E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis lobimi për 4 vendet vakante në KLD, kandidojnë 14 gjyqtarë



Data e Konferencës Kombëtare Gjyqësore është caktuar për 27-28 shkurt, mbledhja mund të shtyhet për shkak të shfuqizimit të ligjit 9399. Mbledhja tjetër parashikohet në mars, pas përgatitjes së ligjit nga Ministria e Drejtësisë

Fillon lufta për katër vendet që pas disa javësh shpallen vakante në KLD. 27-28 shkurt do të jenë datat e caktuara kur do të mblidhet Konferenca Kombëtare Gjyqësore, e cila, nga sa flitet mes rrethit të gjyqtarëve, është e destinuar të dështojë. Shkak, sipas burimeve në gjyqësor, është shfuqizimi i ligjit për Konferencën Kombëtare Gjyqësore, çka e bën gati të pamundur zhvillimin normal të saj në datën e caktuar. Megjithatë, ndonëse mbledhja do edhe 20 ditë, gara ka filluar dhe kandidatët për këto vende vakante janë vetëshpallur, duke dorëzuar edhe kurrikulat për konkurrim. Të paktën deri dje, numri i kandidatëve që kanë shpallur ambicien e tyre për këto vende, si dhe kanë paraqitur kërkesën për të kandiduar ka shkuar në 14 gjyqtarë. Në të njëjtën kohë me shpalljen e kandidaturës për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, prej kandiduesve ka nisur edhe lobimi mes kolegëve. Nga burime brenda gjyqtarëve bëhet e ditur se gara parashikohet të jetë mjaft e fortë, pasi edhe kandidaturat e deritanishme janë potenciale. Numërohen disa gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës dhe bëhet fjalë për Artan Brocin, Gjin Gjonin dhe Artur Gaxhin. Lista e kandidatëve pasohet nga disa drejtues në gjykatat e apelit në rrethe, si Marie Qirjazi nga gjykata e Gjirokastrës, Entela Prifti nga Apeli i Korçës, tri kandidaturat nga gjykatat e Shkodrës, që janë Hasan Selimi, Luan Dervishi dhe Lindita Hoxha, dy kandidatura nga gjykatat e Durrësit, që janë Dhurata Bilo dhe Shpëtim Reka, Ibrahim Hoxha nga gjykata e Beratit, si dhe Agron Papajani nga gjykata e Pogradecit.

Mbledhja

Mbledhja e gjyqtarëve për Konferencën Kombëtare Gjyqësore është përcaktuar për t’u zhvilluar në datat 27-28 shkurt, ku pritet të marrin pjesë 366 gjyqtarë nga të gjitha gjykatat e vendit, si dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Mirëpo, 20 ditë para fillimit të saj, zërat në gjyqësor flasin për një dështim të saj. Shkak, sipas burimeve nga radhët e gjyqtarëve, është shfuqizimi i ligjit që e bën të mundur mbledhjen e kësaj konference. Megjithatë, nuk është thënë fjala e fundit dhe nëse kjo mbledhje do të zhvillohet nën drejtimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, atëherë do të garohet vetëm për tri vende vakante, atë të Edmond Islamajt, Admir Thanzës dhe Besim Trezhenjevës. Më pas, Konferenca Kombëtare Gjyqësore do të duhet të rimblidhet sërish dhe gara të fillojë për një tjetër vend vakant, atë që mbetet bosh pas përfundimit të mandatit të Armando Subashit në mars të këtij viti. Por, sipas gjyqtarëve, ka gjasa që kjo Konferencë të lihet për t’u zhvilluar në muajin mars, pasi të miratohen ndryshimet e propozuara në ligjin për Konferencën Gjyqësore. Ky ligj është duke u përgatitur në Ministrinë e Drejtësisë, e cila do të përcaktojë rregullat e funksionimit dhe votimit nga gjyqtarët. Sipas ligjit, gjyqtarët e zgjedhur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë duhet të kenë shërbyer në detyrë për të paktën dhjetë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, duhet të jenë juristë, jo gjyqtarë, me të paktën 15 vjet përvojë. Përjashtohen nga shërbimi në KLD prokurorët, “anëtarët e organeve drejtuese apo ekzekutive” të partive politike ose ata që aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e avokatisë në gjykatën e shkallës së apelit apo të rrethit.

