Çamët, të trajtohen si çdo shtetas grek
Mos prisni që unë të lëshoj nga goja fjalë që duan të provokojnë keqardhjen tuaj. Por unë dua të provokoj vëmendjen tuaj;
Do të doja të nxis reagimin e dinjitetit tuaj.
Do të doja të nxis veprim politik të arsyeshëm, që ka vetëm një synim:
Drejtësi për ata mijëra të mbijetuar nga genocidi i pranverës së ’44-ës deri në pranverën e ’45-ës, për pasardhësit e tyre, që janë me qindra mijëra, e që politika prej shume kohësh përpiqet t’i përdorë në rast zgjedhjesh...
Por, së pari më lejoni të shpjegoj arsyet e kësaj ndërhyrjes time, jo mbi argumente që studiues, të cilët vijnë nga kjo popullsi martire kanë dhënë me shumicë, por mbi argumente të dhëna nga studiues të paanshëm amerikanë, anglezë, madje dhe vetë grekë, studiues grekë të arsyeshëm.
Po i kthej përgjigje pyetjes kryesore. Pse në fund të Luftës së Dytë Botërore, njësitë nacionaliste të Zervës menduan të shfarosnin të gjithë popullsinë shqiptare myslimane të Thesprotisë së sotme?
Pse ata, që menduan se fituan luftën, e konsideruan normale që të shfarosnin, të përzinin nga toka e të parëve të tyre, rreth 30 mijë bashkatdhetarë tanët, të cilët popullonin viset e Çamërisë? Të kishin si plaçkë lufte qindra mijë hektarët tokë të tyre, miliona rrënjë ullinj, depozitat e tyre bankare, gjithçka?
Për ta bërë këtë ata nuk u ndalën as para masakrave të tmerrshme. Donin madje të shtyheshin dhe më: të merrnin gjysmën e Shqipërisë, sepse ishte Vorio Epir.
Mbi 2970 vetë, jo thjesht të rinj, por kryesisht pleq, gra dhe fëmijë, u vranë, qindra gra të tjera u përdhunuan në kampet famëkeqe greke në kufi me Shqipërinë, e pjesa që mbeti u përzu në disa valë drejt Shqipërisë, që posa kishte dalë e rrënuar nga lufta. 2430 vdiqën rrugës dhe pothuajse 30 mijë çamë mbërritën të dërrmuar në Shqipërinë e varfër.
Këto janë të dhëna të Misionit Anglez në ndihmë të njësive greke të Zervës, që nuk arritën të ndalonin masakrën. Drejtues të këtij misioni kanë pranuar në vitet e fundit të jetës, në librat e tyre me kujtime, masakrat e kryera egërsisht në kurriz të shqiptarëve myslimanë të Greqisë dhe indiferencën e tyre.
Të dhënat e këtyre librave mbështeten dhe nga shefi i Misionit Amerikan në vitet e para pas çlirimit në Shqipëri, Xhakobs, i cili vizitoi kampet e mbushura me çamë në kufirin e Shqipërisë: “Autoritetet greke kanë shumë t’i shpjegojnë botës për përzënien e mbi 20 mijë çamëve nga tokat e tyre, kryesisht pleq dhe fëmijë”, - tha ai. Në të njëjtën linjë me të ishte dhe ndihmësatasheu ushtarak amerikan në vitet ‘45-‘46, Uilliam Mek Nill.
Por nuk janë vetëm të huajt që flasin, por dhe vetë grekët. Lexoni autorët si, Elefteria Manda, Jorgos Margaritis, që krahason dëbimin e çamëve nga Greqia me atë të hebrenjve, duke i konsideruar dy komunitetet si “bashkëkombasit e padëshiruar”. Pyesni për një aktivitet universitar në Athinë, që iu kushtua çështjes çame me sens realist pikërisht në 16 shkurt, një ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Dikush mund të thotë: “Pse ne sot duhet të merremi me diçka me karakter historik? Pse ne duhet të helmojmë klimën miqësore të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë?”
