E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet pësojnë rritje në fillim të 2008-ës

Megjithëse një valë e re e rritjes së çmimeve për produkte të caktuara, kryesisht të artikujve ushqimorë, vihet re në tregjet e vendit, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e parë të vitit 2008 ka pësuar rritje, njoftoi Instituti i Statistikave (INSTAT). Ky indeks arriti 160.5 për qind, kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 25.2 për qind. Krahasuar me tremujorin paraardhës indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur me 4.6 për qind. Shqiptarët kanë shpenzuar më shumë këtë periudhë për blerje librash dhe artikuj industrialë. Indeksi i volumit në grupin “Libra, gazeta, artikuj shkollorë dhe të tjera industriale në dyqane të specializuara” gjatë këtij tremujori rritet me 40.1 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Artikuj të përzier kryesisht joushqimore në njësi tregtare jo të specializuara” indeksi i volumit të shitjeve është rritur 35.5 për qind në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin paraardhës. Në muajin mars indeksi në këtë grup shënon rritje prej 19.4 për qind, krahasuar me muajin shkurt 2008. Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve” indeksi i volumit të shitjeve nuk ka pësuar ndryshime, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Brenda grupit “Tregtia, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” në grupin “Tregtia me pakicë e karburanteve”, indeksi i volumit të shitjeve për tremujorin e parë 2008 rezulton me rënie, 5.8 për qind, krahasuar me tremujorin paraardhës, ku muaji mars rezulton me rënie 13.4 për qind krahasuar me muajin shkurt 2007. Ndërsa indeksi i punësimit në “Tregtinë me pakicë” në tremujorin e parë të këtij viti arriti 170.3 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky indeks është rritur 10.8 për qind. Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve” indeksi i punësimit arriti 157.4 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100) me rritje 0.5 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, bënë të ditur burime të INSTAT-it.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›