Celibashi: Procesi zgjedhor pa probleme të rëndësishme, raportohen vetëm dy raste të izoluara në Cërrik dhe Vlorë që duhen verifikuar

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, deklaroi se procesi zgjedhor po zhvillohet pa problematikë të rëndësishme. Sipas tij, janë raportuar vetëm dy raste të veçanta, një në Cërrik dhe një në Vlorë.
Rasti në Cërrik, tha Celibashi, lidhet me sjelljen e një vëzhguesi, por duhet verifikuar nëse ai ka qenë vërtet vëzhgues apo një qytetar që sipas pretendimeve të një subjekti politik po patrullonte procesin e votimit. Lidhur me rastin në Vlorë ka pasur një situatë mes kryetares së qendrës së votimit dhe operatorëve lidhur me procedurat e votimit.
“Nuk rezulton të ketë pasur problematikë të rëndësishme gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor. Është raportuar vetëm për dy raste të veçanta, një në Cërrik dhe një në Vlorë. Rasti në Cërrik ka të bëjë me sjelljen e një vëzhguesi, por duhet verifikuar nëse ai ka qenë vërtet vëzhgues apo një qytetar që pretendon një subjekt politik se po patrullonte procesin e votimit. Nuk mund të konfirmohet ende saktësisht e vërteta.
Në një qendër votimi në Vlorë ka pasur një situatë mes kryetares së qendrës dhe operatorëve lidhur me procedurat e votimit, dhe KQZ po verifikon rastin.
Nga ana tjetër, pjesëmarrja në 5 bashkitë e monitoruara është më e lartë tek grupmosha mbi 65 vjeç”, tha Celibashi.
Celibashi theksoi se votuesit që ndodhen jashtë qendrave të votimit pas mbylljes së orarit zyrtar duhet të evidentohen në moment, dhe vetëm ata të regjistruar do të lejohet të votojnë. Askush tjetër pas orës 18:00 nuk do të ketë të drejtë vote.
“Nëse ka votues jashtë qendrës së votimi pas mbylljes së orarit zyrtar do të duhen evidentuar në atë moment dhe do i lejojnë të votojnë vetëm ata që do jenë pjesë e kësaj evidence. Askush tjetër pas orës 18:00 nuk do lejohet të votojë”, tha ai.
/rtsh.al/