Sofia erotike
Me rastin e botimit të dytë brenda disa muajsh të romanit “Nata e Sofie Kondilit”, romani më i ri i Koço Kostës dhe “Saga” e tij për dashurinë. Në konceptimin dhe zhvillimin e fabulës së romanit vihet re hulumtimi dhe sistemimi i ngarkesave të shumta psiko-erotike të cilat ngërthejnë formimin dhe edukimin e karakterit të personazhit kryesor të tij. Grumbullimi i tyre është aq i shpeshtë e i shumëllojshëm sa e bëjnë këtë prozë sa “të imët” aq edhe të vështirë. Një roman psikologjik që operon mbi dilema të shumëllojta e fatale e që i ngre ato në dukuri të gjera e përgjithësuese
Edhe këtë herë, Koço Kosta, autori që u “gëlltit” nga “Peshku i kuq” i diktaturës te novela “Ata të dy e të tjerë”, dëshmoi me romanin e tij të ri, “Nata e Sofie Kondilit” se i përket asaj race krijuesish që kohën e konvertojnë në vlerë dhe vlerën në artin e të gjitha kohërave. Me këtë tagër përfaqësimi, proza e këtij autori përvijon së fundi në letërsinë shqipe një “Sagë” të dhimbshme dashurie, e cila nis si një klithmë fati e përmbysur dhe përfundon si një fat i përçudnuar deri në marrëzi. Edhe fillimi edhe fundi i kësaj klithme janë si dy tehet e një thike që shpon tejpërtej ekzistencën e një shoqërie të caktuar, personazhet e të cilës bëhen protagonistët kryesorë të moralit të saj dhe viktima të tij të pashmangshme.
Në konceptimin dhe zhvillimin e fabulës së romanit vihet re hulumtimi dhe sistemimi i ngarkesave të shumta psiko-erotike të cilat ngërthejnë formimin dhe edukimin e karakterit të personazhit kryesor të tij. Grumbullimi i tyre është aq i shpeshtë e i shumëllojshëm sa e bëjnë këtë prozë sa “të imët” aq edhe të vështirë. Një roman psikologjik që operon mbi dilema të shumëllojta e fatale e që i ngre ato në dukuri të gjera e përgjithësuese. Esenca e kësaj dukurie është gjeografia e përrenjve të fshehtë erotikë, të cilët duke u derdhur në oazin e kthjellët të shpirtit femëror, të vrasin me buçimën e tyre shurdhuese. Duke ecur përmes këtij shurdhimi, faqe pas faqeje, “Nata e fundit…” e Koço Kostës na shfaqet si “Darka e fundit” e Leonardo da Vinçit. Një natë e spërkatur me tradhti dhe gjak të pafajshëm që rrjedh nga kurmi i protagonistëve të tyre engjëllorë. Ky paralel ngjashmërie midis gjinive të ndryshme të artit, në popuj të ndryshëm e në kohë të ndryshme, tregon marrëdhëniet e vërteta të një arti të vërtetë, mbështetur fuqimisht tek jeta reale e popujve. E mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, fati dhe antifati, tradhtia dhe ndëshkimi, janë “limfa” e gjallimit të tij të pacak. Dikush do t’i tradhtojë heronjtë e këtyre veprave. Do të kemi një Judë e një Miltiadh Bodini. E mbi të gjitha për hir të kësaj tradhtie, ata u bënë të njohur midis nesh. Si kudo nëpër vepra të ndryshme të autorëve botërorë shkruar nëpër shekuj, edhe këtu ka një mozaik ngjarjesh befasuese që të rrëqethin me moralin e tyre prej korbi dhe sfinksi. Janë pikërisht këto tipare dalluese të kësaj proze që Koço Kosta na i sjell këtë herë duke e pasuruar letërsinë shqipe me një nga personazhet më të rrallë të historisë së saj: Sofie Kondilin.
