Sllovenia premton ratifikimin e anëtarësimit të Shqipërisënë NATO seancën e së hënës

Interesimit të gazetarëve rreth shtyrjes së votimit nga Parlamenti Slloven të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli i është përgjigjur e sigurt rreth ratifikimit, pas një bisede telefonike të zhvilluar me Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Pavel Ganda. Topalli u shpreh se Ganda e kish siguruar se nuk kishte asnjë arsye për të pasur shqetësim. Kryetarja e Kuvendit siguroi se nuk ekziston asnjë problem, pasi tri ditë përpara, të gjithë Kryetaret e Grupeve Parlamentare e kanë mbështetur votimin e Protokollit të NATO-s mes Shqipërisë dhe kësaj Aleance. Topalli deklaroi më tej se “Unë besoj se të hënën në një votim të shkurtër, që kërkon dy të tretat e votës së deputetëve të këtij Parlamenti, do të votohet Protokolli”. Topalli sqaroi se sipas zotit Ganda “gjithsesi javën e ardhshme është e sigurtë. Pavel Ganda, më tha se me shumë probabilitet, të hënën do bëhet ky votim. Me Shqipërinë ne nuk kemi asnjë problem , kështu që duhet të jemi të gjithë bashkë shumë optimist”, tha Kryetarja e Kuvendit. Kryetarja Topalli bëri të ditur se “Mbeten vetëm Islanda, Portugalia, Greqia dhe Franca që duhet të bëjnë këtë ratifikim në Senat me 4 shkurt. Është një kohë rekord, në të cilën Shqipëria dhe Kroacia po mbyll një ndër proceset e saj më të rëndësishme, në mënyrë që në Strasburg me rastin e 60 vjetorit të kësaj Aleance, ne ta shohim veten anëtare, si rezultat i mbështetjes dhe besimit në reformat tona”, përfundoi Topalli.
...