Kandidatët për vendet vakante

Gjin Gjoni, Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë

Artan Broci, Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë

Artur Gaxhi, Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë

Marie Qirjazi, Gjykata e Apelit, Gjirokastër

Entela Prifti, Gjykata e Apelit, Korçë

Dhurata Bilo, Gjykata e Shkallës së Parë, Durrës

Shpëtim Reka, Gjykata e Shkallës së Parë, Durrës

Hasan Selimi, Gjykata e Shkallës së Parë, Shkodër

Luan Dervishi, Gjykata e Apelit, Shkodër

Lindita Hoxha, Gjykata e Apelit, Shkodër

Ibrahim Hoxha, Gjykata e Shkallës së Parë, Berat

Agron Papajani, Gjykata e Shkallës së Parë, Pogradec

Anëtarëve që u mbaron mandati

Edmond Islamaj

Admir Thanza

Besim Trezhenjeva

Armando Subashi

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin 9399 si të papajtueshëm me Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa muaj më parë si antikushtetues ligjin nr. 9399 “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, të miratuar gjatë qeverisjes socialiste. Ankimuar nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Kushtetuesja pranoi pretendimet e tyre për përfshirjen në Konferencën Kombëtare të Gjyqtarëve të të gjitha niveleve, si dhe miratimin e një ligji që parashikon funksionimin e këtij organi me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. “Argumentet kryesore të kërkuesit lidhen me pretendimet për mosparashikimin nga ligji, objekt shqyrtimi të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, si një organ gjithëpërfshirës, në përbërje të së cilës duhet të marrin pjesë gjyqtarë të të gjitha niveleve, si dhe në mosrespektimin nga ligjvënësi të procedurës së miratimit të një ligji që parashikohet në nenin 81, pika 2, shkronja ‘a’ të Kushtetutës”, - thuhet në vendimin e Kushtetueses. Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin nr. 9399. Kontestimi i këtij ligji erdhi pak kohë para nisjes së procedurave për zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore, të cilëve u mbaron mandati në shkurt dhe mars të këtij viti. Ligji në fjalë është ankimuar nga SHKGJ-ja fiks tre vjet pas miratimit të tij në maj të vitit 2005-s. Përfaqësuesi i saj në Kushtetuese, gjyqtari Klodian Rado, në seancën e parë të çështjes theksoi se ligji në thelb prek pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe nuk përfaqëson vullnetin e gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Pjesëmarrja, sipas tij, në Konferencën Gjyqësore e anëtarëve ex-office, pra gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, kryetarët e gjykatave të apelit dhe të shkallëve të para, lejon mundësimin e ndikimit të ekzekutivit mbi pushtetin e pavarur të gjyqësorit. Në këtë mënyrë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese votimi i emrave për kandidatë të KLD-së nuk do të bëhet më vetëm nga delegatët, por nga të gjithë gjyqtarët e Republikës. Konferenca Gjyqësore është një organ i rëndësishëm i pushtetit gjyqësor, për sa kohë nga mbledhja e saj dalin 9 anëtarë të KLD-së, numër i konsiderueshëm për vendimmarrjen e KLD-së.

Kushtetuta

“KLD-ja përbëhet nga Presidenti i Republikës, kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi si dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për 5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.

Presidenti i Republikës është kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij një zëvendëskryetar. Zëvendëskryetari organizon veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe kryeson mbledhjet e tij në mungesë të Presidentit të Republikës”.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos për transferimin e gjyqtarëve, si dhe për përgjegjësinë e tyre disiplinore sipas ligjit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›