DEKLARATA E BE: Zgjedhjet e 8 majit përmbushën standardet- të vijohet me reformat. Ashton: Procesi elektoral të përfundojë në mënyrë të qetë dhe konstruktive

-- Berisha përshëndet deklaratën e BE: Transparenca e zgjedhjeve, dëshmi e funksionimit të shtetit ligjor- do respektojmë vendimet e institucioneve
-- Shefja e diplomacisë Evropiane, Ashton: Procesi elektoral të përfundojë në mënyrë të qetë dhe konstruktive
LUKSEMBURG- Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, i cili u mblodh sot në Luksemburg, lëshoi një deklaratë në lidhje me situatën politike në Shqipëri.
“BE ka ndjekur nga afër zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe vë re se në përgjithësi ato ishin transparente dhe konkurruese, megjithëse me vështirësi proceduriale”, thuhej në deklaratën e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, të publikuar në faqen zyrtare të KiE-së. Duke e cilësuar ende shqetësuese situatën në Tiranë, BE shpreh keqardhjen për keqësimin e situatës politike dhe shtimin e tensioneve që ndoqën procesin zgjedhor.
“BE-ja, duke vënë në dukje vendimet e Kolegjit Zgjedhor, thekson se është thelbësore që procesi zgjedhor, duke përfshirë edhe procedurën e ankesave dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, të përfundojë në mënyrë transparente, të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ekzistues ligjor. Është gjithashtu thelbësore për të gjitha palët që të njohin epërsinë e sundimit të ligjit mbi çdo interes tjetër”, vijon deklarata, e cila shton se, “BE-ja u bën thirrje të gjithë liderëve politikë për të mbështetur finalizimin e procesit zgjedhor me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me një fokus në të ardhmen evropiane të vendit”. “BE do të ndjekë nga afër vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR”, thuhet në deklaratë. “BE-ja i kërkon qeverisë dhe opozitës, të bashkëpunojë me shoqërinë civile, për të rënë dakord për një reformë të plotë zgjedhore, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR në 2007, 2009 dhe 2011, përpara zgjedhjeve të ardhshme”, vijon deklarata.
“BE-ja vë në dukje synimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për t’i kërkuar Komisionit të Venecias mendim se si mund të shmangen situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme”, thekson deklarata.
Gjithashtu, BE-ja i bën thirrje qeverisë dhe opozitës të rivendosin urgjentisht dialogun politik për të kapërcyer bllokimin e gjatë politik. “Një dialog i tillë është i domosdoshëm për funksionimin normal të një shoqërie demokratike dhe institucioneve të saj, duke përfshirë edhe funksionimin në mënyrë të efektshme të Kuvendit, si dhe për avancimin evropian të vendit drejt integrimit në BE”. BE-ja u kërkon autoriteteve shqiptare të ripërtërijnë dhe të forcojnë përpjekjet në axhendën e reformave dhe zbatimin e tyre.
Sipas BE, këto janë thelbësore për të arritur shkallën e nevojshme të pajtueshmërisë me kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë 12 prioritetet kryesore të identifikuara në Opinionin e Komisionit Evropian, në nëntor 2010, mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim.
“Vetëm pas përmbushjes së detyrimeve të mësipërme, Shqipëria do të jetë në gjendje për të ecur përpara në drejtim të BE-së, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të dhjetorit 2010”- theksohet në deklaratë.
Së fundi, deklarata kujton se “BE mbetet e angazhuar ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të të mbështesë përpjekjet e vendit në këtë proces”.
Shefja e diplomacisë Evropiane, Ashton: Procesi elektoral të përfundojë në mënyrë të qetë dhe konstruktive
Pas takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Luksemburg, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bashkimin Europian, Catherine Ashton, dha një konferencë për shtyp, ku përsëriti edhe njëherë deklaratën e Brukselit, lidhur me situatën politike në Shqipëri. Baronesha Ashton deklaroi se situata pas zgjedhore në Shqipëri është fryrë së tepërmi nga përplasjet politike të natyrës kontestuese, ndërsa theksoi se kjo duhet të marrë fund për nisur dialogun politik. Duke iu referuar procesit zgjedhor të 8 majit, Ashton tha se, deklarata e diplomatëve të Bashkimit Evropian në Luksemburg thekson qartë se ato përmbushën standardet e kërkuara, por shqetësuese mbetet kontestimi i zgjedhjeve pas përfundimit të tyre. “Zgjedhjet ishin të qeta dhe transparent, me gjithë disa probleme proceduriale. Por, situata politike aktualisht është shqetësuese dhe për këtë arsye, të dyja partitë duhet të kenë bashkëpunim, sikurse nevojitet një dialog. Ne duam që procesi elektoral të përfundojë siç duhet. Kur të njihemi me rezultatin, atëherë ne mund të flasim me qeverinë shqiptare dhe opozitën për hapat që do ndërmarrim më pas. Do të dëshiroja një avancim të qetë, të rregullt dhe transparent të procesit zgjedhor”- u shpreh Ashton, duke shtuar se “palët politike duhet të pranojnë vendimet e institucioneve të pavarura”.