Si anëtar i një partie politike, që ka bërë shumë për forcimin e këtyre marrëdhënieve, mendoj se kam të drejtë megjithatë të kërkoj që, këto marrëdhënie të vendosen përfundimisht mbi baza dinjiteti. Komshinjtë kanë të drejtë t’i marrin borxhe njëri-tjetrit, ata mund të kenë dhe histori konflikti me njëri-tjetrin, por sot duhet të jenë në paqe dhe duhet t’i shlyejnë borxhet e historisë, nëse nuk i falin me marrëveshje. Shqipëria e sotme nuk është Shqipëria e dalë nga konflikti civil i 1997-ës, por një vend që ka marrë ftesën për NATO.
Pretendimet për gjoja helmim të marrëdhënieve, nëpërmjet ngritjes së kësaj çështjeje, i kanë të gjithë ata, që duan të na kompleksojnë; të gjithë ata, që ngrenë gjoja shqetësimin se Greqia do të reagojë duke përzënë emigrantët, te cilët mbajnë në këmbë ekonominë shqiptare. Unë nuk e besoj këtë përrallë. Ka kaluar koha e përzënieve masive. Greqia e sotme nuk është Greqia e djeshme, por dhe ekonomitë tona janë aq shumë të ndërvarura nga njëra-tjetra, sa një veprim i tillë as që mund të mendohet.
Ne duhet jo thjesht të flasim apo të organizojmë përkujtimore, por dhe të veprojmë, brenda normave të së drejtës ndërkombëtare dhe rregullave të fqinjësisë së mirë.
Ne duhet të flasim, pra të mos heshtim për një çështje kaq madhore si kjo, aq më shumë pse për këtë çështje flasin të tjerët, madje dhe grekët. Duhet ta bëjmë këtë që tani, duke e konsideruar si një çështje të shtruar për zgjidhje.
Unë nuk po flas për rivendikime territoriale. Unë po flas për drejtësinë që autoritetet e vendit fqinj dhe mik duhet të japin në favor të ish-shtetasve të tyre me kombësi shqiptare. Atyre, që kërkojnë që ne të harrojmë, më duhet t’u them: Jo!
Nuk është thjesht amaneti i atyre, që u vranë barbarisht, i atyre që vdiqën në Shqipëri pa parë dhe një herë të vetme vatrën stërgjyshore.
Nuk është çështje sentimentale, por çështje drejtësie. Siç mund ta dinë ata që kanë minimum kulture juridike, krimi i genocidit është i paparashkrueshëm. Dhe ajo që ndodhi mbi pjesën myslimane të popullsisë çame të Greqisë i kishte dhe i ka të gjithë elementët e genocidit, sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Genocidit të vitit 1948.
Unë nuk propozoj të procedojmë Greqinë për genocid në Hagë. Por, ne kemi të drejtë të kërkojmë ndjesën e Greqisë për këtë vepër genocidale dhe pastrimi etnik.
Ne nuk mund të dëgjojmë prej atij, që na mori pronat, këshilla për t’iu drejtuar gjyqit ndërkombëtar.
Ne nuk mund të pranojmë arsyetimin, se gjithë popullsia çame ishte bashkëpunëtore e fashizmit. Ka plot autorë grekë dhe të huaj, janë diplomatët amerikanë, si ambasadori Mkweagh i viteve të luftës, që thonë se çamët nuk i shërbyen Italisë pushtuese, duke e zhgënjyer atë. Ka plot prova të luftës së partizanëve çamë në njësitë partizane mikste, e siç del dhe nga shtypi i kohës, ka shumë dëshmorë të rënë për liri.
Ne nuk mund të pranojmë sot arsyetime banale se gjithë popullsia çame ishte bashkëpunëtore me fashizmin. Madje më vjen keq se arsyetime të tilla i përcjell dhe ndonjë përfaqësues i organizatave politike të grekëve të minoritetit. Këta përfaqësues, që jetojnë mes nesh, pra popullit shqiptar, e që asnjëherë nuk kanë provuar diskriminim të ngjashëm si të çamëve, nuk kapërcejnë me pozicionin e tyre, as grekët e arsyeshëm, as të huajt e paanshëm, por kanë qëndrime të pjesës më ekstremiste të politikës greke. Vërtet tragjike!