***
Në një fshat të humbur, në skajin më të largët të vendit, në një fshat të mbushur me shkëmbinj murrash, male të egra dhe fluturime të vetmuara stërqokash, një vend ku “Allahu e ka qëlluar me gurë e me shpella”, pikërisht në një vend të tillë të harruar nga Zoti, zbret një nuse ngarkuar me bukuri të rrallë, Sofie Kondili. Bashkë me kostumin e nusërisë, ajo ka hedhur mbi shpinë edhe gëzofin e zi të një fati tragjik nga më të vështirët në jetën e një femre. I shoqi, Delesh Maçi, është i paaftë për krevatin bashkëshortor. Nusja e re, rritur me përkëdhelje e ledhatime të pashtershme prindërore, përjeton ankthin e dëshirave të vrara në kulmin e tyre përvëlues. Përmes këtij përjetimi ajo lutet për një rast të volitshëm për të ndier afshin e një burri të vërtetë. Ky rast i jepet në një natë të ftohtë dimri kur në fshatin e tyre bujt një çetë partizane që kthehet nga një luftim i sapopërfunduar. Atë natë, i shoqi i Sofisë nuk ndodhej në shtëpi dhe ajo nuk refuzon trokitjen e derës nga dy djem partizanë. Njërin nga ata, Kristofor Kotullën, e pëlqeu që në vështrim të parë dhe realizon me të marrëdhënien e dëshiruar. Por dikush i përgjon nga dritarja dhe pikërisht njëri prej tyre, “garipi” i fshatit, Miltiadh Bodini. Kur ndahet me partizanin, ajo i jep atij si dhuratë një kësulë nuseje qëndisur me ar dhe një napolon floriri ia fut në këpucë, gjithashtu, si dhuratë. Dhe është pikërisht kjo dhuratë shkaku i tragjedisë së mëvonshme. “Garipi” fut lolon e fshatit të akuzojë partizanin për vjedhje. Kristofor Kotulla i nënshtrohet ligjit partizan të gjykimit dhe dënohet me pushkatim.
I gjithë fshati terrorizohet nga ky akt makabër dhe Sofie Kondili tjetërsohet në një arrati surreale. Në gjithë këtë ngjarje që zhvillohet brenda një ditë-nate 24-orëshe shfaqet një larmi e madhe elementesh psiko-erotike dhe moral të heroinës të cilët na i japin atë të plotë në të gjitha anët e saj të zhvillimit dhe argumentimit logjik e artistik.
ELEMENTET PSIKO-EROTIKE TË SOFISË
Sofie Kondili, personazhi kryesor i romanit, është një përzierje afshi dhe dëshire, një nevojë e transformuar në piskamë të ethshme dëshpërimi, shfaqur në cakun e një lamtumire rinore jo të natyrshme, kërcënuar nga burgu i mureve të shtëpisë, e dhunuar barbarisht nga i shoqi, një kafshë e vërtetë me fytyrë njeriu. Sofie Kondili gjen forca që natën e fundit të saj të realizojë ëndrrën e jetës: të flejë më një mashkull të vërtetë. Por, për të realizuar këtë moment, ajo nuk e ka aspak të lehtë me vetveten. Ajo kalon përmes një kalvari të gjatë kujtimesh lënguese, nëpërmjet të cilëve lexuesi njeh karakterin e saj, të drejtën për vendimin e marrë, arsyen e dëshirave epshore dhe mbi të gjitha prezantohet me potencën e saj femërore, e cila është vënë në gijotinën e mungesave të tjetrit. Një sakrificë kjo jashtë çdo logjike e që e çon individin drejt një skllavërie të fshehtë trupore.
Skllavja dhe skllavëria jepen në roman në një moment deciziv të jetës, në momentin vendimor të saj, në një kulm të tillë konfliktual ku zgjidhja e tij varet nga edukimi i personalitetit, nga psikologjia, forca morale dhe energjia e mobilizimit për luftë dhe sakrificë. Për të shkuar deri në një moment të tillë, në roman na jepen një sërë elementësh psiko-erotikë të cilët e shoqërojnë individin drejtë aktit të tij final. Këta elemente që na jep autori, mund t’i ndajmë në 4 grupe burimore: në elemente të burimit pastoral, floreal, lesbizmit dhe të paraardhësve.
