E Diel, 1 Nëntor 2026

Sokol Balla, studim akademik mbi fjalën e lirë

Problematikat dhe sfidat e mëdha të lirisë së shtypit, zhvillimi i industrisë së medias dhe raportet e reja gazetarë-pronarë, ndikimet në linjat editoriale, propagandimi, marketingu etj. ...janë çështjet që gazetari Sokol Balla ka shtruar detajisht në librin e tij më të ri “Fjala e lirë-Sfidë europiane”, i cili u promovua dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës.

Sokol Balla, studim akademik mbi fjalën e lirë

Në kohën kur kërkojmë integrimin europian, në kohën kur raportet e BE-së kritikojnë më ashpër se vite të tjera median, në kohën kur industria e zhvilluar e medias me gjithë të ardhurat e shitjeve mediatike nuk mbulon kostot e sistemit, kur konfliktet mes botuesve dhe gazetarëve në Shqipëri mbulohen për shkak të interesave ekonomike, në kohën e shpenzimeve të mëdha në dispozicion të marketingut, PR-it, etj., të cilat i trazojnë edhe më ujërat e situatës së shtypit në vend, në kohën kur zhvillimi i marrëdhënieve publike ngre pyetjet skeptike mes propagandës apo transparencës së aktiviteteve të zgjeruara qeveritare, bashkiake, apo të firmave të ndryshme, fjala e lirë mbetet ende çështje delikate. Një çështje të cilën Sokol Balla pas trajtimit në temën e diplomës Master në Universitetin e Kardifit e solli dje në librin “Fjala e lirë, sfidë europiane”, i cili trajton të gjitha problematikat e lirisë së shprehjes dhe të medias në Shqipëri. Në promovimin e librit në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës ishin të pranishëm ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, z. Alexander Arvizu, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlwham, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, gazetarë, botues, pronarë të mediave të ndryshme në Shqipëri, si edhe akademikë. “Dikur, flas për ne gazetarët që e kemi nisur karrierën në fillim të viteve ’90, diku nga fundi i viteve ’90 kemi pasur një armik, një përbindësh dhe ai ishte qeveria apo autoritetet. Besoj se sot gjërat janë shumë më të komplikuara se aq, industria e medias është zhvilluar dhe është pjesë e një globalizimi që ka kapur të tërë sektorët dhe e ka bërë më të komplikuar çështjen e ndikimit në linjat editoriale”, u shpreh gazetari Sokol Balla gjatë ceremonisë së promovimit të librit, i cili bën pjesë në kolanën e botimeve UET Press. Në libër ai ka përfshirë një anketim të mbi 150 gazetarëve shqiptarë dhe shqetësimet e shprehura nga ata janë shumë herë më të forta se ato të njezët viteve më parë. “Sot kemi pronarët e mediave, megjithatë unë mendoj që nuk janë e keqja më e madhe që i ndodhin industrisë së medias. Ndoshta pa pronarët e medias nuk do të kishim fare media në Shqipëri”, shtoi ai. Një nga problemet që Balla evidenton fort është vendosja e një raporti të drejtë të gazetarëve me pronarët e mediave, sidomos në kohën kur Raporti i fundit i BE-së per median ishte më kritik se herët e tjera dhe shikonte një përkeqësim të lehtë në raport me vitet e mëparshme. Libri sjell një qasje interesante, pasi sipas Ballës vetë Europa po përjeton një moment kritik për sa u përket shqetësimeve të lidhura me lirinë e medias dhe me lirinë e fjalës. “Kështu, si Shqipëria, edhe media e saj, gjithashtu, janë duke u këshilluar nga Brukseli që të ndjekin modelin europian, një adaptim ligjor dhe social, në një kohë kur vendi po synon të integrohet në BE, Europa vetë jo shpesh ofron një model me një situatë jo më pak problematike, kur vjen puna te liria e medias dhe te industria e Medias.”- thotë ai në preambulën e librit. Në parathënien e tij, Henri Çili shtron tri konsiderata që ky libër prezanton për publikun shqiptar. Së pari, tashmë ne jemi një hap më para, pra nuk kemi më dhunën fizike ndaj gazetarëve si ajo e fillimviteve ‘90. Konsiderata e dytë që trajton libri vë në qendër të problematikës së lirisë së shtypit faktorin ekonomik. Sipas tij, problemi kryesor është mënyra sesi financohet media në Shqipëri. Megjithëse ajo është kryesisht me humbje, paradoksalisht është një nga sektorët që nuk falimenton. Konsiderata e tretë lidhet me zhvillimet shumë të shpejta të teknologjive të komunikimit masiv dhe disiplinave si marrëdhëniet me publikun dhe marketingun, dhe këtu shtrohet çështja e dallimeve mes lajmit si produkt i interesit publik dhe lajmit si produkt i përpjekjeve marketing dhe atyre të marrëdhënieve me publikun. “Për të gjitha këto, për ta përballuar lirinë e shprehjes si ‘një sfidë europiane’, siç e titullon Sokol Balla këtë libër, del nevoja e konsiderimit të çështjes përtej problemeve klasike që ka patur deri tani e ka edhe sot media në Shqipëri. Ky libër, i ndërtuar mbi një hulumtim autentik, në të vërtetë i hap të gjitha këto pista diskutimi.”- thotë Henri Çili në parathënien e librit.

