Sokol Sadushi Në sekretet e Gjykatës Kushtetuese
Për herë të parë një rrëfim për Gjykatën Kushtetuese dhe raportet e saj me politikën në Shqipëri nga një prej protagonistëve të institucionit. Cilat kanë qenë përplasjet e mëdha të më shumë se një dekade të njerëzve me toga të zeza dhe qeverisjeve në vend, nga sherret për prokurorët e përgjithshëm tek marrëveshja për ujërat me Greqinë, nga heqja e dënimit me vdekje tek mbikalimi i Zogut të Zi.
Sokol Sadushi, për 13 vjet anëtar i kësaj gjykate, thotë se dhënia e drejtësisë lë gjithmonë të pakënaqur një palë, por duhet të bindë domosdoshmërisht të gjitha palët. Fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri, nuk ndodhi as në vendimmarrjen e kolegjit Zgjedhor për Tiranën dhe as 10 vjet më parë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese në zgjedhjet e përgjithshme të asaj kohe, thotë Sadushi në rrëfimin e tij të pazakontë për sekretet publike të Gjykatës Kushtetuese
Rrallë, por ndodh! Ndodh rrallë që gjërat më të mëdha në profesion, një individ t´i bëjë në një moshë fare të re dhe në një moshë fare të re, t´i duhet të bëjë një nga ato zgjedhje që ndryshojnë jetën dhe ndikojnë në shumë jetë. Sokol Sadushi ishte vetëm 35 vjeç kur ju desh të merrte, mes shumë dilemash, vendimin për të nesërmen e tij profesionale.
Nga njëra anë ishte avokatia e dhënia mësim në universitet dhe autorësia e teksteve themelore të jurisprudencës dhe nga ana tjetër, veshja e togës së zezë të gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese. Ismail Lleshi dhe Fehmi Abdiu, ish-deputetë socialistë, dolën garant për profesionalizmin e Sadushit dhe më pas, një telefonate e kryeministrit të kohës, pothuaj moshatarit të tij Pandeli Majko, njoftoi përzgjedhjen politike ish-prokurorit dhe avokatit Sadushi dhe më pas, nuk pati shumë histori: ai dekretohet nga ish-presidenti Meidani dhe votohet në Kuvendin e Shqipërisë si një nga anëtarët më të rinj të institucionit që duhet të shërbente si garant i Kushtetutës.
Më pas, një nga detyrat e para që ju caktuan si anëtar i trupës gjykuese ishte relator për pajtueshmërinë me Kushtetutën të dënimit me vdekje. Me fjalë të tjera, duhet të vazhdonte apo jo shteti të vriste individë në emër të së drejtës apo e drejta e jetës ishte mbi gjithçka tjetër. Sot, 13 vjet më pas, një gjë e tillë ngjan e tejkaluar, por në atë kohë, në vitin 1998, ky ishte një debat që vetë politika e kishte të pamundur ta zgjidhte dhe gështenja e nxehtë u nxorr nga zjarri me duart e anëtarëve të gjykatës kushtetuese. Atëherë ndodhi dhe përplasja e parë e madhe me politikën, një segment i të cilës, madje, kur shqiptohej vendimi, kishte organizuar dhe një protestë përpara gjykatës. Përplasje të cilat do të forcoheshin me kalimin e kohës deri në kërkesa për shkrirjen e plotë të saj.
13 vjet më pas, gjykatësi Sadushi afron për herë të parë, në një rrëfim eskluziv për revistën MAPO të fshehta të parrëfyera që kanë ndodhur mbas dyerve të mbyllura të insititucionit të tij. Përplasjet me qeveritë socialiste, përplasjet me qeveritë e Doktor Berishës, proceset e bujshme që nga ai i heqjes së dënimit me vdekje, tek shkarkimi i Prokurorëve të Përgjithshëm, nga çështja e Mbikalimit të Zogut të Zi e deri tek marrëveshja e ujërave me Greqinë dhe ligji për lustracionin. Sadushi është kritik për të shkuarën dhe më i rezervuar për të sotmen, por kritika e tij për të sotmen, të paktën për rolin që pati sistemi i drejtësisë në procesin zgjedhor të 8 majit, është gjithashtu e lidhur me kritikën ndaj të shkuarës.
Dhënia e të drejtës nuk i kënaq kurrë palët e përfshira në proces, por është e trishtueshme një drejtësi që nuk bind apo që bind vetëm një palë. Dhe një gjë e tillë tashmë është rregull dhe jo përjashtim, për fat të keq, thotë ai duke ju referuar së paku dy vendimeve të drejtësisë në harkun e një dekade për proceset zgjedhore, 2001-2011.
