E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina, rikthehet frika e qumështit vrasës

Në disa rajone të vendit janë sekuestruar produkte me përmbajtje melanine

Dy vjet pas skandalit të qumështit të kontaminuar, në Kinë janë zbuluar sërish produkte qumështi me përmbajtje melanine. Në provincat Gansu dhe Qinghai në veriperëndim dhe verilindje të vendit, janë sekuestruar të paktën 76 tonë produkte, njofton agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua”. Qumështi përmban një sasi melanine rreth 500 herë më të lartë se kufiri i lejuar. Policia ka treguar se është e frikësuar se sasi të tjera të këtij qumështi janë shpërndarë në rajonet lindore të vendit, prandaj kanë nisur menjëherë hetimet për të shmangur një tjetër tragjedi si ajo e 2008-s. Sipas ekspertëve të ushqimit, qumështi mund të jetë prodhuar përpara vitit 2008, por nw vend që të ishte shkatërruar, është konservuar. Lënda kimike që përdoret për prodhimin e plastikës fertilizuese dhe mushamasë, simulon në qumështin pluhur një përmbajtje të lartë proteinash, i cili në pamje të parë mund të duket shumë i pasur me vlera ushqimore. Kimikati shtohet në qumësht për të kaluar kontrollet e cilësisë. Ai është helmues për organizmin, pasi çon në probleme shumë të rënda me veshkat, deri në vdekje. Kur shpërtheu skandali në vitin 2008, u alarmua i gjithë opinioni publik për përhapjen e gjerë të këtij problemi, ku u përfshinë shumë kompani vendase të prodhimit të qumështit. Pati protesta dhe ndalime në mjaft vende dhe Pekini garantoi kontrolle të ashpra me tolerancë zero. Tani rishfaqja e qumështit të helmuar në rajonet e varfra dhe të largëta të vendit tregon se problemi i sigurisë ushqimore është shumë larg zgjidhjes. Qumështi i helmuar vjen nga Hebei, provinca ku ishte prodhuar qumështi i vitit 2008. Për këtë problem, autoritetet dënuan në mënyrë ekzemplare përgjegjësit e katastrofës së dy vjetëve më parë, ku humbën jetën 6 foshnja dhe u sëmurën 300 000 të tjera. U dënuan me vdekje 2 veta dhe disa nga kompanitë prodhuese të shpallura fajtore u mbyllën. Ndërsa Pekini zyrtar ofroi dëmshpërblime minimale për familjet e vogëlushëve të sëmurë, shumë prej të cilëve me dëmtime që do i vuajnë për gjithë jetën. Familjet nuk kanë mundur të ngrenë padi për të marrë dëmshpërblimin, sepse gjykatësit në shumë rajone kanë refuzuar të merren me këtë rast, deri kur autoritetet nuk i deklarojnë të mbyllura siguritë e tyre mbi këtë çështje. Avokatë dhe aktivistë për të drejtat që asistonin këto familje janë kërcënuar. Pak ditë më parë, babai i një foshnje që humbi jetën në vitin 2008 për shkak të helmimit nga qumështi, tregoi në internet se pasi ngriti zërin për padrejtësitë e bëra u dërgua të bënte një vit punë të detyruar për shqetësim të rregullit publik. Më 2008-n, një sasi e madhe qumështi e kontaminuar u tërhoq nga tregu. Pjesa më e madhe e sasisë së qumështit të kontaminuar ishte konsumuar në vend, por një pjesë e mirë ishte eksportuar edhe drejt Tajvanit, Bangladeshit, Mianmarit, Jemenit, çadit dhe Burundit. Në pothuajse pjesën më të madhe të vendeve të botës u kryen kontrolle të imtësishme për të qetësuar konsumatorët se qumështi i konsumuar që vinte nga Kina nuk kishte përmbajtje melanine.

Në të vërtetë është shumë e gjatë radha e produkteve të dëmshme të prodhuara në Kinë. Në vitin 2007, mijëra kafshë, qen dhe mace në SHBA u sëmurën, disa edhe ngordhën, pasi iu dha ushqim i prodhuar në Kinë, që në përmbajtje kishte melaninë, të njëjtin kimikat të gjetur edhe në qumështin pluhur. Po ashtu vetëm një vit më parë, në prag të festave të fundvitit me mijëra lodra të prodhuara në Kinë u tërhoqën nga tregjet në SHBA, për shkak të shqetësimeve për produktet e përdorura. Analizat tregonin se ato ishin të infektuara me një kimikat toksik, të ngjashëm me plumbin. Vetëm pak muaj më vonë, një sasi e madhe karamelesh të ardhura nga Kina u tërhoq nga tregu në SHBA, pasi ishin gjetur në to copa të vogla metali.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›