artistik, nuk mendoni se edhe këtu ka nevojë të ndryshojë diçka?

Unë mendoj që bordi është shumë i përgjegjshëm. Po të keni vënë re, ne kemi miratuar shumë pak nga ato që kanë ardhur në bord. Shumë gjëra dhe i kemi anashkaluar, jo për të fyer. Gjithmonë ka qenë ideja se çfarë niveli duhet ketë në Teatrin Kombëtar. Unë mendoj që bordi është profesional dhe shumë i përgjegjshëm për ato që miraton.

Në mbledhjen e asamblesë në Drezden, ju prezantuat brendinë e TK-së nëpërmjet disa pamjeve filmike. Si u komentua kjo gjendje e teatrit?


Këto filmime u paraqiten me kërkesën e tyre. Në 2-3 minuta tregohej se çfarë është ky teatër, çfarë ambientesh ka, ku ndodhet. Ne paraqitëm pamje të godinës së teatrit, sallës së provave, dy sallat e shfaqjeve. Komenti? Natyrisht që jo të gjithë teatrot kanë këtë luks që ka Teatri Kombëtar.


Me një sipërfaqe kaq të gjerë, me një oborr kaq të madh, etj., etj. Natyrisht ata kanë godina 100-vjeçare që janë të ideuara dhe të menduara posaçërisht për teatrot. Unë them që, të paktën, salla qendore e TK-së qëndron denjësisht, para trupave që vijnë. Këtë mendim e kemi marrë edhe nga trupat e huaja që kemi ftuar.


Të shtunën votuan 40 përfaqësues teatrosh për pranimin e Teatrit Kombëtar në ETC. Mund të na tregoni diçka më shumë për procedurën?


Përpara votimit ne shpërndamë gjithë materialet që kishim përgatitur. Pas kësaj unë bëra një përmbledhje të shkurtër të historikut të Teatrit Kombëtar. Dhe pas kësaj u bë votimi i të gjithë anëtarëve. Nuk ishte votimi i fshehtë, anëtarët që ishin pro ngritën duart. Votimi ishte unanim, nuk pati asnjë përfaqësues teatri që të votonte kundër apo të abstenonte.

Pas kësaj ju thatë se do t'i propozoni Kryeministrisë të ndryshojë statusin e teatrit. Ku konsiston propozimi?


Shumë teatro kombëtarë kanë status të veçantë, në financim dhe në patronazh. Ka teatro që kanë si president ose Presidentin e Republikës, ose Kryeministrin. Përse të mos i japim një peshë specifike akoma edhe më të madhe këtij teatri prestigjioz, siç është TK-ja.


Entuziazmi juaj për këtë anëtarësim është i dukshëm, por sa i përgjigjet bilanci i sezonit 2008-'09 këtij entuziazmi?


Anëtarësimi në këtë rrjet të rëndësishëm teatror, natyrisht që është një sfidë, një përgjegjësi e madhe për atë çka do të bëjë këtej e tutje dhe si do të ballafaqohet Teatri Kombëtar me homologët e tij në ETC.


Të paktën, kalendari, pavarësisht shkëputjeve të ndryshme, ka qenë i plotë. Ajo që është kryesorja, spektatori është kthyer në sallë, vazhdon të ndjekë të gjithë kalendarin e shfaqjeve të teatrit. Unë mendoj që kjo është një arritje.


Të paktën, një regjisor i huaj të vazhdojë të jetë prezent në kalendarin e Teatrit Kombëtar, sepse ai regjisor vjen me një vizion të ri, me një frymë të re të Europës. Por edhe sikur të bëhen dy regjisorë, nuk është keq.


Po kaq urgjente është ana teknike. Ndriçimi dhe fonia duhet doemos të rinovohen. Kjo gjë mund të realizohet me 100 mijë euro. Teatri Kombëtar mund të marrë një ndriçim dhe foni të jashtëzakonshme.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›