Socialistet krijojne Kryeministrine ne seline e PS

Socialistët nuk kanë ndërmend të rrinë duarkryq e të shikojnë se çfarë do të bëjnë demokratët deri në shtator, kur të betohet qeveria e re.
Ishte vetë kryetari Rama që gjatë mbledhjes me deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, njoftoi krijimin e zyrës së Kryeministrit të zgjedhur, për një komunikim sistematik me publikun.
Askush në selinë e purpurt nuk pranon ta quajë qeveri në hije. Por të nesërmen e fjalës së Ramës gjithçka në hollin e PS-së ishte gati. Duke filluar nga sfondi, flamujt dhe foltorja.
E nisi sekretari për Programin, Ilir Beqja, që situatën e financave e quajti të vështirë dhe i dha Ministrisë së Financave një sërë udhëzimesh që duhet të ndjekë deri në shtator.
Beqja theksoi se të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit duhet të kuptojnë se detyra e vetme që u mbetet deri në betimin e qeverisë së re, është të tregojnë përgjegjshmëri dhe vetëpërmbajtje.