E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Qëndrimi për zgjedhjet varet nga të dhënat e Nishanit

Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Islami, deklaroi se PS-ja nuk do të lejojë që të zhvillohen zgjedhje të manipuluara


TIRANË- Partia Socialiste kushtëzon qëndrimin e saj për pjesëmarrjen në zgjedhje me të dhënat që do të japë Ministria e Brendshme për ecurinë e deritanishme të procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.


Një ditë pasi i nisi zyrtarisht një letërkërkesë Ministrisë së Brendshme për këtë qëllim, selia rozë ka rikonfirmuar edhe njëherë pozicionimin e saj karshi një çështjeje të tillë, duke evidentuar fort faktin se çdo gjë që ka të bëjë me fatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 28 korrikut, varet pikërisht nga mundësia që do t'u krijohet gjithë shqiptarëve për të votuar.


Në një dalje të posaçme për mediat, sekretari socialist për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami, ka sqaruar opinionin publik se Partia Socialiste mbetet tërësisht e angazhuar, jo vetëm për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe për t'i fituar ato, por nuk do të lejonte që ato të zhvilloheshin në kushte të disfavorshme për njërën palë, nëpërmjet lojërave për të penguar një pjesë të zgjedhësve, për të ushtruar të drejtën e tyre për të zgjedhur.


"PSSH-ja është shprehur disa herë dhe ripërsërit se kjo situatë është e papranueshme dhe në asnjë rast nuk do të lejohet zhvillimi i zgjedhjeve të manipuluara. Në asnjë rast nuk do të lejohet ndryshimi apo transformimi i rezultatit të zgjedhjeve përmes lojës me letërnjoftimet.


PSSH-ja rishpreh qëndrimin e saj të qartë për të respektuar zhvillimin e zgjedhjeve në 28 qershor 2009", - tha Islami. Ndërkohë, nga ana tjetër, duke vlerësuar situatën e përgjithshme, është shprehur skeptik për mundësinë e pajisjes së gjithë qytetarëve me letërnjoftime elektronike brenda afatit kohor të mbetur në dispozicion të këtij procesi.


Madje, Islami është shprehur se me të dhënat jo vetëm operative, por edhe ato zyrtare që Ministria e Brendshme ka bërë publike gjatë ditëve të fundit, procesi mund të konsiderohet i dështuar.


Dhe, arsyet, sipas tij, kanë të bëjnë jo vetëm me paaftësinë e qeverisë, por edhe me dashakeqësinë e saj për të krijuar pengesa artificiale, në mënyrë që një pjesë e mirë e shtetasve me të drejtë vote të mos marrin pjesë në zgjedhje.


"Arsyet e këtij dështimi janë të qarta e evidente: paaftësi dhe mungesë vullneti nga ana e qeverisë dhe synim i qartë i Kryeministrit Berisha për të transformuar rezultatin e zgjedhjeve përmes lënies pa letërnjoftime të një numri të konsiderueshëm zgjedhësish prezentë në listat e votimit", - tha më tej Islami.


Pavarësisht deklaratave kërcënuese, selia rozë shprehet e gatshme, që në momentin që qeveria të pranojë dështimin e këtij procesi, të ofrojë dhe zgjidhjet konkrete për të dalë nga kjo situatë.


Por PS-ja bënë të ditur se çdo vendim lidhur me këtë proces, por edhe për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme do të varet nga përfundimi, që do të nxirret pas analizës, që do t'i bëhet të dhënave, që do të vihen në dispozicion nga Ministria e Brendshme.


"Analiza përfundimtare e të gjithë këtij procesi dhe vlerësimet përkatëse, do të bëhen mbi bazën e këtyre të dhënave. Qëndrimi i PSSH-së do të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e kësaj analize dhe e këtyre vlerësimeve", - u shpreh sekretari socialistë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›