Sociologu në shkollat e Kosovës, një imperativ i kohës
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bekim Sadriu, ka thënë se gjatë vitit 2010, numri i të rinjve të përfshirë në vepra penale dhe të dyshimtë është 7139 veta. Kjo shifër është shqetësuese, shqetësuese janë edhe sharjet, grushtet, shqelmat, goditjet me thika, vrasja (tre vrasje kanë ndodhur në shkollat tona), demotivim për mësimnxënie, më shumë nxënës në oborr të shkollës sesa në klasë, pengim gjatë procesit mësimor etj, etj. E tëra kjo është reflektuar edhe në testin e maturës, me vetëm 42% kalueshmëri (kjo shifër është arritur falë tolerancës për të kopjuar nga administratorët e testit...Gjendja reale në shkollat tona është edhe më e dobët… Të interesuarit për rregullimin e gjendjes së tillë, përpëliten si të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen kërcënuese për të ardhmen, por thjesht ata vetëm zbulojnë shkaqet fillestare me shkaktarë të shumëllojshëm, duke përmbledhur si më kryesore: paaftësinë, joqytetarinë, varfërinë, mëkatet e medies, tiparet e vetë moshës protagoniste, edukimi jo i drejtë, joefektiv, joefikas etj.
Gjithkund nga pak të vërteta. Po ku është zgjidhja? Shkollat tona kanë nevojë për praninë e sociologut, i cili luan rolin e lehtësuesit në marrëdhëniet ndërpersonale, rolin e avokatit të nxënësve, kur atyre iu preken të drejtat etj. Flitet, diskutohet për rolin e psikologut, pedagogut në shkolla, por në fakt shkollat tona kanë nevojë më shumë për sociolog. Sociologu është punëtor terreni… Synimi i sociologut në shkollë është që të ndihmojë nxënësit që të shfrytëzojnë të gjitha potencialet e tyre dhe të përfitojnë maksimumin nga vitet e shkollimit. Ai merret me probleme që lidhen me të mësuarit, me problemet e sjelljes dhe me probleme personale të nxënësve. Ai vendos lidhje mes shkollës dhe institucioneve të tjera dhe komunitetit, organizon grupet e prindërve dhe grupet tjera në komunitet dhe i tërheq ata në zgjidhjen e problemeve të shkollës. Ai mund ta luajë rolin e këshilluesit psikologjik, duhet të jetë përgjegjës për frekuentimin në arsimin e detyrueshëm, mbrojtës i të drejtave të fëmijëve dhe prindërve, këshillues mendor dhe më kryesorja planifikues dhe drejtues i ndryshimeve në sistemet sociale. Ai këtu mund të përcaktojë se çfarë strukture nuk funksionon mirë brenda sistemit shkollor; ose se çfarë nuk funksionon mirë në lidhjet mes shkollës dhe institucioneve tjera, mes shkollës dhe komunitetit, mes shkollës dhe institucioneve sociale, mes shkollës dhe sistemit të punësimit, ose sa i përgjigjet sistemi shkollor prirjeve dhe dëshirave të popullatës për shkollim etj. Kemi nevojë për sociologun në shkolla, sepse si shoqëri që po funksionojmë, nuk kemi mundësi të prodhojmë vlera, produkte mirëqenie, atëherë dihet, edhe rregullat e sjelljes bëhen rregullat e xhunglës. Në këtë kontekst po e shohim si po kultivohet kultura e më të fortit, që kemi filluar ta quajmë si ‘e drejtë’ ‘nder’ ‘e mirë’ ‘morale’. Në shoqërinë tonë të tanishme njeriu është i suksesshëm dhe dominues me forcë dhe jo me vlera. Pavarësisht se shoqëria po i etiketon si vlerë, por në fakt është një nevojë për të mbijetuar në një shoqëri të ndryshimeve të shpejta dhe ku mungon qytetaria.