Ëndrra “me 14 maj, pamë fitoren e Edvinit” vazhdon...në selinë e PS-së
Një nga thëniet e popullit “opozitar” është se kur s’ke Ed Ramën, ke Ed Shalsin. Edhe pse nuk është e njëjta gjë: pula është gjithmonë më e mirë sesa sorra. Në një konferencë në natyrë deputeti socialist Edi Shalësi theksoi gjënë më të natyrshme në nahijen socialiste: “Më 14 Maj pamë të gjithë se fitues ishte Edi Rama”. Dhe se “kryeministri Berisha ka hapur një kapitull të turpshëm të zgjedhjeve në Shqipëri, pasi të gjithë e panë se fituesi ishte Edi Rama”. Mbrojtja e karriges së Edi Ramës është prioritet partie, kurse heshtja për faullin kushtetues të Ilir Beqjes, që i hoqi mandatin për shkak se përfitoi fonde publike kundër ligjit, ka kaluar në kalendat greke. Heshti më fort edhe Erjon Veliaj që nuk dërgoi asnjë letër elektronike drejt kolegëve të Tanja Fajonit. Heshti edhe Rudina Seseri që është në drejtim të paditur qëkurse hëngri dackën. Heshtën 63 deputetë, ish-miq, ish-kolegë, dhe ish-shokë të Ilir Beqjes. Heshti edhe Edi Rama. Një heshtje që flet më shumë.
Mirëpo heshtën për mikun, shokun dhe kolegun sepse e kanë të pamundur të heshtin përballë “armikut”, Sali Berisha. Sulmi retorik ndaj kryeministrit një ditë pas Asamblesë Socialiste, dëften çorientim total të politikës zyrtare të PS-së. Rutina e sulmeve verbale ndaj kryeministrit është një rikthim në “normalitetin” e opozitës. Dhe opozita, përveç PS-së, ka shkuar me leje të zakonshme, në pushime të parakohshme politike. Ramës i dhanë shumim, dhe prej kësaj dhënie pa kontratë humbën edhe dinjitetin e daljes në media. Ku janë avokatët e djallit që donin 13 mijë martirë? Ku janë Gjinushët, Ndokët, Milot? Humbën, dhe heshtë, si një gurë varri, që për epitaf kishte: erdhëm, pamë, humbëm.
Kllapia politike e Partia Socialiste, pas zgjedhjeve lokale të 8 majit është rezultati më i drejtë i një politik-bërje me skema artificiale.
Në pamundësi për të gjetur busullën e orientimit pluskojnë në moçalet e viruseve politike. Në seancën e parë të Asamblesë Socialiste, (seanca e dytë më 29 qershor), pati kritika mbi politikën e rrugës së ndjekur nga PS, kërkesa për të rikthyer në Parlament deputetët, si dhe vendimi i krye-kanibalisti Edi Rama për të aplikuar protestat dhe demonstratat si rrugë të vetme drejt BE. Thagma merr përmasa shqetësues kur kreu i opozitës thotë se rruga e demonstratave “çel” derën e Bashkimit Europian. Është e çuditshme të konstatosh këtë frymë pro-europiane të PS-së kur kanë më shumë se dy vite punë intensive kundër proceseve të integrimit.
Meqenëse e patën të pamundur të frenonin realizimin e ëndrrës shumëvjeçare të lëvizjes së lirë, Partia Socialiste ka vendosur të udhëtojë në autostradën e përbashkët. Sa i sinqertë ishte fjalimi i fundit i Ramës se Partia Socialiste është bartëse e misionit të integrimit në BE, këtë do ta kuptojmë në ditën në vazhdim. Edhe pse dalja për shtyp e deputetit Shalësi parathotë një dyfytyrësi të zakonshme. Është hipokrizia që zien në damarët e kuq të një Partie që gjithmonë e ka pasur të vështirë të ndryshojë nga mendësia e bllokadës, e bunkerit, me forcat tona, etj.
Sakaq bojkotimi i Parlamentit vazhdon të jetë ende në fuqi, për shkak se në konceptet politike të Ramës, diskutimi dhe debati kuvendar është një gjë e papërfillshme. Partia Socialiste nën drejtim Ramës ende s’ka propozuar një alternativë politike ndaj qeverisë Berisha. Për program dhe ide as që bëhet fjalë. Mjaftohen të formulojë teza konflikti përderisa delegjitimon për ditë qeverinë, shumicën, dhe investimet duke refuzuar të paraqesë ndonjë alternativë. Është deformuar politikisht aq shumë saqë drejtimi në rrugën e reformave duket e pamundur. Janë shumë ligje që duan një konsensus prej 84 votash, që do të çlironin energji dhe kapitale aq të nevojshme për t’i një marsh tjetër ekonomisë.