Dikush prej tyre mund të thotë se ka prova, se ka vendime gjykatash në dëm të çamëve. Ne nuk mund të pranojmë vendime gjykatash farse, si ato greke të Janinës së vitit 1946, që dënoi në mungesë me vdekje fiks dy mijë vetë, gati nga një për familje, madje duke përfshirë dhe fëmijë.
Ky gjyq është i pavlefshëm, sepse ai u parashkrua po nga ligjet greke.
Ky gjyq fars, që dënoi kolektivisht një komunitet të tërë, nuk ka vlerë, sepse aktet e tij janë zhdukur nga autoritetet greke, siç tregojnë dokumentet në arkivat tona. Por mbi të gjitha, askush prej çamëve që ka mbijetuar, nuk ka frikë prej atij vendimi. Çamët duan të kthehen të vendosin një tufë me lule në varret e të parëve të tyre.
Por çamët nuk duan thjesht të bëjnë një vepër humanitare.
Çamët kërkojnë që për ta të jenë të vlefshme ligjet greke të viteve ‘72 dhe të viteve ‘80, që u njohin të drejtën të gjithë atyre shtetasve grekë të larguar pas luftës për arsye politike, pra qofshin bashkëpunëtorë të pushtuesit, qofshin ish-komunistë, të kthehen në Greqi. Këto ligje përjashtojnë ata, që nuk janë me kombësi greke. A ju duken normale ligje të tilla, nga një vend që pretendon se është shumë më përpara nesh në standarde demokracie?
Nuk është kohë heshtjeje, por veprimi diplomatik. Ne nuk i kemi borxhe Greqisë, madje jemi treguar shumë zemërgjerë. Kemi hapur tregjet tona për kompanitë e tyre; në krye të kishës sonë ortodokse kemi një shtetas grek, që do të bëhet shtetas shqiptar; jetojmë në vëllazëri me minoritetin grek këtu. Por ne duam drejtësi, qoftë dhe të pjesshme, për vëllezërit tanë, baballarët e vrarë egërsisht në fund të luftës së dytë botërore.
Për ta mbyllur, kam zgjedhur disa fjalë nga një artikull i diplomatit të famshëm amerikan, John Bradley Kiesling, këshilltar politik i ambasadës amerikane në Athinë, duke iu referuar çamëve: “Çamët nuk janë krijime kolektive të perversitetit apo irredentizmit ballkanik. Ata janë qenie njerëzore të identifikueshme me dëshirën për trashëgiminë personale të nënkuptuar prej këtij identiteti. Ashtu si grekët nuk kanë harruar dhe nuk harrojnë kurrë asnjë centimetër katror të tokës greke apo një paragraf të vetëm të historisë greke, të njëjtën gjë duan të bëjnë dhe fqinjët e tyre që kanë shumë më pak apo asgjë për të humbur. Greqia si fituese e luftës duhet të jetë bujare, ndërsa fqinjët e saj jo”. Dhe më në fund, diplomati amerikan, mik i përbashkët i shqiptarëve dhe grekëve sugjeron: “T’i ofrosh çamëve një vend më dinjitoz në historinë e Greqisë është një hap i vogël, i realizueshëm drejt shndërrimit të Greqisë, në një pozitë më bindëse si metropol i një Ballkani më paqësor dhe më të begatë. Dhe akoma: “Derisa të plotësohen kërkesat e bashkësisë çame, asnjë politikan shqiptar nuk do të mundë të përfitojë maksimumin e përfitimit politik prej marrëdhënieve të mira greko-shqiptare”.
Nuk ishin fjalët e mia, por të diplomatit që deri para pak kohësh, përfaqësonte vendin, që përfundimisht u shndërrua në protektorin e shqiptarëve në Ballkan. Në një Ballkan që ka shumë probleme pa zgjidhur akoma.
Unë jam i bindur se zgjidhja e çështjes çame do të jetë vetëm në të mirë të marrëdhënieve shqiptaro-greke, si dy fqinj të mirë, që përveç historisë e vuajtjes së përbashkët në një Ballkan të trazuar, kanë dhe dy ura të fuqishme lidhëse: komunitetin çam dhe minoritetin grek...