E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qamil bej Vlora, Rexhep Qosja dhe komunistët

30-11-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Qamil Vlora është i biri i Plakut të Vlorës, Ismail Qemalit. Rexhep Qosja, siç dihet, është miku i të gjithë enveristëve shqiptarë, përfshirë edhe i atyre që  nuk kanë lënë tmerre pa bërë në hetuesira, që të arrihet në ndëshkime me vdekje, me litar ose me pushkatim, jo se ishin fajtorë të pandehurit, por se kështu mund të  bëhej zap një popull i tërë,  dhe të dridhej foshnja në barkun e sëmës, - siç është një shprehje për të përcaktuar të gjithë sadistët e kësaj bote. Mjafton kjo, që të mos bëhet dot asnjë krahasim me Ahmet Zogun I, siç i ka zënë  xhelozia  “historianët” tanë. Enveri nuk e ka pas mohuar kurrë se ka qenë stalinist. Kjo donte të thoshte se s’e kishte për gjë që të përdorte édhe metodat staliniste. Në disa raste ia kishte kaluar edhe ustait të tij. Doemos që, sipas vetisë kalimtare të matematikës, edhe R. Qosja u pezmatua jo pak kur u bë destalinizimi. Është zgjedhja e tij. Por ajo që nuk i durojnë dot  shqiptarët e vuajtur është se ai, sa më shumë plaket, aq më posesiv bëhet.  Mundohet të diktojë mendimet e tij të ngurtësuara, që nuk kanë të bëjnë hiç fare me demokracinë, aq më pak me totalitarizmin shqiptar enverist. S’ka dyshim: Nuk janë assfare me aspiratat e komunitetit europian. Qosja  do të binte ndesh hap pas hapi me librin e Edi Ramës, që sapo do ta citojmë. Por, megjithatë, përputhet dhe është i ngjashëm me Edvinin, si dy pika uji, me librin e dytë, krejt të pangjashëm me librin e parë, sipas prirjes së tij të Haxhi pishmanit, domethënë sipas inkoherencës së tij të sëmurë. Në librin e tij dyautorësh, tw Edit, “Refleksione”, me shkrime që nisin nga janari i vitit 1991, për temën  tonë ka interes të veçantë, ajo me titullin “Liria nuk është e drejta e pakufishme për të vepruar”. Që ta kuptojë lexuesi më mirë titullin, po e përmbledhim në gjysmën e fjalëve: “Liria nuk duhet abuzuar”. Fjalë të bukura, por hipokrizí e madhe. Duket se ky përkufizim i ka djegur vetë autorëve, përderisa e groposën librin me duart e veta, duke e tërhequr, me anë të militantëve të tyre, librarí më librarí, e kioskë më kioskë!
Thuhet, në këtë shkrim, se autorët e “Refleksioneve” duhej të sqaronin në mbledhjen nismëtare të PD-së, në Qytetin Studenti, se “duhej sqaruar platforma e luftës së të paprekshmes Parti e Punës”. Kuptohet se këta të dy kishin ardhur për llokmën, për të rënë në sy me shprehje ekstremiste, ndonëse nuk ishin as autorë të programit të partisë së re.  Pra, “Përpara se të dilnim në Televizion, duhet të sqaronim në ishim ndonjë filial i Partisë së Punës, apo ndonjë parti opozitare që nuk bënte kompromise me Ramiz Alinë”. “Pëpara se të dilnim në Televizion, duhet të sqaronim në ishim ndonjë filial i Partisë së Punës, apo ndonjë parti opozitare që nuk bënte kompromise me Ramiz Alinë”. Por, amà, njëri prej këtyre  ndërhyrësve  u bë jo filial i Partisë së Punës, por Partia e Punës kokë e këmbë! Ishte Edvin Rama. Në librin e tij të vitit 2011, që nuk ka as kokë as këmbë, me titullin ekstravagant “Kurbani”, ku shkruan: “Jam njeriu i trasgresioneve (shkeljeve ligjore, - K.X.) dhe i provokacioneve! (F. 184). Në të vërtetë, ajo zallamahia e 21 janarit të vitit 2011, me paralajmërimin në datën 20 dhe me  synimin që të komprometonte zgjedhjet e 8 majit të atij viti kundër kandidaturës së Lulzim Bashës, ishte  édhe një shkelje ligjore, édhe një provokim! Jo vetëm katër orë e më tepër të qëlloheshin gardistët dhe forcat e rendit, por édhe dyfish kohë sakaq të duhej, me policët që vijonin të mbushnin spitalet dy-tri herë e më shumë se provokuesit, gjersa të dilnin në shesh viktimat e kësaj demonstrate “paqësore”, mitingu nuk do të mbaronte. Kohë kishte edhe të nesërmen! Megjithatë, mitingu nuk duhej të mbyllej, me një urdhër në celular. Provokimi duhej të arrinte synimet: Pas thyerjes së derës së hekurt të kryeministrisë, e kishte radhën dera e drunjtë. Pas së cilës, funksionarët e lartë përbrenda kryeministrisë, do të ishin në dorën e Allahut dhe të Baba Fetahut.