Sokol Balla: Pronarët nuk janë e keqja më e madhe e medias

Ky libër është vetë pjesë e bursës Chevening, e cila kërkon që ne që mbarojmë këtë bursë të japim kontribut edhe në vendet tona. Unë besoj, me modesti, jam përpjekur të bëj diçka të tillë dhe natyrisht vlerësimet do të jenë të kritikës dhe atyre që do ta lexojnë. Do doja të falënderoja ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar. Do doja ta nisja me falënderimet për Henri Çilin dhe UET-in, i cili ngrihet mbi problemet e vogla të realitetit tonë të mërzitshëm dhe arrin të zbulojë ato vlera që do t’i rezistojnë edhe kohës. Forumin e mendimit të lirë që e mbështeti këtë projekt, së bashku me një udhëtar të kahershëm të karrierës së shumë gazetarëve, siç është fondacioni “Soros” dhe Shoqëria e hapur për Shqipërinë. Të gjithë miqtë e huaj dhe shqiptarë, majtas dhe djathtas, që janë në ceremoni. Siç mund ta lexoni në këtë libër, shqetësimet që kanë sot gazetarët janë shumë më të forta se ato që kemi pasur ne në mënyrë romantike në vitet ’90, kur kishim vetëm policinë dhe qeverinë. Sot kemi pronarët e mediave, megjithatë unë mendoj që nuk janë e keqja më e madhe që i ndodhin industrisë së medias. Ndoshta pa pronarët e medias nuk do të kishim fare media në Shqipëri. Problemi është në çfarë raporti do e vendosim ne pronësinë e medias, bizneset e tjera, rolin tonë si gazetar. Raporti i fundit i BE-së për median ishte pak më kritik se herët e tjera dhe shikonte një përkeqësim të lehtë në raport me vitet e mëparshme. Ky libër i përfshin të gjitha këto. Jep dhe mendimet e propozimet e veta komunitetit të gazetarëve sesi duhet të dilet prej këtej. Ky është një libër që duhet të bëjë të reflektojnë jo vetëm gazetarët, jo vetëm pronarët, jo vetëm politikanët, por edhe gjykatësit e avokatët, pasi rruga drejt Europës nuk është një rrugë ku na çon vetëm klasa politike, aty duhet të shkojmë të gjithë ne. Për t’iu përgjigjur njërës prej pyetjeve cinike të Çilit për raportet midis nesh dhe rrogave që marrin te pronarët, këtë libër ia dedikova njërit prej fëmijëve të mi që lindi gjatë kohës që unë e shkruaja këtë libër. Natyrisht që fëmijët e mi kanë nevojë për rrogën që unë marr në vendin ku punoj, por unë do doja që fëmijët e mi të rriteshin në një vend të lirë dhe një vend i lirë nuk mund të jetë i tillë, nëse fjala nuk është e lirë, aq më tepër kur duam të shkojmë në Europë.

