E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegjia dhe ligji për barazinë gjinore

Me ligjin që detyronte të gjitha kompanitë e vendit të kenë në bordin e tyre 40% të punonjësve gra, Norvegjia është shndërruar në një pioniere të barazisë në vendin e punës. Kur ligji u aprovua në Parlament, shumëkush e kritikoi atë si aspak praktik dhe jo të mençur. Por sot shumë vende janë në rrugë e sipër për të pasur të njëjtin legjislacion

Nora është një nga personazhet më të famshme të dramaturgjisë botërore. Ajo është personazhi i njërës prej dramave më të famshme të dramaturgut gjithashtu të famshëm norvegjez, Henrik Ibsen, “Shtëpia e kukullës”. Për herë të parë kjo pjesë teatrale u vu në skenë në vitin 1879 dhe në të rrëfehet historia e një gruaje që vendos të shkëputet nga roli i bashkëshortes dhe ai i mamasë. Në atë kohë të gjithë ata që e panë shfaqjen e konsideruan Norën “imorale” dhe “të shthurur”. Kjo pjesë bëri shumë bujë dhe ngjalli në atë kohë një debat të madh. Në ditët e sotme është një fakt i rrallë për norvegjezët që të shkaktojnë ndonjë debat ndërkombëtar. Ata zakonisht preferojnë që ta gëzojnë jetën në qetësi dhe paqe, nën hijen e fqinjëve të tyre skandinavë, danezë dhe suedezë. Por së fundi ata kanë zënë sërish faqet e para të gazetave ndërkombëtare. Dhe sërish në qendër të “stuhisë” ndodhen gratë, ose më mirë politikat që lidhen me punësimin e tyre. “Norvegjia është duke u shndërruar në një vend lider për sa u përket të drejtave të grave në botën e biznesit dhe të punës”, deklaroi shefi e Ministrisë së Fëmijëve, Barazisë dhe Përfshirjes Sociale, Audun Lysbaken, një nga figurat më prominente të Partisë Socialiste. Që prej disa muajsh, gazetarë nga e gjithë bota kanë mësyrë në zyrën e tij për të marrë diçka më shumë në lidhje me ligjin e shumëdiskutuar. Që nga viti 2008, ky ligj e ka kthyer në detyrim për të gjitha kompanitë që në bordin e drejtorëve dhe mbikëqyrësve të tyre të kenë 40% femra. Ato kompani që nuk do t’i përmbahen kësaj linje do të përballen me penallti derisa të përjashtohen krejtësisht nga bursa. Shefi i ministrisë thotë se e kanë marrë në intervistë dhjetëra gazeta dhe revista nga e gjithë bota dhe pjesa më e madhe e kanë pyetur se si ka mundësi që një vend i vogël si Norvegjia ndërmerr një masë të tillë. Ai është i bindur që ky ligj shumë shpejt do të gjejë reflektim edhe në vende të tjera dhe se ndërsa të gjithë vetëm flasin për barazinë e mashkullit dhe femrës në vendin e punës, Norvegjia ka vendosur ndërkohë me ligj për të dhe jo vetëm kaq, por po e përhap këtë shembull në të gjithë botën, sepse sipas ministrit asgjë nuk është më e fuqishme se sa fuqia e një shembulli konkret. Fillimisht, thotë ministri, të gjithë menduan se do të ishte shumë e vështirë që të gjeje gra të zonja për të përmbushur kriteret e kërkuara për të qenë të rëndësishme në vendimmarrje në një bord drejtorësh të një korporate të madhe, por shumë shpejt u pa se gra të shkolluara kishte me shumicë dhe ato vetëm sa ishin në pritje të rastit për të provuar veten në një botë të dominuar nga meshkujt. Një nga këto gra është Ase Aulie Michelet, një 57-vjeçare farmaciste, e cila ka një karrierë të gjatë dhe të frytshme si kryetare bordi. Në fakt, kur ajo ishte shefe ekzekutive e një firme të madhe, më e madhja në botë për sa u përket ilaçeve që dalin nga peshku, ajo dyfishoi vlerën e aksioneve të kompanisë në bursë. Ndërkohë, kritikët e këtij ligji thonë se gratë që ndodhen tashmë nëpër bordet e kompanive të mëdha, që në fakt janë rreth 300 në të gjithë vendin, janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën dhe favorizojnë mbi të gjitha karrierat tyre. Ndaj kësaj teorie ka kundërshtarë sikundër ka edhe mbështetës. Në fakt, me këtë ligj Norvegjia kërkon që në botë të mos njihet vetëm për naftën, por edhe për barazinë mes mashkullit dhe femrës që po promovon përmes ligjit.

Jo më kot ky ligj është duke u “imituar” edhe nga vende të tjera europiane. Spanja dhe Holanda kanë miratuar ndërkohë ligje të tilla dhe një numër vendesh të tjera po përpiqen shumë që të hartojnë ligje të ngjashme. Kjo lëvizje nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga Kombet e Bashkuara. Në fakt, ajo e rendit Norvegjinë në krye të indeksit të zhvillimit njerëzor, që vlerëson shkallën e civilizimit të një vendi. Një nga gjërat e tjera që tregon ky ligj, veç tentativës për më shumë barazi, është edhe fakti që njerëzit mund të ndryshojnë dhe sot më shumë se kurrë është koha për ndryshim.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›