E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sms-të që rrjepin xhepat e qytetarit!

Inxh. Arben Këlliçit i erdhi në aparatin e tij celular një “sms ofertë” nga Vodafone, i cili i thoshte se mund të bëhej pronar i një apartamenti, autoveture, apo një viti kohe bisedë falas, sigurisht nëse do bëhej pjesë e një loje sms-sh!

Zotëria në fjalë i prirur ndaj natyrës enciklopedike, pasi e lexoi me vëmendje sms-në dhe bëri llogaritë përkatëse, pranoi të ishte pjesë e lojës duke shpresuar se mund të bëhej edhe fitues.

Kështu, ai arriti të mblidhte 25.690 pikë dhe paskëtaj të reflektonte për mungesën e informacionit të nevojshëm nga ana e organizatorit të lojës në lidhje me kufirin maksimal të pikëve të cilat do ta bënin fitues!

Inxh. Këlliçi vendosi ta ndërpresë lojën dhe filloi të pyeste operatorin sa lekë kishte harxhuar! Për çudi nuk gjente përgjigje! Pas disa ditësh, ai mori vesh se fatura e tij kishte plotë 10.800 lekë shpenzime vetëm për “lojën”!

I bindur në të drejtën e tij legjitime dhe në mënyrën krejt abuzive të lojërave të tilla publike, inxh. Arben Këlliçi i ka shkruar për t’i dalë në mbrojtje si Entit Rregullator të Telekomunikacioneve (ERT) në Tiranë, ashtu edhe Institucionit të Avokatit të Popullit.

Fjala e urtë “Të vjedhësh ditën për diell”

Është çudi, por në kulturën tonë të përgjithshme besohet akoma se mund të vidhet vetëm natën! Populli ka nxjerrë fjalën e urtë “Të vjedhësh ditën për diell” dhe kjo sigurisht duke iu referuar rasteve të cilat ndodhin rrallë dhe padyshim duke iu referuar vjedhjeve të tipit dorën në xhep të tjetrit apo vjedhje në banesën e tjetrit!

Por, sot në ditët e internetit masiv, pagesave “online”, shërbimeve televizive pa fund të duhet më shumë kujdes “ditën me diell” se “na natën pa hënë”! Tashmë nuk është më koha e komunikimit të letrave të dorës dhe dërgimit të tyre me postë! Ndaj edhe fjala e urtë për këtë arsye rezulton disi e harruar!

Sot vjedhjet më të mëdha janë ato elektronike, të cilat u ofrohen njerëzve si lojëra, dhurata, reklama etj. Shumë prej tyre deri diku janë, ose mund të jenë të “ligjshme”, ndonëse pa dyshim abuzive! Cila është ndarja “magjike” midis ligjit dhe abuzimit, këtë duhet ta përcaktojnë instrumentet kompetente të shtetit.

Në këtë kategori mund të renditen edhe sponsorizimi pa fund i emisioneve të ndryshme të cilat mund të kritikojnë këdo dhe kurdoherë, përveç sponsorizuesve të tyre, por kjo është temë më vete...!

Reagimi qytetar për rastin

Pa dyshim që sot koha dhe raportet e individëve me shtetin dhe të tretët kanë ndryshuar shumë që nga koha e fjalës së urtë të sipërpërmendur! Kundër këtyre fenomeneve negative “moderne” nuk duhet të reagojë vetëm shteti, por të gjitha instrumentet e mundshme të cilat nuk duhet vetëm formalisht të ekzistojnë.

Për rastin konkret, Shoqatat e Konsumatorit, por një gjë e tillë pa dyshim duhet nisur nga individi i dëmtuar dhe ne e kemi tashmë një shembull konkret të ligjit dhe qytetarit që kërkon zbatimin e tij.

Për rastin, ligji përkatës e do që tarifat e miratuara nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve (ERT) nuk duhet të kalojnë shifrat nga 18 – 20 lekë për sms, ndërkohë që “sms-ja” e lojës në fjalë paracaktonte çmimin prej 120 lekësh!

Me të drejtë inxh. Arben Këlliçi, duke iu referuar ligjit përkatës, i cili sanksionon faktin se këta organizatorë në rast të ndryshimit të tarifave të licencuara duhet të njoftojnë autoritetin përkatës (ERT) 60 ditë para aplikimit të tyre, i kërkon këtij të fundit një përgjigje dhe asistencën e nevojshme.

Po i njëjti qytetar duke iu referuar një neni të caktuar të këtij ligji, i cili paracakton gjithashtu edhe faktin se i autorizuari duhet domosdoshmërisht që nëpërmjet të gjitha mjeteve të komunikimit të mundshme të njoftojë edhe konsumatorët për këtë ndryshim, të paktën 15 ditë përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja, beson se një gjë e tillë nuk është bërë si duhet, ose aspak! Ai tashmë zyrtarisht për këtë situatë kërkon një përgjigje nga autoritetet kompetente dhe duhet përgëzuar për këtë.

A duhet të reagojë ERT-ja?

Personalisht, besoj apriori se si inxh. Arben Këlliçi janë edhe shumë qytetarë të tjerë të cilët kanë rënë pre të këtyre lojërave të cilat bëhen pa dyshim publikisht nga organizatorë të veçantë, të cilët pa dyshim kanë marrë një licencë të caktuar për aktivitetin e tyre.

Personalisht, besoj se bërja publike e letrës, që inxh. Arben Këlliçit ia ka dërguar ERT-së dhe Avokatit të Popullit, duhet të marrë një dimension më të madh se kaq. Tashmë, kemi të bëjmë me një fenomen i cili duhet kontrolluar vetëm me kufijtë e ligjit.

Po ashtu, personalisht nuk mund të gjykoj asnjërën nga palët! Por, mund të kujtoj këtu se së fundi z. Sokol Olldashi, Ministër i Transporteve dhe Telekomunikacionit, në një seancë parlamentare duke denoncuar çmimet e larta të këtyre shërbimeve telefonike në Shqipëri, premtoi tarifa të reja dhe më të drejta.

Kjo vërteton parimisht pozicionimet abuzive të kompanive përkatëse ndaj konsumatorit shqiptar. Kështu, besoj gjithashtu se, nëse Enti Rregullator i Telekomunikacioneve (ERT) pa dyshim për të qenë në lartësinë e përgjegjësisë së ministrit të tij, duhet ta asistojë inxh. Arben Këlliçin në të drejtën e tij. Le të presim dhe le të shohim gjithashtu...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›