Sofa, eksperimenti social për alkoolistët
është ora 10.30 e mëngjesit në barin “Sofa” në një qytet në veri të Gjermanisë. Burrat që janë ulur në stolat në të majtë të lokalit sapo kanë përfunduar krikllën e parë të birrës, ndërkohë që në sfond dëgjohen tingujt e një kitare. Diku më tutje, një vajzë vazhdon të pijë krikllën e saj, që ende nuk ka shkuar në gjysmë dhe ndërkohë po e shoqëron me një cigare. Të zotët e lokalit vërdallisen lart e poshtë duke pritur porositë e reja. Bari është shtesa e fundit e shtetit social gjerman dhe është një sajesë e re, që në fakt ka tërhequr vëmendjen e shumëkujt, të shumë qyteteve të tjera, praktikisht të të gjithë vendit. “Sofa” ngjan me klubet apo pub-et e vogla që zakonisht frekuentohen nga klasa punëtore gjermane dhe në të konsumohet thuajse e njëjta sasi alkooli. Në të vijnë zakonisht rreth 70 persona që janë klientë të rregullt të moshave nga 18 deri në 70 vjeç. Në muret e pub-it varen postera të mëdhenj sportistësh dhe në një cep të tij ndodhet një ekran televizori, por që qëndron gjithmonë me zërin e ulur. E megjithëse në dukje duket një bar krejtësisht i zakonshëm, ai është ndryshe nga të tjerët. Në këtë bar, disa nga kostot mbulohen prej parave të taksapaguesve gjermanë që vijnë nga buxheti i bashkisë. “Sofa” është e ashtuquajtura dhoma e parë e të pirit në Gjermani ku mblidhen alkoolistët. Pjesa më e madhe e tyre kanë probleme serioze me alkoolin dhe disa lejohen që të sjellin edhe birrën e tyre të lirë me vete. Vetë bari servir vetëm kafe dhe pije joalkoolike. Për pjesën më të madhe të klientëve ky është një vend ku ata mblidhen dhe ndihen mirë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Deri më tani eksperimenti “Sofa” ka funksionuar. Alkoolistët e papunë, që njihen nga autoritetet dhe që më parë kanë pasur edhe konflikte me njerëzit e zakonshëm, për shkak të gjendjes së tyre, tashmë kanë një vend të caktuar ku të mblidhen pa trazuar të tjerët nëpër lokale të tjera ku njerëzit pinë pak, ose pinë pije joalkoolike. Kështu sot, në këtë qytet të vogël nuk sheh nëpër lokalet e tjera pijanecë. Ky ka rezultuar një eksperiment i suksesshëm. Kjo parajsë alkoolike ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve të qeverisë në të gjithë Gjermaninë. Shumë qytete gjermane kanë probleme të tilla dhe tashmë të gjithë duan që ta aplikojnë risinë e qytetit të vogël gjerman dhe ta shtrijnë këtë përvojë edhe në qytete më të mëdha të vendit. Shpesh pijanecëria dhe alkoolizmi janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën, sepse njerëzit që pinë dhe nuk heqin dorë prej saj kanë shumë më tepër shanse se të tjerët për të humbur vendin e punës, për shkak të sjelljes së tyre. Bëhet fjalë për një përvojë që ka rezultuar e suksesshme që në fillim të saj. Tashmë në këtë qytet të vogël gjerman nuk ka më konfrontime mes njerëzve që pinë dhe qytetarëve të tjerë, si dikur kur kishte incidente që mund të shkonin edhe në sherre të rënda. Tashmë gjithë ata që pinin rrugëve dhe bënin sherre kanë një vend ku të rrinë dhe ku të pinë pa trazuar të tjerët me gjendjen e tyre. Kjo përvojë është një bashkëpunim mes lokalit, bashkisë së qytetit dhe një qendre për rehabilitimin e të alkoolizuarve, e cila e quan këtë si një nga projektet më të suksesshme që ka pasur.
#