Teatër politik me kriminelë lufte
Edhe gjenerali serb Ratko Mlladiç u prangos. Presidenti Boris Tadiç nuk fali minutin, doli në foltore ta konfirmonte arrestimin dhe të deklaronte, po aq shpejtë se, Serbia e pastroi fytyrën. Personalitete të botës perëndimore “në plate”, duartrokitën njëherësh lajmin. Pastaj perdja ra. E ka radhën Gjykata e Hagës, të shqyrtojë rolin edhe të legjendës tjetër të krimit, tashmë të dy në bankën e të akuzuarve, Radovan Karaxhiç më parë dhe Ratko Mlladiç më pas, por së bashku, siç dikur, po së bashku, vrisnin në luftën e Bosnjës. E gjitha kjo, ditën e enjte, të 26 majit 2011, veç pak orë para se të zbriste në Beograd shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, baronesha Catherine Ashton, duke e bërë më të besueshme që, ky përkim nuk ishte rastësi por llogari. Politika serbe e mori shpërblimin përmes korit të përshëndetjeve ndërkombëtare nga personalitete të larta, përfshirë edhe ato të Kosovës e të Shqipërisë.
Sidoqoftë, pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviç në tetor të vitit 2000 dhe dërgimit të tij në Hagë (por jo të shqiptimit të dënimit, sepse fuqia hyjnore e ndëshkoi me vdekje, përpara se sa Haga të mund t’i jepte më pak - vetëm burgim të përjetshëm), pas arrestimit të Radovan Karaxhiç më 21 korrik të vitit 2008, në Beograd, dhe pas vënies në pranga të Ratko Mlladiç, në fshatin Lazarevo të Zrenjaninit në Vojvodinë, 80 kilometra larg nga kryeqyteti serb, do të shfaqen politikanë dhe shtete që do të thonë se Beogradi iu përgjigj trysnisë ndërkombëtare dhe përmbushi kërkesën e Tribunalit të Hagës. Por kjo nuk është një ndeshje futbolli , në fund të së cilës komentatorët përdorin thënien “fituesi (domethën dorëzuesi) nuk gjykohet”. Rrëzimi i diktatorit gjakatar Sllobodan Millosheviç pesë vjet pas mbarimit të luftës, arrestimi i kriminelit mjek psikopat Radovan Karaxhiç mu nën hundë të zyrave më të rëndësishme të shtetit serb 13 vjet pas luftës, dhe vënia nën pranga e gjeneralit të pangopur me viktima Ratko Mlladiç 16 vjet pas përmbylljes së krimeve, më të shumta e më të shëmtuara, që nga Lufta e Dytë Botërore, as një orë larg me makinë nga Beogradi, flet për një teatër të shkëlqyer politik me kriminelë lufte, shfaqje aq e gjatë sa që viktimat e Srebrenicës janë bërë dhe e bar, ndërsa të afërmve të tyre u janë kalbur shamitë e pambukta nga shterrimi i lotëve.
Si Radovan Karaxhiç tri vjet më parë, me mjekër shtëllungë si të Karl Marksit, dhe Ratko Mlladiç tri vjet më pas, me kapele varfanjakësh me strehë në krip të kresë, si fermerët e moshuar të Lazarevos, nuk u arrestuan kaq vonë nga vrasjet, gati sa një brez njerëzor, prej mosdijes a mosmundjes së qeverive serbe, që shkuan e erdhën. As duhet dyshuar që, ata janë ditur ku gjendeshin dhe, për këtë mjaftojnë dy deklarime të rëndësishme: ish-zyrtari i lartë Vuk Drashkoviç pati bërë me dije se shërbimi i fshehtë serb e dinte ku ndodhej Ratko Mlladiç. Ndërsa ministri i brendshëm serb Ivica Daçiç tha se gjenerali nuk ka pasur dokumente me emër të sajuar si Milorad Komadiç, por ka përdorur dokumente të rregullta me emrin e vërtet - Ratko Mlladiç, që kohë pas kohe u skadonte afati.