ELEMENTE TË BURIMIT PASTORAL
Në këtë kategori fokusohen të gjitha instinktet erotike të gjallesave, të kafshëve shtëpiake, shpendëve dhe insekteve të ndryshme që gëlojnë pa ndërprerje në jetën e përditshme të botës pastorale. Kryqëzimet e çifteve, mbarsja e tyre, kontaktet seksuale përshkruhen me imtësi joshëse dhe tepër eksituese. Momenti i komunikimit të tyre, ndjeshmëria dhe gërhamat e thella të kënaqësisë trupore që burojnë nga çaste të tilla intime, janë konvulsione të ethshme të cilat përçojnë tek shpirti i Sofisë një rrymëz të hollë energjie, e cila shërben si element psiko-erotik të edukimit të saj në fushën seksuale. Efektet e këtyre elementeve janë nxitës vizual që përmbushin boshllëkun teorik të kësaj vajze të vetmuar dhe larg shoqërisë së meshkujve. Kësaj kategorie elementesh autori i kushton në roman faqe të tëra me detaje dhe skena intime.
“Pela fërgëlloi befas me padurim, hapi pak këmbët e pasme dhe mënjanoi bishtin dhe unë pashë atje... Dhe shpirti m’u ndez furtunë… Bëjnë… dashuri! Rënkoi Rita. Sa i bukur u bë kali”. Demi i racës, cjapi përçor, dashi që bën zap kopenë, madje edhe derri i therur si “kurban” i festës së Krishtlindjeve, e deri te gjeli i shkathët që mashtron pulat lozonjare në oborrin e shtëpisë, përfshihen në skena të tilla të mbushura plot me variacione dhe intimitet.
“…pulat po silleshin sikur s’dinin ç’të bënin! Kurse kokoshi i madh më erdhi para kërcinjve nën gjunjë dhe ngriti kokën, dhe unë e pashë se si u zgjua lafsha, po i delte zjarr! Dhe sikur do dërgonte afsh të kuq nga lafsha e kuqe atje lart në qiell. Pastaj fryu krahët e mëdhenj. Dhe thashë me vete: O Mëmë, ç’do të bëjë ky me mua, se nuk trembet dhe më preu udhën…”
Pamje të tilla të erotizmit pastoral “rrjedhin” në prozën e këtij autori “nxitimthi” për të lënë gjurmët e tyre të pashlyera në ndërgjegjen e vajzës së vogël Sofi, të cilat e mbushin botën e saj me përvoja të ndryshme e të larmishme, duke e nxitur atë për përjetime dhe zgjime të thella epshore.
BURIMI FLOREAL
Edhe bimësia jepet në roman në periudhën e plotë të çeljes. Pranvera dhe lëngëzimi, dielli dhe flladet, ngjyrat dhe fëshfërimat, përbëjnë pikat kulmore të përshkrimit të saj. Natyra lulëzon e tëra dhe tufakët e bimësisë edhe kur fshikin puplat e vajzës, sikur shkundin mbi to vesë pranverore të përzier me erotizëm. Pjalmimi i luleve përshkruhet njëherazi si proces natyral dhe erotik. Duket sikur mbi ngjyrat e gjithë këtij blerimi flladit fryma e shenjtë e bashkimit të femrës me mashkullin. Ngulmimi i autorit arrin deri atje sa të japë me hollësi ngarkesa emotive të shkaktuara pikërisht nga këto ndjesi. Termat e përdorur, fjalori i pasur e i zhdërvjellët, epitetet dhe vrulli frazeologjik që vërshon në shtresime të shumëfishta të tekstit, e kthejnë atë në një himn të vërtetë dashurie. Edhe pema e shegës krahasohet “si një vajzë e madhe e shëndoshë”. Ndërsa brumbulli është një “kalë i hazdisur që i turret lules së thereckës dhe i ngul thumbin e tij të fuqishëm”. Një nga personazhet e romanit, Babazoti, gjyshi i Sofisë, i referohet gjithashtu natyrës në përligjje të dashurisë. “Dhe tërë lulet, ç’të përhapin këtë aromë! Që të afrojnë insektet, që t’u japin lëng. Dhe, edhe ato të bëjnë dashuri, Shelege! Lulet! Se do edhe lulja, edhe druri të bëjë dashuri. Dhe kështu përhapin aroma dhe shkon insekti, dhe rrufit lëng, dhe merr e shpie pjalm dhe polen te mitra e lules tjetër. Eh, moj botë, çudi! E hë, mbahesh dot në këmbë pa dashuri, ti?”
