Fakti/Shqipëria meriton të jetë anëtare e BE-së, Suedia mbështet politikën e zgjerimit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka pritur dje në një takim Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Per Westerberg. Gjatë takimit me Topallin, kryeparalamentari i Suedisë është shprehur se “Shqipëria është pjesë e Evropës dhe ajo meriton të jetë pjesë e BE-së”, u shpreh Westerberg. Suedia merr Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në korrik të këtij viti. Vizita e zotit Per Westerberg, është e para vizitë e një Kryetari të parlamenti të Suedisë, duke shënuar kështu hapjen e një etape të re në marrëdhëniet mes dy parlamenteve dhe dy vendeve. Duke u ndalur tek politikat e jashtme të vendit të tij, Westerberg deklaroi se “të gjitha partitë politike në Suedi, mbështesin politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe kjo do të reflektohet gjatë presidencës sonë të BE-së në 6-mujorin e ardhshëm”. Duke vlerësuar arritjet që vendi ynë ka bërë, Westerberg deklaroi se “Shqipëria ka ecur shumë përpara dhe ka bërë transformime të mëdha. Është tashmë e qartë se, Shqipëria dhe Ballkani po shohin drejt së ardhmes”. Në kuadër të anëtarësimit në BE, Topalli u shpreh se “vizita juaj e gjen Shqipërinë në mbyllje të fazës së ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare të BE-së, ndërkohë që, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, po ecim në mënyrë të përshpejtuar me ratifikimet protokollit nga vendet anëtare të Aleancës, me optimizmin për anëtarësim të plotë në NATO në Samitin e ardhshëm”.
...