Por nuk jemi në këtë temë, ndonëse e vërteta është e qartë edhe me kaq; e nuk mund të fshihet prapa gishtit. Edi Rama e nisi si antikomunist fiktiv dhe e bitisi si komunist i zijafeteve të 16 shtatorëve, në Pezë. Si inkoherent me damkë, bën sikur shqetësohet me politizimin e fëmijëve të shkollave nëntëvjeçare. Nuk u dashka folur për shkollat e reja përpara nxënësve, për kompjuterizimin në të gjitha klasat e këtyre shkollave. Por nuk na qenka skandaloze që këta nxënës, të së njëjtës moshë, të gdhiheshin në Pezë, me fotot e Enver Hoxhës nëpër duar. Veteranët e Smokthinës që e kishin dënuar Edin me vdekje, tanimë ishin bërë mjaltë e qumësht dhe shishet e rakisë së Skraparit, ndiqnin njëra-tjetrën. Por vajzat e mitura e gjenin dermanin duke u... droguar! Ja një fizionomí tjetër e këtij edukatori të brezit të ri. “Antologjia” me tregimin e E. Ramës “Hiqi brekët, Ina!”, është aty, si një provë se çfarë edukatori është ky, që na qahet se po na çedukohet mosha e mitur! (Ina është nxënëse e shkollës, tetëvjeçare, as nëntëvjeçare jo, në atë kohë!).
***
Tani vijmë në lidhjet e ngushta të Rexhep Qoses me Edi Ramën. Në vigjilje të zgjedhjeve vendore të 10 majit 2011, na doli një revistë njëditore, e ilustruar më së miri dhe e shpërndarë në dyert e qytetarëve shtëpi më shtëpi por edhe apartament më apartament, në pallatet. Kuptohet, gratis. Edvini ka pare gjithmonë për propagandë vetjake, paçka se është fukará! Ajo që të tërhiqte vëmendjen, qé një artikull i gjatë me fotot vargan, që bënte propagandë për mikun e ngushtë, Rama, me jeshillëqe me pëllëmbë katrore nëpër qoshet e ministrive dhe me fantazira për pastërti ajri (sikur makinat të ishin me bateri, jo me dizel!).  Nuk shiheshin autoambulancat nëpër rrethoren e ministrive, që ecnin me hapa breshke përreth atij grumbullimi dherash, të lëna pirg prej kohësh, makina të cilat nuk arrinin dot në spital, me pasojë vdekjen e pacientëve. Nuk shihej sahati i madh i kryeqytetit, qorr, kur çdo kishë, sado e vogël në Perëndim, ka sahatet e saj të përpiktë. Nuk shiheshin gropat në rrethoren e ministrive, falë të cilave mjaft vetura përfundonin në servis, për prishje amortizatorësh. Më vonë dolën një seri rrugësh të kryeqytetit, që shndërroheshin në përrenj pas shiut të parë, se bëheshin me kanalizime sa për të thënë; rrugët kërkoheshin thuajse pa pare, si në kohën e Enverit, me punë vullnetare!
Për t’i rënë shkurt këtij muhabeti: Pas jo më shumë se dy vitesh, Tirana e Edit do të përfytyrohet  si një fshat përkundrejt Tiranës së kryebashkiakut të palodhur, Lulzim Bashës! Në retorikën boshe të Edvinit, atëherë do të dalë në sipërfaqe demagogjia zhurmëmadhe e “Kurbanit” me kulmin e megalomanisë që është përqendruar në faqen 83  me fraza që ulja e kriminalitetit i detyrohej transformimit estetik, me ato llangosjet me bojëra në blu të errët në të zezë, për të cilat kryearkitekti- estet dhe poet  Petraq Koleveica kishte shkruar për bojatisjet e Edit, të cilat nuk ishin më shumë se shëmtira të neveritshme! Por duket se Rexhep Qosja paska sytë daltonikë (që nuk i shohin të gjitha ngjyrat) si të Ramës, i cili nuk u bë kurrë piktor, sepse i mungon sensi estetik...