Duket sikur Koço Kosta e shtrydh natyrën deri në qelizën e fundit të saj, për të rrëmbyer edhe pikën më të vogël të vlagës erotike. Kjo vlagë e përmbush tej e ndanë psikologjinë e personazhes, duke e bërë ndërgjegjen e saj më të pasur dhe më të plotë në argumentin logjik të pasqyrimit të vetvetes. Mbi këtë pasuri edukative të psikologjisë së Sofisë argumentohet edhe guximi i veprimit të saj të mëvonshëm në lidhje me marrëdhëniet me Kristofor Kotullën.
“Jeta shpeshherë është më artistike se ne”, - thotë Nobakovi. Mbi këtë parim, natyra e përshkruar me hollësi dehëse në prozën e Koço Kostës na mbush me “natyrë” artistike dhe gjithë mushti stinor i saj krijon “rrjedhën biologjike” e cila ngre në kult ëmbëlsinë e jetës mbështetur mbi ligjet natyrale të riprodhimit të saj.
ELEMENTE TË BURIMIT LESBIK
Një përvojë e tillë përbën një formë të veçantë dhe disi të çuditshme në psikologjinë e Sofie Kondilit. E veçanta qëndron në pasqyrimin e saj si element i ri në letërsinë tonë nga një autor, krijimtaria e të cilit u përket dy periudhave dhe e çuditshme bëhet për vetë rrethanat gjeografike dhe momentin e shfaqjes së këtij elementi. Është koha kur majave të moralit shqiptar valëvitet ende flamuri i mentalitetit primitiv, duke u “zgërdhirë” me vatrat e qytetërimeve. Shfaqja e tij përbën lirinë e virgjër dhe të shfrenuar të personazhit. Ky element tabu i soc-realizmit, vjen në faqet e këtij romani në formë të natyrshme dhe tepër korrekte. Çifti femëror Sofie-Rita është njëra nga linjat më interesante të tij. Ato dëshmojnë praktikat adoleshente të marrëdhënieve intime, midis dy botëve që rriten me joshjen epshore të trupit, të cilat shfaqen me droje dhe turp vajzëror. Shpesh Sofia ndihet e rezervuar dhe befasohet përpara veprimit të Ritës: “Rita donte akoma ajër, unë e ndjeva dhe, pas një çike, u mundova të fshehja fytyrën, që të mos bëhesha palo vajzë… O, mos, jo!, - I thashë dhe lëviza gjurin e djathtë atje në shtroja, dhe ndjeva shumë frikë, u rrëqetha”.
E, megjithatë, ngurrimi i saj nuk zgjat shumë, pasi vala e epshit trupor gjallon aq tepër gjakun e ri, sa ia rrëmben asaj ndërgjegjen dhe ia kthen në viktimë të trupit të vet. Ndjesia e shfrenuar femërore kthehet kështu në një shtysë të thellë instiktive e cila realizon një kujtim të fshehtë, por që në kontekst të procesit edukativ, ajo ka fituar një përvojë të veçantë intime.
“Qemë hedhur nëpër lakuriqësinë e ngrohtë e të ëmbël. Trupat tanë, pothuaj, ishin berbeculë dhe të dy qenë bërë të rrëshqitshëm dhe lakmonin me ëh, njëri-tjetrin, dhe, sa aromë të mirë, o Shën Mëri! Kundërmonin, sa aromë të mirë!
