E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovakia, e gatshme të lobojë për heqjen e vizave të Shqipërisë

Ministri i Jashtëm Ilir Meta takon në Nju-Jork homologët e tij sllovakë dhe malajzianë

Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork në kuadrin e pjesëmarrjes në Sesionn e 64-rt të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së,  më 25 shtator 2009, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta zhvilloi një sërë takimesh të veçanta me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak me Ministrin e Jashtëm  të Malajzisë, Datuk Anifah Aman.
Gjatë takimit me kolegun sllovak, krahas marrjes së konfirmimit të mbështetjes për Shqipërinë gjatë proçesit të integrimit evropian dhe liberalizimit sa më të shpejtë të vizave, Meta mirëpriti vendimin e qeverisë sllovake  për hapjen së shpejti të Ambasadës Sllovake në Tiranë dhe e ftoi Ministrin Lajcak që të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë  me rastin e çeljes së Ambasadës. 
Me Ministrin e Jashtëm të Malajzisë, Meta u ndal në ndihmën që ky vend mund të japë në lobimin me vendet e rajonit për njohjen e mëtejshme të shtetit të Kosovës. Më tej,  Zëvendëskryeministri Meta shprehu dëshirën për një prezencë sa më të madhe me investime të biznesit malajzian në Shqipëri.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Meta mori pjesë gjithashtu në veprimtari të karakterit shumëpalësh, si takimi ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ) dhe Takimi vjetor i Ministrave të Punëve të Jashtme  të Organizatës së Konferencës Islamike.
Në Komunikatën Finale të ministerialit të OKI-t u miratua midis të tjerash edhe një paragraf mbi Kosovën, në të cilin evidentohet qartë se, që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres të dukshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe ka krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe institucional, dhe se pavarësia e saj ka kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon. Po ashtu, ministrat e Jashtëm të OKI-së mirëpritën anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.
Më tej, ministri Meta mori pjesë së bashku me kryeministrin Berisha në pritjen vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, NAAC, ku ishin të ftuar personalitete të larta të politikës ndërkombëtare, midis të cilëve Presidenti Marti Ahtisaari,  Ambasadori Frank Wisner, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›