Normalisht, qeverisja e çdo ngjyre është klient i gjykimeve të Kushtetueses, por shumica qeverisëse është ajo që dhe zgjedh trupën e gjykatësve. Gjykoni se ka një mospërputhje në këtë drejtim, sepse ngjan se ju detyroheni të bëheni, për të përdorur një term të zhargonit të përditshëm, mosmirënjohës ndaj saj?
Eshtë e vërtetë, terminologjia juaj, në gjuhën doktrinare etiketohet si parimi i mosmirënjohjes ndaj atij që të ka zgjedhur. Caktimi i një gjyqtari të lartë apo gjyqtari kushtetues kalon domosdoshmërisht nëpërmjet filtrit të politikës, për arsye të mekanizmit të emërimit të tyre, që zakonisht është politik. Për shkak të kësaj veçorie, shpesh dyshohet se pikpamjet e gjyqtarëve, në lidhje me interpretimin ligjor dhe kushtetues, kanë tendencën për të qenë të njëjta me ata që i zgjedhin. Njëkohësisht, kufizimi kohor i mandatit të gjyqtarëve përbën një tjetër arsye që ata të jenë në vijimësi të trysnuar për të ardhmen e tyre, pas përfundimit të mandatit. Pra, një lloj preference e politikës ndaj kandidaturës së gjyqtarit kushtetues sigurisht që nuk shmanget, por kjo nuk nënkupton se gjyqtari duhet ti nënshtrohet zgjedhësit.
Performanca e një gjykate kushtetuese nuk varet nga fakti se shumica qeverisëse zgjedh gjyqtarët, por nga ata që veshin mantelin e gjyqtarit. Prandaj dhe parimi i mosmirënjohjes ndaj atij që bën zgjedhjen, i përdorur kaq gjerësisht nga studiuesit konstitucionalistë, merr vlerë për ruajtjen e pavarësisë së gjyqtarit kushtetues. Sa dhe si ka ndodhur një gjë e tillë në Shqipëri? Eshtë herët që ta them unë personalisht një gjë të tillë, është vonë që mungon një debat i mirëfilltë profesional për këtë temë.
Mund të kujtoni përplasjet me qeveritë socialiste në periudhën 1998-2005, cilat kanë qenë proceset më të vështira përballë saj?
Gjatë ushtrimit të funksionit të drejtësisë kushtetuese, Gjykata ka qenë e detyruar të sillet me legjislacionin në një mënyrë të pafavorshme apo kundërshtuese për dëshirat e shumicave parlamentare dhe të qeverisë. Periudha për të cilin pyesni nuk dallohet për ndonjë përballje të ashpër me mazhorancën qeverisëse. Arsyet lidhen sa me mungesën e një përvoje jurisprudenciale të kësaj gjykate, aq dhe me mos vendosjen e saj përpara presionit për nisjen e një gjykimi kushtetues, qoftë nga opozita e kohës, po aq dhe nga subjekte e tjerë legjitimues. Një opozitë e fortë mund ta vendosë Gjykatën Kushtetuese përballë sfidave, duke e vënë atë në provën e legjitimitetit, por opozita e kohës, duke kundërshtuar politikisht dhe duke mos njohur shumicën e institucioneve të vendit në atë periudhë, pak ose shumë pak ka tentuar ta verë në lëvizje gjykatën. Një arsye tjetër ishte dhe impakti jo pozitiv që la gjykata tek opozita për shkak të përfshirjes së saj në procesin zgjedhor të vitit 2001. Në këtë kohë, shpallja si antikushtetues i dekretit të Presidentit të Republikës dhe e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm shkaktoi një situatë të paprecedent për realitetin shqiptar, nëpërmjet qëndrimeve politike të disa funksionarëve të lartë të shtetit. Pati atëherë deri dhe thirrje për shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese dhe presione nga më të çuditshmet, të cilat u shoqëruan dhe me dorëheqje të bujshme, si në rastin e kryetarit të Kuvendit Namik Dokle. Për ironi të fatit, interpretimi përfundimtar që Gjykata Kushtetuese i bëri dispozitave kushtetuese, evidentoi mangësi të theksuara në aktet bazë, mbi të cilat kryheshin procedurat parlamentare dhe ato, bindën më pas deputetët të ushtronin nismën legjislative për amendimin e Rregullores së Kuvendit. Një zgjidhje e tillë dëshmonte për drejtësinë e kësaj vendimmarrje kushtetuese.
Si e gjykoni sot, një dekadë më pas, përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese në procesin zgjedhor të vitit 2001, kur ende sot kjo gjykatë është nën akuzë se ka shpërndarë mandate pa të drejtë për deputetë të majtë? Dhe në të njëjtën optikë, si do ta gjykonit
