E Diel, 1 Nëntor 2026

Skuadrës ia japin fitoren lojtarët

Prof.dr Fatmir Shehu

-Kohët e fundit janë afishuar listat e deputetëve të partive të ndryshme, pra edhe ato të Partisë Socialiste. Sigurisht që puna e parë që bën secili, është që të shohë se cilët emra përfshihen në këto lista dhe të vlerësojë ashtu siç bëhet, se a janë për të qenë ata që janë në ekipin e skuadrës përfaqësuese të PS-së dhe sa e kanë koeficientin e sigurisë për fitore si ekip, por edhe me vlerat e gjithsecilit. Më pëlqeu shprehja që  po përdoret për deputetët e PS-së duke i nominuar si ekip, si skuadër. Sot në të gjitha fushat, pse jo edhe në atë të politikës, punohet në ekip, sepse mbizotëron paradigma e ndërvarësisë.  Madje ekziston një sentencë: “Më mirë një lojtar i keq në një ekip të mirë, se një lojtar i mirë në një ekip të keq”. Kësisoj, ekipi ka vlera të jashtëzakonshme kur arrin kulmin e harmonizimit të konceptit të ndërvarësisë. Ne shqiptarët, kemi më të përpunuar konceptin e pavarësisë, sepse akoma, në fakt nuk kemi  përfunduar luftën  për pavarësi, kur në modën bashkëkohore është më i suksesshëm dhe më produktiv, koncepti i ndërvarësisë, i cili ka të bëjë me konceptin e punës në ekip. Puna në ekip është një koncept demokratik, ndërsa puna “sipas kokës tënde”, “kokës së liderit” është një koncept autokratik, monizmi, diktati, pra antidemokratik. Sigurisht që të punosh në ekip nuk është edhe e lehtë, ajo kërkon si të thuash një kompozicion të mirë, instrumentistë të përkryer dhe zotërues prefekt të veglës së tyre si dhe një  dirizhim harmonioz gjatë ekzekutimit. Atëherë si është zgjedhur ky ekip, a do fitojë zemrën e elektoratit, që varet nga besimi që ka në këtë skuadër për të realizuar fitoren? 

Këtu, sipas listës së paraqitur  kemi mjaft deputetë që përbëjnë ekipin politik të PS-së, për të cilët secili analizon atë që njeh. Unë do them diçka për një nga anëtarët e ekipit të PS-së z. Kokëdhima. 

E njoh prej kohësh, rreth dy dekada. E kam parë në fillimet e punës së tij si aktivist rinie, pothuaj mbas mbarimit të Universitetit me rezultate të larta dhe në një degë që kërkonte inteligjencë – atë të matematikës. Më vonë, me fillimet e demokracisë e njoha si biznesmen të përkushtuar dhe pasionant. Pavarësisht se nuk është në modë që të botohen CV-të e secilit kandidat për deputet [gjë që mendoj se duhet bëhet normë përderisa është normë kur kërkon një vend pune], unë  në bazë të njohjes time do i bëj një CV të shkurtër, por që mendoj se do ketë vlerë zgjedhëse  për  z. Kokëdhima. 

Ka mbaruar me rezultate të larta Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën e Matematikës. U zgjodh (jo u emërua) në krye të organizatës së Rinisë së një prej rretheve më të mëdhenj të Shqipërisë – Fier . Me ardhjen e Demokracisë,  me këmbëngulje ngriti dhe zhvilloi me përpjekje të panumërta, biznese të ndryshme në disa fusha si: në blerjen e pasurive të patundshme (me gjithë akuzat që i bëhen,  nuk ka as një dokument juridik vërtetues dhe duket se këto sulme janë në përputhje me thënien: pema që ka fruta qëllohet), në ndërtim, në sport, në media; ka mbrojtur me këmbëngulje moscenimin e pastërtisë së ambientit të territorit tonë nga interesa të dëmshme të të huajve, duke u bërë një barrikadë e fuqishme mediatike, ka mbrojtur dhe ka investuar mjaft në forcimin dhe zhvillimin e së majtës shqiptare, edhe si person, por edhe nëpër mediat e tij, duke bërë një politikë të fuqishme opozitare dhe aspak koniunkturale dhe konformiste.  Deri më sot, ai ka qenë një lojtar i denjë (edhe po të themi trajner i denjë – nuk jemi larg realitetit) i skuadrës së majtë progresiste që ka Shqipëria. Kjo, falë edhe historisë së tij fisnore si dhe traditave patriotike që ka treva e shtatë fshatrave të Bregdetit, ku z. Kokëdhima mendojmë se është një përfaqësues i denjë. Duke iu përmbajtur konceptit të ekipit, mund të them me bindje se z. Kokëdhima është një lojtar shumë i nevojshëm dhe i kudondodhur në këtë skuadër ku është renditur,  gjë që ja akordojnë aftësitë e tij intelektuale, menaxheriale, mundësitë e tij ekonomike si dhe eksperienca e gjatë që ka në fusha të ndryshme. As që bëhet fjalë se z. Kokëëdhima ka nevojë për PS-në në pikëpamje pragmatiste; më shumë mendoj se ka nevojë PS-ja dhe ekipi i saj për lojën e tij të zhdërvjellët politiko-ekonomike  dhe imagjinatën e tij gjithëpërfshirëse. Është shumë e rëndësishme të thuhet se modeli i një politikani që vjen nga biznesi, është  më shërbyes për vendin dhe popullin e tij se sa  një model i një biznesmeni që vjen nëpërmjet politikës. Modele të tilla si  z.Kokëdhima, që i janë futur politikës mbasi janë bërë “kapitalist” nuk mund të krahasohen me ata që kanë fituar ca para si politikanë dhe i lënë ato në bankat apo  në kazinotë e botës. Duke qenë se unë e rendis z. Kokëdhima si një lojtar politik të një skuadre elitë, nuk mund të lë pa thënë se për njerëz të tillë nuk duhet që  të mos jepet vota. Pavarësisht se z. Kokëdhima do ishte më mirë të futej më shpejt në politikë, sepse ka kapacitete kontribuuese, ndjehem i kënaqur që ai, nëpërmjet vendimit që ka marrë për të qenë pjesë e ekipit politik të PS-së, hapi një rrugë për më shumë kontribute dhe vlera në të majtën shqiptare, apo në popullatën e trevës ku do zgjidhet. 

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›