Uidhers mohon akuzat e kongresmenit Uaksman
Ambasadori i SHBA-së ka mohuar në mënyrë kategorike dyshimet e hedhura nga një komision i Kongresit, për një përfshirje të tij në mbulimin e skandalit të mashtrimit me fishekët që transportoheshin nga Shqipëria në Afganistan. “Ambasadori Uidhers është në dijeni të pretendimeve të paraqitura në letrën e 23 qershorit nga Përfaqësuesi i Kongresit, Henri Uaksman, drejtuar sekretares së Shtetit, Rajs. Ai po studion përmbajtjen e letrës dhe, sapo ta ketë mbaruar këtë, do të përgatisë një përgënjeshtrim të plotë të çfarëdo lloj pretendimi kundër Ambasadës së SHBA-së apo atij vetë”, - thuhet në reagimin zyrtar të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Përfaqësuesi i Kongresit, Henri Uaksman, e akuzon ambasadorin se ka pranuar gjatë një takimi me ish-ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që të hiqnin nga Rinasi gjurmët që tregonin se armatimi që po blihej nga SHBA-ja për Afganistanin ishte prodhuar në Kinë. Zhdukja e gjurmëve do të bëhej para vizitës së një gazetari të “Nju Jork Times”, që po hetonte mbi tregtinë e armëve për Afganistanin. Ndërkohë përmes një deklarate për shtyp të zyrës së Ambasadës së SHBA-së, pasditen e djeshme, bëhet me dije se “siç ka thënë publikisht shumë herë, ambasadori beson në mënyrë të palëkundshme që një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta”. Po kështu, në deklaratë thuhet se “ai e përdor këtë parim në mënyrë të barabartë si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj të tjerëve, me dijen absolute që faktet mbi këtë çështje, të paraqitura plotësisht, do të shpërbëjnë cilindo dhe çdo pretendim të ngritur kundër tij, stafit të tij, apo qeverisë së tij”. Departamenti i Shtetit gjithashtu ka lënë të kuptohet se nuk i beson akuzat, por kanë deklaruar se ata do të hetojnë në lidhje me takimin e përfolur mes ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu dhe ambasadorit Uithers. Atasheu i Ushtrisë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Majori Lerri Harrison II, i tregoi komisionit të kongresit për këtë takim, duke referuar gjithashtu se gjatë këtij takimi ishte vendosur që gazetarit të “Nju Jork Tajms”, i cili po hetonte në lidhje me problemet në zbatimin e kontratave të Pentagonit, t’i fshiheshin provat. Harrison citohet të ketë thënë në letër se gjatë takimit që zgjati deri në vonë në darkë, Mediu ka telefonuar një nga drejtuesit e ushtrisë shqiptare dhe e ka urdhëruar të heqë shenjat që tregonin se armët ishin kineze. Ndërkohë kongresi ka publikuar edhe një shkëmbim e-mail-esh mes stafit të ambasadës, kur punonjësit e kësaj të fundit shprehen se hetimi i “Nju Jork Tajmsit” kishte “shqetësuar” ambasadorin. “Ambasadori është shumë i shqetësuar për këtë çështje”, - citon “Nju Jork Tajms” në një nga e-mail-et. Në letrën dërguar sekretares së Shtetit Kondoleza Rajs, Presidenti i Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës, Uaksman, kërkon të marrë në pyetje personelin e Ambasadës në Tiranë në lidhje me këtë çështje.