Unë isha lëshuar fare dhe kisha lënë Ritën të bënte ç’të donte me mua. Se doja. Dëshiroja!”
Por nëse ky element përbën çapkënllëkun e saj rinor, si një cak gjykimi, funksionin më të plotë të tij e luan tregimi për lesbiket orientale, Gylshen e hanëmet, që vijnë në roman nëpërmjet rrëfimeve aventureske të Babazotit të cilat Sofia i dëgjon tinëz kur i gjyshi flet si në jerm. “Gjylshen hanëmi ishte ngritur edhe ajo dhe qëndronte në këmbë e gëzuar… Pas ca, si iu afrua akoma, i hodhi dorën te shpatullat dhe ia rrëshqiti gjer poshtë te vithkat, dhe u harrua, sikur aty të qenë vetëm ato të dyja, dhe turkesha njomëzake e nuhaste me mjekrën e saj, sikur i jepte gushën Gylshen hanëmit! Sikur i jepej!”
Të dyja këto tablo krijojnë ngarkesa psiko-erotike që e përmbushin në planin e vet human edukimin e personazhit, ndryshe nga plani i tij i mëparshëm natyral.
ELEMENTE TË PARAARDHËSVE
Me këtë kategori duhet të kuptojmë skenat intime të prindërve, të Babazotit (gjyshit), të plakës Agllai dhe të motrës së Ritës, të cilat kanë krijuar në kujtesën e saj vatra të nxehta kujtimesh, në “hirin” e të cilave “shpupuriten” “dallëndyshet” e para të pranverës erotike të vajzës. Në ngarkesat psikologjike të kësaj fushe përfshihen imazhet e krijuara nëpërmjet përfytyrimit të gjallë të skenave që vajza i ka vëzhguar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ato të dëgjuara nga të tjerët. Në pjesën e parë përfshihen ngarkesat e marra nga marrëdhëniet intime të prindërve, kurse në pjesën e dytë, përfshihen rrëfimet e Babazotit për Gylshen hanëmin dhe ato të Ritës për të motrën me të fejuarin e saj. Skenat që lidhen me intimitetet e prindërve përbëjnë një shtresim të plotë dhe të ndjeshëm në edukimin psiko-erotik të vajzës.
“Afromu, - i tha mëma ime babait me të pëshpëritur. - Nëma gojën…”
Jeta në emigracion e Babazotit, mbushur me dëshmi të çuditshme dhe befasuese për njohjen e kohës, duket sikur ka më shumë intensitet në përshtypjen e saj në psikologjinë e Sofie Kondilit. Nëpërmjet tregimeve të plakut ajo hap një dritare tjetër erotike për të parë botën përtej kohës dhe mundësive të saj reale.
“Ajo pastaj u tërhoq, vuri shpatullat prapa derës dhe lëshoi në dysheme atë veshje të hollë, dhe m’u var e tëra, dhe seç thoshte në një turqishte tjetër, dhe… U rrëzuam të dy! U rrokullisëm nëpër shtrat! Ajo kishte uri; shumë… përdridhej e ngjitej sikur donte të hynte brenda meje, nën lëkurën e trupit tim, dhe duke lëvizur e u përdredhur, pa u ndalur një grimë, trupi i saj i avullt klithte e rënkonte i tëri, dhe ajo vazhdonte të afshërohej dhe të kërkonte gojën time…”
Një përshtypje të tillë përbëjnë edhe tregimet e Ritës për veprimet e përgjuara në marrëdhëniet e së motrës me të fejuarin.
“I fejuari i motrës sime s’e lëshonte motrën time, por unë e dëgjova kur i fryn brenda buzëve, brenda në goj딅
Një moment interesant përbën këtu edhe marrëdhënia e njeriut me kafshët. Një histori e çuditshme plot marrëzi dhe verbëri epshore, e cila përshkruhet në marrëdhëniet seksuale të Agllaisë me kërriçin e gomarit.
