Socialistët letër Topallit: Ligji për regjistrimin, i manipuluar

Grupi parlamentar socialist ka deklaruar sot se votimi i projektligjit për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave është i montuar, fiktiv dhe i manipuluar.
Përmes një letre drejtuar kryetares së kuvendit Jozefina Topalli, deputeti i PS-së Sajmir Tahiri në emër të grupit thekson se procedura e votimit i 7 korrikut 2011 është e montuar dhe se kryeparlamentarja Topalli ka lejuar shkeljen e ligjit.
Më tej në letër thuhet se kryetarja e Kuvendit ka shkelur afatet duke mos publikuar informacionin e kërkuar si dhe duke mos urdhëruar dhënien e procesverbaleve.
“Keni shkuar edhe më larg, duke lejuar shkeljen e afatit ligjor të parashikuar si detyrim absolute për çdo institucion publik në dhënien e informacionit zyrtar dhe bërjen e transparencës sa i takon, në rast, pjesëmarrjes dhe votimit të deputetëve" thuhet në letër.
Ndër të tjera në letër theksohet se disa prej deputetëve nuk kanë qënë në sallë ditën e votimit të ligjit dhe janë regjistruar si të pranishëm ndërsa më tej thuhet se ligji nuk mund të jetë kurrsesi i saktë pa një votim të dytë.
“Është detyrë e juaja të lejoni administratën të publikojë menjëherë procesverbalin me të gjitha të dhënat , dhe kjo pa humbur më shumë kohë, me qëllimin shmangien e pasojave të një ligji tërësisht nul, që nuk duhet të kishte hyrë kurrë në fuqi për shkaqet e sipërpërmendura e që si i tillë mund të prodhojë asnjë pasojë çfarëdo. Të paktën deri kur Ju dhe shumica juaj parlamentare të vendosni ta votoni përsëri këtë ligj sesionin e ardhshëm, kësaj radhe pa vjedhur votat e deputetëve” thekson Tahiri.