Verbëria e urrejtjes dhe thirrja e shkrimtarit
Nga Prof. Skënder Gjoni
Duke mos qenë as politikan, as letrar, as analist, dhe as hiç gjithnjë kam një vështirësi të madhe të shpreh ndjenjat dhe emocionet e mia me shkrim. Sot më shumë më duket vetja si ajo gruaja e mirë shtëpiake me vullnet e dëshirë e cila ka përpara një thes copë- copë të grisur e të ronitur dhe me një pe e gjilpërë në dorë rri e mendon e mendon … e mendon… nga t’ia nis. Thesi në fund të fundit është thes, por kur përpara ke një popull të grisur e të copëtuar, një qeveri të ronitur e të korruptuar, një opozitë të çapluar e të mashtruar… nga t’ia nisësh?! Si t’ia fillosh, nga ta marrësh nismën, nga ç’nivel e ç’mënyrë, nga ai më i thjeshti shqiptar anonim, të cilin unë e dua me të gjithë forcën e shpirtit tim, nga ai më naivi, më injoranti, ai më i gënjyeri, i çfarëdo moshe veç që flasin SHQIP e që janë kaq të dashur për mua njëlloj!!! Sepse së pari janë shqiptarë si unë. Kemi jetuar bashkë, kemi qarë bashkë, me të njëjtat ligje, me të njëjtat proverba, me të njëjtat urime, me të njëjtat mallkime e me të njëjtat këngë, me të njëjtat valle e muzikë, me të njëjtat rite të gëzuara.
Sot, ky populli i im shqiptar tejet i dashur për mua e për të gjithë është në buzë të humbjes. Njeriu në jetë (s’bën përjashtim asnjëri) dashuron dhe urren me raste në të njëjtën kohë. Pa fjalë njeriu don më shumë atë me të cilin gjatë jetës zihet më pak e urrehet më pak.
Logjikisht, teorikisht e biologjikisht njeriu don më shumë fëmijën e tij, për atë jep edhe jetën. Të gjithëve megjithatë një herë në jetë e pakta na ka ndodhur të jemi edhe zemëruar edhe me fëmijët tanë për pak kohë, për shumë kohë, etj, etj. Ky zemërim rrallë herë dhe përkohësisht kalon dhe në urrejtje. Por asnjëherë njeriu nuk mund të zemërohet me vendin e vet, me popullin e vet sido që të jetë ai në momente të caktuara.
Janë pa diskutim më të shumtë ata që dhanë jetën për popullin, për atdheun e dashur në përgjithësi sesa për fëmijën e tij në veçanti.
Personalisht kam bindje se dashuria për atdhe është më e forta, më e qëndrueshmja dhe më e paluhatshmja sidomos. E bëra këtë hyrje, e shkrova në mënyrë automatike e të sinqertë për të shprehur dhimbjen që më mundon në këto momente. Unë shoh popull të përçarë të egërsuar, të polarizuar gati për përleshje që dihet sesi fillon, por kurrë s’dihet sesi mbaron. Sa për demokratë, socialistë, komunistë, LSI-sta e -ista e -ista të tjerë, kjo s’më intereson fare, fare, fare.
Duke qenë thellësisht i dëshpëruar për ku u katandisëm si popull, kam një paragon që ndërgjegjshëm më kujton kohën e luftës. Kohën e urrejtjes kur populli ishte i ndarë si me thikë në dy pjesë dhe, fatkeqësisht falë demagogjisë komuniste, varfërisë, okupatorit, etj, shumica përkrahte komunizmin ku fatkeqësisht bëja pjesë edhe vet personalisht me bindje të plotë. Bindje të cilat m’u përmbysën plotësisht brenda dy javësh në Budapest, në zemër të kryengritjes kundër diktaturës komuniste të vitit 1956 ku u ndodha duke shoqëruar një të sëmurë.
Aty pashë qartë se çfarë mund të bëjë një popull kur preket në thelbin e ndjenjave e në zemër dhe me dëshpërim, i cili nuk m’u hoq as sot e kësaj ditë konstatova që isha në anën e gabuar të barrikadës në atë moshë 32 vjeçare. Kam lexuar mbi habinë e madhe të të huajve për interesin e jashtëzakonshëm që shfaqim ne shqiptarët, me pasionin e madh popullor për zgjedhjet, habiten për skajshmërinë, ekstremizmin etj. Për këtë kam një shpjegim. Kuptohet së pari se, i nginjuri (i ngopuri) nuk e kupton të uriturin sidomos, kur nuk e ka provuar kurrë urinë e bukës në jetën e vet. Mendoj se një shumicë e një populli që ka një nivel të lartë jetese sigurisht dhe edukatë-kulturë ose anasjelltas nuk merren shumë me politikë ose merren shumë më pak. Prova më e padiskutueshme është që revolucionet e kryengritjet fermentohen atje ku ka varfëri.