“Kafshës i dridhej shpina dhe donte të lëvizte, po nuk lëvizte dot se qe i lidhur. Lëvizi Agllaia…”
Herë-herë, këto elemente marrin një zhvillim dytësor, shfaqur në planin produktiv të kryqëzimit. Pra kemi një jehonë të nevojës së mëmësisë, një konflikt natyral shkaktuar nga mosgjenerimi i jetës, nga mosprodhimi i saj. Argumenti i Sofisë këtu përplaset me mentalitetin e kohës midis skllavërisë së individit dhe dëshirave të tij për të jetuar dhe gëzuar jetën. Një nga kulmet e këtij momenti, jepet në lidhje me dade Peçon.
“Ja, polli mëshqerra, - tha ajo. Polli se kishte dem…dhe do kënaqet si mëmë tani”…
Edhe ky element vihet në funksion të mendimit logjik të Sofisë, si argument për të shprehur pakënaqësinë dhe boshësinë e saj familjare. “Shtëpia e femrës duhet të jetë e burrit”, - thoshte dade Peçua. “Të kem shtëpi me burrë e jo një odë me kujtime, - mendonte Sofija. – E ç’mallkim më të madh mund të lëshojë Zoti, se sa të mos arrish e të bëhesh mëmë?”
Sofie Kondili mbulohet me trishtim edhe nga kjo anë logjike e jetës. “Unë u rrita që të martohem e të fle me mashkull e jo me kac burrë!...Unë dua burrë. Lojta”
Të gjitha këto elemente konvergojnë në një rezultante të padukshme që ka formën e një spiraleje me kulm në natën e fundit të saj. Sofia e ndjek vragën e tyre, herë-herë në mënyrë të vullnetshme, herë-herë në mënyrë rraskapitëse gati si e përdhunuar. Në këtë makth kulmor, kemi përzierjen ngushëlluese të nevojës për seks, të nevojës për mëmësi dhe të nevojës për dashuri sublime.
“Seksi, - thotë Markez, - është ngushëllim kur nuk të përqafon dashuria”.
Sofie Kondili ka një trandje të thellë shkaktuar nga mungesa thelbësore që shkojnë deri në revolta shpërthyese. Por nata e fundit e saj përfaqëson vetëm plotësimin momental të njërës prej këtyre mungesave, seksit. Realizimi femëror i Sofie Kondilit, plotësia e saj e gjithanshme është një dramë e thellë njerëzore e cila shkon përtej një nate të bardhë “perëndie”, të mbushur me kujtime dhe seks. Është një trajtë jete e devijuar fatalisht për hir të kurorës, duke shkaktuar konfliktin brenda saj.
Konflikti i kurorës ka qenë gjithmonë i lidhur me moralin dhe është ndëshkuar përherë në letërsinë shqipe, duke u paraqitur prej saj si një realitet i rremë dhe pikërisht për këtë arsye romani sjell një personazh të kompletuar me të gjitha elementet përbërëse të kësaj natyre. Ai jepet në roman si një konflikt midis moraleve që vendosen ditën dhe nevojave që shpërthejnë netëve.
Tradhtia bashkëshortore në “natën e fundit”, nuk është tradhti, ndërsa guximi i treguar për të marrë vendimin e përshtatshëm në funksion të saj, është rezultantja logjike e të gjitha ngarkesave psiko-erotike të kësaj krijese, e cila nuk i nënshtrohet asnjë protokolli kanunor dhe asnjë morali që bie ndesh me zhvillimin e kësaj lirie. Janë pikërisht këta “përrenj” të fshehtë erotikë të cilët duke vërshuar me buçitma shurdhuese, mbushin oazin e kthjellët të shpirtit femëror të Sofisë. Në këtë këndvështrim, pra, romani “Nata e fundit e Sofie Kondilit” sjell një prurje të re dhe krejt të parrahur në letërsinë tonë.