Snowden-Obamës: Azili, e drejtë themelore
Spiuni i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, ka akuzuar presidentin Barack Obama se po i mohon të drejtën për të kërkuar azil, nëpërmjet një deklarate të publikuar nga Wikileaks.
Kjo është deklarata e parë e tij publike, që kur udhëtoi drejt Rusisë më 23 qershor, ku ai ka aplikuar edhe për azil. Ish-analisti i CIA-s, i cili është fshehur në një hotel të aeroportit të Moskës, kërkohet nga Shtetet e Bashkuara me akuzën e spiunazhit.
Ai tha se presidenti Obama po ushtron presion ndaj vendeve, ku ai ka kërkuar azil politik. Presidenti ka urdhëruar zëvendësin e tij të ushtrojë presion ndaj liderëve të kombeve, te të cilët unë kam kërkuar mbrojtje, për të refuzuar kërkesën time për azil. Kjo lloj dinakërie e një lideri botëror nuk është drejtësi, as një dënim ekstra ligjor i arratisjes sime. Këto janë mjetet e vjetra dhe të këqija të një agresioni politik. Qëllimi i tyre është të frikësojnë, jo mua, por ata që mund të vijnë pas meje është cituar të ketë thënë Snowden nga Wikileaks.
Në deklaratë, Snowden e përshkruan veten si një person pa shtetësi, duke akuzuar qeverinë e SHBA-ve se po ndalon atë të ushtrojë të drejtën bazë… për të kërkuar azil.
Natën e së dielës, 30-vjeçari i arratisur aplikoi për azil në Rusi, sipas konsullit të Ministrisë së Jashtme, Kim Shevchenko. Kërkesa raportohet të jetë dorëzuar nga Sarah Harrison, një anëtare britanike e ekipit ligjor të Wikileaks, duke vepruar si përfaqësuese e Snowden. Megjithatë, Kremlini nuk e ka thënë ende fjalën e tij.
Më herët, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska nuk ka dorëzuar kurrë ndokënd ndaj një pale tjetër dhe nuk ka ndërmend ta bëjë atë. Ai i sugjeroi Snowden-it se mund të qëndrojë në Rusi, me kushtin që të ndalë dëmtimin e partnerëve amerikanë të Rusisë me informacionet e tij të vjedhura.
Nxjerrja e mijëra dokumenteve të klasifikuara të inteligjencës amerikane ka bërë që të zbulohet se SHBA-të përgjojnë sistematikisht sasira të mëdha informacionesh telefonike dhe të dhënash kompjuterike.