Socialistët kërkojnë përjashtimin pas sulmeve ndaj Gonzatos, Berisha: Po kërkoni të mbuloni ligjin që i vë kazmën familjes shqiptare

Ish-kryeministri Sali Berisha ka replikuar nga foltorja e Kuvendit me deputetët e mazhorancës, të cilët kërkuan përjashtimin e tij pas deklaratave të bëra ndaj Ambasadorit të BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato.
Berisha tha se socialistët po përpiqen të mbulojnë me këtë “histori” ligjin që, sipas tij, i vë kazmën familjes shqiptare.
Berisha: Së pari dua të bëj një deklaratë të shkurtër. As dje, as sot e deri në minutën e fundit të jetës time, përveç Atij që sheh gjithësinë, njeri tjetër mbi tokë nuk vendos censurë mbi Sali Berishën. O të mjerë, ju kujtoni se mund të më censuroni mua fjalën! Ju e quani fyerje një përsëritje të deklaratës së një personi që unë e quaj të nderuar këtu. Pse bëheni personazhe mjerane?
Ju kërkoni të mbuloni me këtë një ligj, i cili i vë kazmën familjes shqiptare. Si do të shkoni ju te fëmijët tuaj, që keni votuar një ligj që, kur t’i çoni ata në kopsht, nëse djali zgjedh tullumbacen e verdhë, të marrë hormone për të ndryshuar gjininë?!
Si do të shkoni ju, si do të paraqiteni ju te familjet tuaja, kur ne kemi pasur mijëra probleme, por kemi pasur një familje, e cila ka qenë mburoja më e fuqishme e këtij kombi, ndaj çdo të keqeje që i ka ardhur, ndaj të gjitha pushtimeve.