Sllovakia: Shqipëria meriton liberalizimin e vizave, vendimi duhet të merret shpejt Meta dhe Lajçak

Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u prit sot në Bratislavë në një takim pune nga Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Meta e njohu homologun sllovak me arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, dorëzimin e Pyetësorit nga Kryeministri Berisha dhe përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave. Ai theksoi se Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave si një çështje dinjiteti dhe shprehu besimin se ky vendim do të merret së shpejti nga Bashkimi Evropian. Zv.Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, tregues i qartë i të cilave është dhe hapja reciproke e Ambasadave në Tiranë dhe Bratislavë. Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak shprehu vlerësimin e tij të lartë për arritjet e Shqipërisë në rrugën e reformave dhe plotësimin e të gjithë kritereve që kërkon liberalizimi i vizave. Ai u shpreh se Shqipëria e meriton vendimin për liberalizimin e vizave duke theksuar se ai duhet të merret shumë shpejt. Gjithashtu zyrtari lart sllovak konfirmoi mbështetjen absolute të Sllovakisë për integrimin e shpejtë të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.