Sa për njollën që i vuri vetes Rexhep Qosja me të ashtuquajturin Pajtim Kombëtar, kjo mund të shkruhet fare shkurt, se është paraqitur mjaft herë në gazetën “55”. Ai bashkoi vërtet ish-të përndjekurit politikë për Pajtim me të majtët, një pjesë e të cilëve e majtë ekstremë. Ata të cilët morën përsipër të falnin, u vunë në bisht të tavolinës dhe  bënë sikur nuk e vunë ré këtë shpërfillje. Por, në mënyrë të qetë, ata – si fillim – kërkuan që pala që do të falej të shfaqte pendesën për krimet e Enver Hoxhës dhe të komunizmit. Qé e tepërt? Nëse do të ishte e tillë, atëherë nuk duhej të formulohej edhe një rezolucion nga KE-ja e BE-së, për ndëshkimin e krimeve të komunizmit. Veçse as që donin t’ia dinin, as disa prej mëkatarëve në atë tryezë., por as edhe vetë kryetari i tryezës, Rexhep Qosja. Përfundimi? Ish-të përndjekurit politikë ua lanë tryezën me gjysmën e pjesëmarrësve dhe u larguan nga salla! Ja, “pajtimi” i Rexhep Qoses! Më së fundi, nuk mund të pritej më shumë nga një individ që, në zgjedhjet në Kosovë, kishte fituar 0,5 % të votave, domethënë asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës! Ia vlen të shënohet se Ahmet Zogu I bëri vërtet Pajtim Kombëtar. Një ndryshesë tjetër, veç të tjerave.
Duke përfunduar, le t’i japim një përgjigje “historianëve” të të dy sistemeve, me atë sloganin  e tyre që u bë si një lajtmotiv, se “po na zbehet figura e Ismail Qemalit!”. Djali më i ri i Ismail Qemalit ishte njohës i dhjetë gjuhëve të huaja. Ishte dekoruar nga presidenti i Francës, Gaston Doumergue, me dekoratën “Chevalier de la Legion d’Honneur”. Nga qeveria shqiptare, më 1928 kishte marrë dekoratën “Kavalier i Urdhrit të Skënderbeut”.
Pas ardhjes në pushtet të komunistëve, shkruan Darling Vlora, “iu kërkua bashkëpunimi me ta, gjë të cilën ai kurrë nuk mund ta pranonte”. Në burg sëmuret nga tuberkulozi (prill 1948) dhe pas dy vitesh vdes në mjerim të plotë, më 15 dhjetor 1950, Darling Vlora, i kësaj familjeje, shkruan në librin e tij “Ismail Qemal Vlora, Paraardhësit dhe pasardhësit”  për letrën që i kishte dërguar familjes, më 9.2.1950, nga sanatoriumi-burg, Qamil Vlora: Ismaili im i dashur. Gjithë jetën time u përpoqa që ju, të dy djemtë e mi, të jeni të kënaqur dhe të lumtur dhe të mos kuptoni mizeriet morale dhe materiale të kësaj (aluzion me finesë kundër gjendjes kritike të kohës – D.V.) jete. Besoj se deri diku dhe, megjithëse nuk disoponoja pasuri, ju rrita me përkëdhelje dhe, nëmos më mirë, por të paktën baras me shokët tuaj, më të favorizuar mbase në situata. Tashti që u plaka dhe për fat të keq më preku një sëmundje që s’ka mëshirë, nuk jam në gjendje të përpiqem, por vetëm uroj dhe lus që të jeni të lumtur. Por diçka më thotë se ti, more djali im i shtrenjtë, nuk je mirë dhe je, përkundrazi i mërzitur. Më vjen keq se nuk jam afër teje që të të ngushëlloj dhe të kalmoj me këshillat e mia. Por me anën e kësaj letre dua të të them se je mjaft i pjekur nga mosha për të kuptuar se bota nuk është fushë lumturie por, si i thonë fetarët, “Une vallée de larmes et de misère” (një luginë lotësh dhe mjerimi)  dhe se njerëzit nuk janë si i idealizojmë ne, por janë të shtyrë nga pasionet e tyre. Kështu, duke ditur këtë fakt, duhet të forcohemi për t’i bërë ballë gjendjeve dhe ngjarjeve që na rezervon fati...”.
“...Duhet të forcohemi”, në vetën e dytë shumës, nuk është lapsus. I ati, në prag të vdekjes, ngushëllon të birin për humbjen e babait, sikur të ishte një person i tretë! Vërtet e dhimbshme. Komunistët duhet të kenë turp të mashtrojnë për tema të tilla...  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›