Çmimet për aktorët ndërthurje brezash
Edicioni i 10-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Apollon 2011” e mbylli siparin në skenën e Teatrit antik të Apolonisë. Një mbrëmje që u mbyll me shfaqjen e trupës së teatrit “Anton Pann”, Rumani, dhe ndarjen e çmimeve. Aktorja Margarita Xhepa mori çmimin si aktorja më e mirë protoganiste, po ashtu edhe aktorja greke Despoina Sarafeidou. Çmimin e aktorit më të mirë protagonist e fitoi aktori rumun Romul Moruan. Çmimin për aktorin dhe aktoren jo protagonist e morën Fatmir Xhelili i trupës së Fierit dhe Klea Konomi, vajza e aktores së njohur Hajrie Rondo. Festivali përveç gjallërimit të jetës kulturore-artistike u shndërrua në një shkollë ku u përcollën potencialet më të mira artistike dhe u shkëmbyen përvojat me trupave teatrale. Në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Apollon” u ngjitën në skenë 6 trupa teatrore nga Shqipëria, Greqia, Rumania dhe Kosova. Festivali u çel me komedinë “Dikush duhet të vdesë”, me regji nga Pëllumb Kullës, dhe u mbyll me shfaqjen e trupës nga Rumania. Në skenë gjatë ditëve të këtij festivali u ngjitën “Salla e banjës”, me regji të Inis Gjonit, një shfaqje që i dha dhe çmimin si aktorja më e mirë protagoniste Klea Konomit, si dhe shfaqja e Teatrit Metropol “Le të bëjmë seks”, me regji të Elma Dorezit. Nga trupat e huaja pjesëmarrëse në këtë festival ishin trupa greke me shfaqjen “Kasandra”, trupa me aktorët kosovarë përfaqësohet me teatrin eksperimental nga Estref Begolli, ndërsa në natën e fundit në skenën antike të Apolonisë u ngjit në skenë trupa rumune me shfaqjen “Uji i Havelit”. Në fund të Festivalit juria ndërkombëtare e përbërë nga regjisori rumun Goru Motok, regjisori dhe aktori shqiptar Alfred Trebicka dhe kritiku i artit Josfi Papagjoni dhanë çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë.