E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët presin Dulen për të shtuar aleatët

Të majtët bëhen gati të finalizojnë koalicionin parazgjedhor.Tashmë janë të sigurt si aleatë të PS-së; PSD-ja, PDS-ja e G99, por, PS-ja është në pritje të një vendimi nga ana e PBDNJ-së. 

TIRANE- Fillimi i javës që vjen është afati i fundit për krijimin e koalicioneve zgjedhore. PS-ja, sipas burimeve të   “Gazeta Shqiptare”, pritet që deri në këtë fundjavë të ketë saktësuar aleatët e saj, duke e përmbyllur kështu edhe me një marrëveshje publike. Tashmë janë të sigurt si aleatë të PS-së; PSD-ja e Gjinushit, PDS-ja e Milos dhe G99 e drejtuar nga Erion Veliaj. Por, PS-ja është në pritje të një vendimi nga ana e PBDNJ-së. Të njëjtat burime saktësojnë se qëndrimi nga drejtuesit e minoritetit përgjithësisht është pozitiv, por pritet që një vendim përfundimtar ata ta marrin në Kongresin e tyre, në datën 9 maj. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule është shprehur se programi dhe natyra e partisë që ai drejton e lejon që ajo të jetë pjesë e koalicioneve si majtas, ashtu edhe djathtas. Deri në 2005, PBDNJ-ja ka qenë pjesë e koalicionit të majtë, por pas neglizhencës ndaj koalicionit që tregoi ish-kryetari socialist, Fatos Nano, edhe PBDNJ-ja, ashtu si më pas edhe PAD-ja kaluan me PD-në. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, i cili ka deklaruar me kohë se do të jetë pjesë e koalicionit me PS-në, deklaroi dje se, “zyrtarizimi i koalicionit me Partinë Socialiste tanimë është një çështje teknike e cila do të institucionalizohet në ditët në vijim”. Ai sqaroi se, “PDS-ja me aleatët e saj do të ketë një program të përbashkët, i cili do të çojë koalicionin e fitores në një bashkëqeverisje të suksesshme menjëherë pas zgjedhjeve”.  Por, Milo tha se do të kërkojë miratimin e një kodi etik edhe brenda koalicionit në këtë fushatë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›