E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportet me SHBA-të si test elektoral i Berishës



Ka kaluar çdo parashikim të mundshëm, duke i lënë të befasuar të gjithë në mënyrë të veçantë kundërshtarët e tij politikë. Rezultati i shkëlqyer që Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka arritur në vizitën e tij në SHBA menjëherë pas ardhjes në pushtet të Presidentit Obama, nuk ka nevojë për shumë koment. Por ajo që dua ta diskutojmë më poshtë, janë efektet e kësaj vizite në zhvillimet e brendshme në Shqipëri pas kalimit të një testi të rëndësishme nga qeverisja “Berisha” dhe politika e tij në këto katër vite të pushtetit. E kam theksuar edhe herë të tjera se suksesi në marrëdhëniet ndërkombëtare të z. Berisha ka qenë pa dyshim më i papranuari dhe më i sulmuari politikisht dhe mediatikisht nga opozita. Pati përpjekje të hapura nga opozita dhe mediat e saj për ta paraqitur ndryshimin e pushtetit në SHBA si një situatë të pafavorshme për qeverinë e zotit Berisha dhe sidomos për pozitën e mazhorancës në zgjedhjet e ardhme parlamentare. Deklarimet e ekspertëve dhe politikanëve se politika e SHBA-së ndaj Shqipërisë nuk ndryshon, u injoruan nga politika dhe mediat e majta që parashikuan e ndoshta edhe e besuan realisht një ftohje apo edhe një izolim ndërkombëtar të z. Berisha si e vetmja shpresë e tyre për zgjedhjet e qershorit. Nuk duhet mohuar fakti që një propagandë e tillë të kishte efekte në zona e shtresa të painformuara të elektoratit shqiptar, kryesisht në zonat rurale ku është përqendruar prej kohësh fushat e lidershipit të opozitës. Propaganda mediatike e politike vazhdoi me egërsi përpjekjet e saj për zhvleftësimin e raporteve ndërkombëtare të qeverisjes “Berisha” edhe në ditët e para te vizitës së Kryeministrit në SHBA, duke shpresuar një dështim të saj, gjë që u rezultoi e kundërt. Ajo që bën përshtypje, është pa dyshim heshtja, pothuaj varri, e opozitës dhe mediave të saj pas përfundimit të suksesshëm të vizitës së Berishës në Uashington.

Natyrisht që rikonfirmimi i raporteve të shkëlqyera të Kryeministrit Berisha me administratën amerikane edhe pas ndërrimit të saj, ka për bazë jo preferencat personale, por rezultatet në politikat qeverisëse, vlerësimi ndërkombëtar i të cilave është pa dyshim testi më i sigurt edhe për politikën shqiptare. Kur SHBA-të vlerësojnë e mbështetin qeverinë shqiptare, ato nuk kanë parasysh individët, por vizonin, kontributin dhe rezultatin e tyre në detyrat politike që ata kanë marrë përsipër. Në këtë këndvështrim, nuk ka dyshime se z. Berisha është më i vlerësuari.

Mendoj se rikonfirmimi i raporteve të Berishës me administratën amerikane është tejet i rëndësishëm sidomos elektoralisht. Dihet që shqiptaret janë një nga popujt më pro-amerikanë në botë, gjë që u jep raporteve dhe vlerësimeve të SHBA-ve ndaj politikave dhe politikanëve në Shqipëri një rëndësi specifike. Vlerësimi nga vendet perëndimore, në veçanti nga SHBA-të, ka rëndësi edhe për faktin se standardet me të cilat ato matin arritjet, në rastin konkret të qeverisë “Berisha”, janë pa dyshim më të saktat, më të mirat, më të besueshmet. Këtë e pranon edhe vetë opozita dhe mediat e saj që e kanë mbështetur luftën e tyre ndaj qeverisë pikërisht tek ndonjë vërejtje apo pakënaqësi të përfaqësuesve nga më të rëndomtët ndërkombëtarë, të cilat i paraqiten opinionit si raporte zyrtare me partnerët euroatlantik . Mirëpo është pikërisht kjo politikë e mbështetur pas ndonjë rresht kritik spontan nga deklarimet apo raportet ndërkombëtare dhe manipulimit mediatik të tyre për zhvillimet në Shqipëri që duket se u është kthyer në bumerang pas suksesit të Berishës në SHBA. Gjithsesi, nuk besoj se përkrahja ndërkombëtare është e vetmja armë e rikonfirmimit të paarritshëm të qeverisjes “Berisha” në qershor. Por siç e theksova më lart, e parë si vlerësimi më i besueshëm i qeverisjes katërvjeçare, përbën një start pothuaj të pakonkurrueshëm politik për zotin Berisha dhe politikën e tij në garën elektorale të qershorit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›