Skrapi u përdor për trafik

TIRANË - Nënproduktet e përfituara nga demontimi i predhave në fabrikën e Gërdecit dyshohet se janë përdorur për rindërtimin e predhave në punishte ilegale jashtë Shqipërisë. Rreth gjashtë muaj pas shpërthimit tragjik dalin në pah detaje që hedhin hije dyshimi mbi një trafik të mundshëm armësh të ideuar dhe planifikuar me detaje. Burime konfidenciale i thanë dje “Korrierit”, se në Gërdec kryhej vetëm demontimi i predhave dhe jo demilitarizimi, çka do të thotë se të gjithë produktet e përfituara pas ndarjes së gëzhojës nga predha mund të jenë përdorur për rikrijimin e municioneve, të cilat mund të jenë përdorur për qëllime të ndryshme. Pavarësisht kostos që ka realizimi i procesit, burimet thonë se kjo ishte rruga më e sigurt, pasi mund të blihen veç e veç të gjithë produktet e përfituara (gëzoja, maja e predhës dhe baruti), dhe më pas në punishte ilegale realizohet montimi i tyre. Por kjo mënyrë e stërholluar trafiku, e cila mbetet për t’u provuar nga organet hetimore, është një praktikë e njohur, të paktën për punonjësit e ndërmarrjes “Meico”, të cilët dyshohet se e kanë përdorur edhe herë të tjera. Një ushtarak i tha “Korrierit”, se rreth dy vjet më parë policia italiane ndaloi dy punonjës të kësaj ndërmarrjeje, pasi do të shisnin në vendin fqinj gëzhoja të paçmilitarizuara, të cilat do të përdoreshin për qëllime të dyshimta.
Skema e Gërdecit
Burime të rezervuara, të cilat kanë informacione të mjaftueshme për veprimtarinë që zhvillohej në ish-Repartin e Tankeve në Gërdec, thanë se aty mungonte makineria për shtypjen e gëzhojave që dilnin nga demontimi i predhave. Procesi që kalonte në disa faza, kishte si synim kryesor vetëm çmontimin (ndarjen e gëzhojës nga predha) dhe jo demilitarizimin e predhës. Pikërisht gëzhojat e paçmilitarizuara dhe të pashtypura janë shitur jashtë Shqipërisë si skrap, duke përdorur kështu një mënyrë që jepte më tepër siguri sesa shitja e predhave të paçmontuara. Në shërbim të kësaj piste vijnë edhe dëshmitë e punëtorëve të ish-fabrikës së Gërdecit, të cilët në prokurori kanë deklaruar se gëzhojat dhe majat e predhave që i ishin nënshtruar demontimit kalonin në procesin e larjes, i cili kryhej në vaskat me naftë që ishin vendosur apostafat për këtë qëllim. Këto produkte, së bashku me barutin, sipas ushtarakëve, dyshohet se janë shitur jashtë vendit dhe më pas janë ribashkuar për të përftuar sërish predha. Një hipotezë e tillë mësohet se është duke u verifikuar edhe nga prokuroria, e cila ka arritur të zbulojë detajin se në Gërdec nuk kishte një makineri që shërbente për shtypjen e gëzhojave, çka do t’i kthente ato vërtet në skrap dhe do t’i bënte të papërdorshme për qëllime të tjera. Veç dëshmisë së punëtorëve, grupi hetimor i çështjes pritet të marrë edhe dëshminë e ushtarakëve, të cilët kanë informacion rreth kësaj praktike, e cila dyshohet se është përdorur edhe më parë.