Konflikti ku ndodhet populli ynë i varfër është i madh, konfliktet sa më të mëdha të jenë aq më shkaqe të mëdhenj kanë. Interesat politike pa dyshim janë një shfaqje e interesave ekonomike. Vini re, njeriu që i ri, fëmijë, që kur për herë të parë në jetën e tij fut lugën së pari në gojën e vet e jo në gojën e tjetrit. Ky shembull primitiv apo empirik, mendojeni si të doni, na shoqëron deri në vdekje pa përjashtim, të gjithëve. Pra njeriu si kafsha lind egoist, problemi komplikohet kur ndryshojnë përmasat e oreksit, që nga luga e vogël për vete e deri te paratë, milionat, nderet e ofiqet, etj, etj gjithnjë në radhë të parë për vete.
Po i kthehem problemit të zgjedhjeve. Ndodhemi përpara dhënies së një vendimi të Kolegjit Zgjedhor për zbatimin e ligjeve gjatë procesit të numërimit të votave. Dilemë e madhe dhe problem deciziv. Edhe këtu kemi një shfaqje, ta quaj teoria e lugës në gojën time dhe është momenti ta konkretizojmë si teoria në Gojën e Z. Kryeministër. Kam dëgjuar me vërejtje thelbin e konfliktit. A duhet vlerësuar vota e zhvlerësuar mbasi nuk gjendet në vendin e vet?? E vërteta, logjika thotë se çdo votë e rregullt duhet numëruar edhe kur s’është në kutinë e vet. Arsyetim i mirë. Ligji në një nen tjetër thënka se vota është e vlefshme kur është e vulosur siç duhet, kur ka formatin siç duhet, ngjyrën siç duhet, në kutinë siç duhet. Nuk specifikon që quhet e vlefshme edhe kur është në kutinë e gabuar, por është e rregullt ama…, e drejta e votës së qytetarit, etj, etj. etj e mund të diskutosh pa fund.
Parantezë didaktike
Kam kryer gjimnazin e jezuitëve në Shkodër, isha në një klasë me të ndjerin Z. P. Gjeçi megjithëse kishim dy vjet diferencë. Një prift tepër i iluminuar, Patër Fausti, i pushkatuar krejt padrejtësisht nga regjimi komunist, megjithëse i huaj me nënshtetësi. Patër Fausti e dinte Kapitalin e Marksit në mënyrë perfekte, gjë që i vuri në pozitë të vështirë e qesharake profesorët që erdhën apostafat nga Tirana, të cilët më në fund e dënua me vdekje. Patër Fausti gjatë leksioneve, duke iu referuar një filozofi gjerman na këshillonte: “Kur keni një problem të vështirë për të zgjidhur ku “pro-ja dhe kundra” janë vështirë për t’u kuptuar atëherë ejzagjeroni argumentet shumë herë në fantazinë tuaj, shumëzoheni me dhjetë, me njëqind dhe do shikoni që tabloja do t’ju sqarohet menjëherë. Këtë teori – këshillë nuk e harrova asnjëherë dhe shumëzimi i të mirës e i të keqes ose ekzagjerimi më orientonin drejt në jetë duke e bërë mundësinë e gabimit zero në mënyrë të pagabueshme. Do provoj të zbatoj teorinë e filozofit gjerman në rastin tonë. Dy njerëz në një taksi rastësisht gjejnë tre fletë votimi për kryetar bashkie të rregullta njëqind përlind (vula, firma, ngjyra, formati). Të themi ishin në favor të Lulëzim Bashës në datë 8-9 maj. Pak rëndësi ka. Ia dorëzojnë zotit Ristani. Fillon një diskutim… fletët janë të rregullta, shprehin vullnetin e individëve, duhet të numërohen, s’ka rëndësi se ku u gjetën, ato janë të pa numëruara. Kundërshtarët alarmohen, revoltohen, kundërshtojnë, turma ulërin e ndahet pro dhe kundra. Lexohet ligji e stërlexohet, por vendoset me katër vota pro të numërohen pasi me ligj nuk shkruhet qartazi që votat e gjetura në taksi rastësisht nuk duhen të numërohen e të quhen të pa vlefshme, pra rrjedhimisht ato duhet të numërohen dhe janë të vlefshme….. vazhdojmë, etj etj.
Në vazhdim të kësaj logjike të paturpësisë dhe të forcës unë shkoj në kinema dhe dua të hyj me forcë me biletë të rregullt, të pa grisur, por të ditës së djeshme. Unë them se kam të drejtë së pari sepse kam paguar lekët, së dyti nuk e kam parë filmin, data s’ka rëndësi, një gabim i vockël, jam pakëz ca si miop dhe nuk i shoh mirë numrat….(daltonik numrash). Etj etj. Por kemi edhe disa të tjerë me bileta të djeshme dhe kur i fusim brenda fillojnë e zihen për vendet ngaqë për një vend janë dy persona.
Duke vepruar në këtë mënyrë ndodhemi përpara një procesi, i cili nuk ka fund, pra një zinxhir i pafund përplasjesh. Prandaj që përpara sesa të fillojë loja-procesi j