E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’njolloset procesi zgjedhor me megafonët e diktaturës

29-05-2011 / Redaksionale

Në një fabul të Ezopit shkruhet se “kur dhelpra nuk e kapi dot rrushin, tha se ajo ishte e pa bërë”. E njëjta fabul përsëritet kur dhelpra e regjimit Gramoz Ruçi, na tha se “Komisioni Qendror Zgjedhor ka manipuluar rezultatin e Tiranës, pasi në tabelën përmbledhëse kanë rezultuar 357 fletë votimi më shumë se numri i votuesve”. Krejt e pasaktë. Ai flet mbi bazën e tabelave paraprake, të paplotësuara nga numërimi i votave të kontestuara, që ishin janë të pa-numëruara, por të shënuara në procesverbale, pasi me konsensus të komisionarëve ishin lënë të shqyrtoheshin nga KZAZ nr. 49. Kësisoj pas numërimit vjen edhe ndryshimi i tabelave paraprake të KZAZ-së madhe, që kryet nga KQZ-ja. Mjafton marrja e listës së votuesve, tërheqjen e fletëve me dy vula dhe t’i krahasosh me fletët e numëruara dhe të panumëruara për të rrëzuar çdo spekulim me fjalë dhe me shifra, të kujtdo që interesohet të shesë tym.
Natyrisht orvatja e pashembullt për ta ciflosur procesin e rregullt zgjedhor, me qëllim justifikimin e humbjes, është një praktikë recidive nga ana e Partisë Socialiste. Prandaj u sajuan gjithfarësoj tezash si ai i “Furgonit të bardhë” që voziste nëpër Tiranë i mbushur me 10 kuti, apo tunele nëntokësore, apo e gjithfarë teorish të tjera për mos përputhje, për të abortuar qysh në lindje, një fitoreje të mundshme të Lulzim Bashës. Me këtë logjikë Gramoz Ruçi vetëm sa dha me qira fytyrën e mavijosur për një tekst që më shumë sesa jepte dritë, më tepër hidhte hi syve. Sepse sipas logjikës së PS-së, Basha duhej të fitonte kështu me +357 vota, ndërsa po të ishin shtuar votat në fund të numërimit do të mjaftonin teorikisht +11 për të fituar ndaj Ramës.
Mirëpo në kushtet kur fletët e votimit duhet të kenë detyrimisht vulat e dy komisionarëve të dy palëve politike, e në kushtet kur numërimi i këtyre fletëve bëhet në prani të të gjithë komisionarëve, vëzhguesve të brendshëm dhe të  huaj dhe të gjitha televizioneve, ky pretendim është tepër qesharak. Përsëri sipas PS-së komisionarët e saj e paskan tradhtuar partinë. Kjo deklaratë tepër naive bëhet edhe me e pak besueshme kur dëgjohet nga një figurë tepër e diskredituar e diktaturës. Ndonëse këtë gabim Edi Rama e korrigjoi teksa nxitoi të nxirrte zëdhënësen Megi Ajtyresa, për të mbrojtur Ruçin, me fjalët “kryetari i grupit parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, foli me shifra e jo me fjalë”. Padyshim të gjithë e pamë, me zë dhe figurë, që Gramozi foli edhe me fjalë, edhe me shifra, për një llogaritje që ishin e mbeten vetëm akrobaci numrash dhe fjalësh për një mjegullnajë tjetër politike.
Ndërkohë çoroditja e PS-së, që duhet thënë është konstante gjatë gjithë kësaj kohe, bën “mu-u-u” edhe me shifra. Nëse dikush ka dyshime ose fakte a prova që votat e numëruara nga KQZ-ja, në rolin e KZAZ-së janë të manipuluara, atëherë t’i drejtohet Kolegjit ose Prokurorisë dhe t’i paraqesë këto prova atje, pa pasur nevojë fare që së pari të ankohet për numërimin e këtyre votave si të paligjshëm. Mirëpo ne dimë që Partia Socialiste s’ka ndërmend të ndjekë procedura ligjore, sepse edhe kur i ndjek tregon një amotorizëm të theksuar, siç tregoi rrëzimi i padisë së parë  dhe tërheqja e padisë në Kolegjin Zgjedhor. Rrëzimi i padisë së parë erdhi ngase  i paduruari paditës kishte harruar të gjente një “objekt” për padi, dhe po kështu kishte vështirësi në gjetjen e një baze ligjore. Dhe e dyta kërkoi gjykim mbi një akt parimor, edhe pse akti parimor nuk ka fuqi ligjore, prandaj nuk mund të shqyrtohet diçka që ekziston.
Është shumë e vështirë të ecet përpara me një logjikë që nëse fitoj, i pranoj zgjedhjet, nëse humb jo. Nëse Kolegji e pranon kërkesën e PS-së, nuk ka pasur manipulime por votat e hedhura gabim nuk duhet të numëroheshin, nëse Kolegji vendos kundër PS-së, del alibia tjetër, rezultatet janë manipuluar. Me këtë që po bën PS-ja është shumë e parashikueshme, sepse e ka të vështirë të dalë nga alibia që përpunohet e hidhet për konsum për të mbajtur gjallë zjarrin militantëve.
Me një llaf Edi Rama humbi në Tiranë. Dikur e pabesueshme, por tani e vërtetë. Gjithsesi kuptohet vetiu që është e dhimbshme por duhet pranuar humbja. Në fund të fusnit kjo është demokracia. Lulzim Basha përfaqëson vullnetin e shumicës, me një diferencë të ngushtë por është më i votuari, shumica e njësive bashkiake janë të Partisë Demokratike dhe koalicioni qeveritar kontrollon këshillin bashkiak.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›