E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton 240 milionë lekë për një makinë, fonde të reja për zyra e pajisje

SHKRUAN: Fejzi Braushi 23-10-2011 09:30

Në projekt-buxhetin e vitit 2012, Kuvendi i Shqipërisë ka çuar në tavan kërkesat për më shumë para nga buxheti i shtetit. Nuk bëhet fjalë vetëm për 4 miliardë lekët, që ky institucion i ka kërkuar Ministrisë së Financave për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar, por edhe për një sërë shpenzimesh të tjera, që në këtë periudhë kursimesh mund të konsiderohen shpenzime luksi. Një kërkesë e tillë është ajo për blerjen e një makine që kushton plot 24 milionë lekë të reja, që Kuvendit të Shqipërisë i nevojitet për pritjen e personaliteteve. Blerja e makinës së luksit është miratuar nga byroja parlamentare, por kërkesa e Kuvendit pritet të kalojë në ‘filtrat’ e Ministrisë së Financave, e cila deri më tani ka rënë dakord vetëm për fondin e pagave dhe sigurimeve për Kuvendin e Shqipërisë.

Kërkesa për makinë

Byroja parlamentare miratoi të hënën e shkuar projekt-buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2012, i cili përbëhet nga zëra që në total shkojnë në vlerën e rreth 5 miliardë lekëve të rinj. Në fakt, projektbuxheti i miratuar nuk përbën gjë tjetër veçse kërkesat që ky institucion i paraqet Ministrisë së Financave për nevojat financiare që ka për vitin e ardhshëm. Siç edhe vihet re nga tabela përmbledhëse e këtij projekt-buxheti, nga shuma prej 5 miliard lekësh, pjesën kryesore e zënë shpenzimet për kapitale dhe investime, të cilat përbëjnë zërat 230-231 në buxhet. Në total, për këtë zë Ministria e Financave ka parashikuar si fond limit 100 milionë lekë të reja, ndërkohë që pritshmëria ose kërkesa e Kuvendit është gati 40 herë më e madhe. Më saktë, nga 100 milionë lekë që paraqet si limit ekzekutivi, Kuvendi kërkon 4.128 miliardë lekë. Pjesë e këtyre zërave është dhe një kërkesë e Kuvendit për të blerë një autoveturë për personalitetet dhe për këtë ka paraqitur pretendimin për 24 milionë lekë të reja, çmim ky që tregon se bëhet fjalë për një makinë luksi dhe mbi të gjitha të sigurt. Vetëm një vit më parë, Kuvendi i Shqipërisë nxori në ankand dhe shiti më shumë se 100 makina deputetësh, ndërkohë që këtë vit vjen me një kërkesë për të blerë një makinë të re për personalitetet.

Investime të reja

Pjesën tjetër të këtij zëri e zënë një sërë investimesh të tjera, që kërkon të bëjë institucioni i Kuvendit në vitin e ardhshëm. E detajuar, kjo kërkesë përkthehet në 2 milionë lekë për rikonstruksionin e zyrave të Kryesisë, 24 milionë lekë për vendosjen e sistemit audio dhe video në 4 komisionet e tjera parlamentare, 25 milionë lekë për sistemin e sigurisë në sallën e seancave plenare, plus komisionet e parlamentare. Ndërkohë që 38 milionë lekë kërkohen për projektin e parlamentit dhe 15 milionë lekë të tjera për pajisje për zyra. Të gjitha këto investime të parashikuara mund të bëhen shkak për debat, për sa kohë vetë Kuvendi, në të njëjtin projektbuxhet kërkon 4 miliardë lekë të tjera për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, e ndarë në dy fonde: një për zbatimin e projektit teknik dhe tjetra për nisjen e punimeve për ndërtimin e kompleksit parlamentar.

Kërkesat e Kuvendit

Kompleksi i ri parlamentar 4 miliardë lekë

Makinë për personalitetet 24 milionë lekë

Rikonstruksioni i zyrave 2 milionë lekë

Sistemi audio dhe video 24 milionë lekë

Sistemi i sigurisë 25 milionë lekë

Projekti e-parlament 38 milionë lekë

Pajisje për zyra 15 milionë lekë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›