Ka pasur dy arsye madhore pse Serbia vonoi dorëzimin para drejtësisë, të kriminelëve binjakë në krim - Karaxhiç dhe Mlladiç: e para, ultranacionalizmi serb edhe sot ata i quan heronj dhe, kësisoj, Serbia nuk kishte asish drejtues shteti, me pikëpamje vetëkritike mbi çfarë ajo kishte kryer dhe, e dyta, asnjëri prej tyre nuk zotëronte kurajë të mjaftueshëm të përballeshin me të, për t’i dorëzuar heronjtë si kriminelë. I vetmi që u përpoq, të guxonte ndjekjen e figurave kriminale serbe dhe të mbështetësve të tyre, qe kryeministri Zoran Gjingjiç dhe, bash për këtë iu dha kokrra e plumbit më 2003. Beogradi përpunoi strategjinë afatgjatë të përfitimit të dyfishtë në lojën me kriminelë: nëse ultranacionalizmi serb i përdori kriminelët e luftës për të krijuar Serbinë e Madhe pas prishjes së Jugosllavisë, zyrtarët serbë properëndimorë të më vonshëm do t’i mbanin kriminelët si turshi në qyp e si as nën mëngë, për t’i ripërdorur e hedhur në skenën e teatrit politik kur ata do të kishin çmimin më të lartë. Dhe, për ta arritur këtë, sidomos pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, politika serbe luajti në mënyrë të përkryer rolin e njohur të viktimës, duke gjetur mbështetje edhe te disa shtete, të cilat, siç duket, me brerje të thellë ndërgjegjeje, atëherë qenë të shtrënguar të merrnin pjesë në bombardimet e NATO-s, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nacionalizmi serb doli nga luftrat pa e arritur dot Serbinë e Madhe, madje e mundur keq, me fytyrë gjakësori të egër para popujve të botës dhe turma kriminelësh lufte, që kërkoheshin para drejtësisë e nuk dorëzoheshin, por strehoheshin, mbroheshin e thirreshin heronj, deri te e enjtja e 26 majit 2011, kur banorët mëtojnë një peticion për t’ia ndryshuar emrin fshatit Lazarevo në Mlladiçevo, vetëm se aty u strehua gjenerali kasap. Ja, ky, gjenerali Ratko Mlladiç i sapo arrestuar, kreu i krimeve në Luftën e Bosnjës, së bashku me Radovan Karaxhiç, ku u vranë mbi 100 000 vetë dhe u shpërngulën rreth 1.8 milionë njerëz, edhe pesë vjet pas luftës, deri më 2011, shëtiste i lirë, shkonte të merrte kafenë e përdishme kafeneve, zbavitej tek shihte futboll, madje edhe skijonte në malin e Jahorinës pranë Sarajevës, dhe fotografohej. Ndërsa më vonë, njësi të NATO-s provuan dhe dështuan kushedi se sa herë, të zinin gjeneralin. Ndodhi vetëm kështu, sepse nacionalizmi serb u krijoi klimë të përshtatshme e siguri atyre që, për të tjerë qenë kriminelë të urryer lufte, por për ta heronj të famshëm të çështjes së shenjtë serbe.