Botues i UET Press

Henri Çili: Çështjet e lirisë së shtypit në një kontekst të ri

Unë personalisht e kam lexuar librin në pozitën e botuesit, kam bërë në fillim dy ose tri konsiderata ndoshta cinike, por po i them edhe këtu. E para është: Ka ardhur koha për një debat të ri për lirinë e shtypit në Shqipëri, me qasje të reja në ndryshim me problematikat e vjetra që ka pasur liria e shtypit në Shqipëri. Çështë e vërteta, sot këto problematika janë shumë më të komplikuara, shumë më të sofistikuara dhe ndoshta duken romantike burgosjet apo rrahjet e viteve ’90. Këtu kam shtruar tri pyetje, mendoj cinike. E para: “Në kushtet kur kemi një industri të zhvilluar të medias dhe në kushtet kur në një farë mënyrë të ardhurat e shitjeve mediatike nuk mjaftojnë për të mbuluar kostot e sistemit, a mos shpjegohet mungesa pothuajse e plotë e konfliktit midis botuesve dhe gazetarëve në Shqipëri me identifikimin e interesave të këtyre të dyve në mënyrë që mekanizmi ekonomik i medias në Shqipëri të ecë përpara ?!” Pyetja e dytë cinike: “Në kushtet e shoqërisë së shërbimeve, shoqërisë së zhvilluar, a mos shpenzimet e mëdha që kompanitë vënë në dispozicion të marketingut, të PR-it etj., kontribuojnë në ‘turbullimin e situatës së shtypit’ dhe a mund të ndalohen këto praktika?”. Pyetja e tretë cinike: “Në kushtet e zhvillimit shumë të fortë të marrëdhënieve publike në tërësi a është propagandë apo transparencë, për shembull, aktiviteti i zgjeruar qeveritar, bashkiak, i firmave të ndryshme?” Të gjitha këto na bëjnë gjithësecilin që ta rimendojmë çështjen e lirisë së shtypit në Shqipëri dhe ta vendosim në një kontekst të ri për të qenë më efikas, për të modifikuar praktikat ligjore, standardet etike në raport me lirinë e shtypit në Shqipëri.

Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Shqipëri

Fiona McIlwham: Një libër që do të nxisë edhe më shumë debate

Jam e lumtur që jam sot këtu, për dy arsye. Bursa Chevening është një bursë prestigjioze, e cila përfitohet me shumë vështirësi. Mund të themi që përfituesit e mëparshëm përfshijnë presidentë, ministra dhe njerëz vendimmarrës në të gjithë botën dhe padyshim kemi një numër të tillë edhe në Shqipëri. Flas në emër të paraardhësve të mi dhe mund të them që ka pasur një moment ku u vu në dyshim përfundimi i këtyre studimeve, por ai e përfundoi Masterin e tij dhe ky libër është rezultati i diplomimit me ‘Master of Arts’ në Unviersitetin e Kardifit. Ky është një urim i parë për të. Dua ta përgëzoj edhe për këtë kontribut për debatin e madh mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri. Liria e shprehjes dhe e medias është gur kilometrik për demokracitë e forta dhe i tillë është edhe për Mbretërinë e Bashkuar. Jemi krenarë për institucionin e BBC-së, por, siç e kemi parë edhe nga zhvillimet e fundit në Britaninë e Madhe, asnjëherë nuk mund të jesh i kënaqur dhe të thuash që ke arrtiur maksimumin përsa i përket standardeve të lirisë së medias. Përsa i përket disa aspekteve të librit mbi pronësinë e medias dhe influencat mbi to, ky nuk është fenomen vetëm në Shqipëri. Në të gjitha demokracitë e reja roli i medias është kritik dhe analizat mbi rolin që ajo luan është gjithaq i rëndësishëm. Ky është një kontribut i rëndësishëm për këtë debat dhe e di që do të nxisë edhe më shumë debate. Ky debat nuk është as i të majtës, as i të djathtës, as i politikanëve, apo i gazetarëve, por në përgjtihësi i të gjithë shoqërisë dhe duhet të gjenerohet në rang më të gjerë për të gjithë shqiptarët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›