Ndërkaq, më herët, Maja Konçijaçiç, zëdhënësja e kryediplomates Catherine Ashton, sqaroi se Bashkimi Evropian pret nga Shqipëria realizimin e reformave. Sipas saj, mesazhi i Brukselit ka qenë që, Tirana zyrtare të finalizojë procesin zgjedhor si dhe të fokusohet në rrugën e dialogut politik, për të çuar përpara detyrat e Komisionit Evropian. “Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë diskutuar dhe një herë situatën në Shqipëri dhe ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën aktuale. Ata u bëjnë thirrje liderëve politikë, që të bëjnë të mundur përfundimin e procesit elektoral në mënyrë të qetë dhe konstruktive, por njëkohësisht në përputhje me të gjitha procedurat përkatëse dhe duke lejuar një proces apelimi transparent dhe në përputhje me kornizën ligjore”- u shpreh Konçijaçiç, zëdhënësja e kryediplomates evropiane, Ashton. Duke shtuar se ministrat e Jashtëm të BE-së po ashtu kanë bërë një thirrje të qartë për rifillimin dialogut politik në vend. “Këshilli i Ministrave i kërkon po ashtu Shqipërisë për të ecur me ritmin e duhur me axhendën Europiane. Por për ta bërë këtë, vendi duhet të përshpejtojë reformat e integrimit. Fokusi duhet të jenë reformat europiane, forcimin e shteti ligjor, krijimin e një klime politike në përputhje me standardet evropiane”- u shpreh ajo. Duke përfunduar se ajo që është e rëndësishme është që ky proces duhet të marrë fund. “Ne nuk mund të vazhdojmë me procesin elektoral vazhdimisht kështu. Por ai duhet të marrë fund në përputhje me rregullat dhe ligjet. Ne duam që të gjitha palët në Shqipëri të sigurojnë që kjo do të ndodhë, pasi nuk mund të vazhdojmë kështu. Mund të shtoj gjithashtu, që ministrat e jashtëm janë njohur me iniciativën e Këshillit të Europës për të marrë opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me reformën zgjedhore në Shqipëri, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Ata kanë bërë thirrje për një reformë elektorale”- përfundoi ajo.
Berisha përshëndet deklaratën: Transparenca e zgjedhjeve, dëshmi e funksionimit të shtetit ligjor- do respektojmë vendimet e institucioneve
TIRANE- Shefi i ekzekutivit Sali Berisha përshëndeti dje deklaratën e diplomatëve të Brukselit, ndërsa garantoi se mazhoranca do të respektojë çdo vendim të institucioneve të pavarura, lidhur me procesin zgjedhor të 8 majit. Nga mbledhja e grupit kuvendor demokrat, Berisha iu referua deklaratës së ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, ku shtoi se “ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kërkojnë nga forcat politike të vendit respektimin e plotë të shtetit ligjor dhe të institucioneve të pavarura të tij”. “Në këtë kontekst dua të theksoj para jush se, duke mbështetur plotësisht vendimet e institucioneve të pavarura, në vlerësim dhe gjykimin e procesit zgjedhor, dua të shpreh kënaqësinë dhe vlerësimin tim të madh për shkallën maksimale të transparencës së dëshmuar në këtë proces, vendosmërinë e palëkundur për të respektuar vendimet e institucioneve tona të pavarura. Pra takimi i Luksemburgut është një thirrje në interesin më të mirë të çdo qytetari të këtij vendi, të çdo force politike të këtij vendi. Është një ofertë jashtëzakonisht e rëndësishme, në mënyrë që procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian të ecë me ritmet e merituara. Uroj që të lexohet njëlloj nga të gjitha forcat politike të vendit. Garantoj partnerët tanë se qeveria do të bëj gjithçka për funksionimin e shtetit ligjor dhe respektin e tij, funksionimin e institucioneve kushtetuese, dialogun dhe bashkëpunimin kushtetues me opozitën dhe forcat politike të vendit”- u shpreh Berisha. Kryeministri tha se leximi drejt i çdo vote të qytetarëve shqiptarë dhe transparenca e votës së tyre, është dëshmi e qartë e funksionimit të shtetit ligjor. “Kjo që po ndodh në Shqipëri është dëshmi e pakundërshtueshme e funksionimit të shtetit ligjor. Ka qenë dhe bindja ime e palëkundur që ky shtet, në këtë vend, është shumë herë më i fortë nga ç’mund ta mendojnë, nga ç’mund ta vlerësojnë skeptikët. Këtë po e fakton në çdo hap. Ndaj dhe presim përfundimin e këtij procesi në kuadër tërësor institucional”- tha më tej kryeministri Berisha.
...