Por, qeveritë e shumta të Beogradit në këta 16 vjet nga mbarimi i luftës së Bosnjës e 12 vjet pas përfundimit të luftës së Kosovës, nuk ia dorëzuan Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, këto dy legjenda të krimit, jo vetëm pse ato nuk guxonin, jo vetëm pse ato thoshin se po i kërkonin e s’po i gjenin dot, jo pse trysnia e kushtëzimet perëndimore ishin të lehta të përballoheshin, por sepse Beogradi zyrtar kishte përpunuar vizionin që, heronjtë e luftës së përgjakshme të Bosnjës ishin të vlefshëm ende, sepse ata nevojiteshin për t’u përdorur po aq fort për luftën e bardhë pas pavarësimit të Kosovës. Që të dy, si dorëzimi i Radovan Karaxhiç para tri vjetëve, edhe dorëzimi i Ratko Mlladiç tani, janë bërë në rrethana shumë domethënëse e të përllogaritura, për përfitime politike maksimale të Serbisë, në zgjerimin ndërkombëtar të mbështetjes së saj dhe mbajtjes nën fre të mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën. Strategjina është e thjeshtë: hap sa më parë dyert e Brukselit për Serbinë, mbyll sa më shumë rrugët e Kosovës për vonim. Prandaj, sa do që t’i dënojë Haga kriminelët e bujshëm, si Sllobodan Millosheviç vdekur gjatë gjykimit të papërfunduar, edhe Karaxhiç e Mlladiç, kanë mbetur heronj në vendin e tyre. Këto dënime nuk funksionojnë në Serbi me properëndimorizmin, por me traditën e vjetër, të cilën e udhëheq me kujdes ultranacionalizmi bashkë me Kishën që e bekon. Serbia e përballoi në një mënyrë gati të pabesueshme, thuajse megallomane, trysninë euroatlantike, jo për mosdorëzimin e kryekriminelëve, por për prangosjen e tyre atëherë kur i bëhej mirë Serbisë, duke i zvarritur kërkesat deri kur ajo do t’i gjykonte dorëzimet, të vlefshme në mënyrë kombëtare, për dy qëllime të mëdha: vendosmëri e diplomaci të ethshme për bllokimin e Kosovës dhe këmbëngulje e përshpejtim të integrimit europian të Serbisë, sipas taktikës, Kosova që sot pengohet nga jashtë BE, nesër të pengohet nga brenda Brukselit. Por, hapja e dyerve të BE me këta “tre çelësa krimi”, përveç se do të ishte e padrejtë, do të qe skajshmërisht e pamoralshme. Politika dinamike serbe ka gjasa të përfshihet nga eoforia pas këtyre tre hapave në gjashtëmbëdhjetë vjet, dorëzimit të Millosheviç, Karaxhiç dhe Mlladiç, madje besohet të bëhet më agresive në këmbënguljen dhe kërkesën për të shënuar një çudi në shpejtësinë e një vendi për t’u antarësuar në BE. Këtij trurravrapi të mundshëm serb, BE duhet t’i vendosë përpara kushtin e drejtë: pa njohur Kosovën rruga për në BE të jetë e pafund. Dy shtete dhe dy popuj të përplasur në luftë dhe në paqë, duhet të futen në dyert e BE njëherësh, me të njëjtin hap, për të mos u shndërruar pengesa Serbi - Kosovë, në BE - Kosovë, ose njih më parë shtetin e Kosovës dhe pastaj anëtarësohu në BE. Kush është mosbesues ndaj kësaj hamendjeje, le të mos i kërkojë shembujt në Rusi apo shtete rrotull saj, por brenda vetë BE-së janë pesë vende ndryshe nga 22 të tjera, ndonjëri prej tyre, kundër pavarësisë së Kosovës, sillet edhe ”më katolik se Papa”.
Dorëzimi i kriminelëve të luftës, edhe pse shumë vonë, është veprim që duhet përshëndetur. Por ky arrestim nuk e pastron fytyrën, sepse, pa njohur shtetin fqinj dhe pa i kërkuar falje popullit shqiptar të Kosovës, fytyra e Serbisë mbetet e përgjakur, sipas logjikës se, kriminelët Serbia i dorëzoi për interesa të veta e nën trysninë e SHBA dhe Europës, por mbetet e glorifikuar vepra e tyre nën sjelljen koloniale të qeverive që ndërrohen në Beograd, për të cilën luftuan dhe u sakrifikuan kriminelët - heronj apo heronjtë - kriminelë. Boris Tadiç, si properëndimor, e kupton që fytyra tjetër e Serbisë nuk është dorëzimi edhe i Ratko Mlladiç, por sjellja e njëmendtë europiane e Serbisë ndaj Kosovës.