E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten dhe rriten dhenuk shihen

Nga Preç Zogaj

Gjëagjëza  për mirëqenien  në kohën e komunizmit- cështë një gjë që rritet e rritet e nuk  shihet?- mund të përdoret  fare mirë në këtë periudhë për investimet, sidomos për ato  të huaja. Rriten dhe rriten si në përralla, kryesisht  atje  ku nuk jemi.  Unë jo! Unë jo! Unë jo! i përgjigjen  pyetjes a i keni parë  ata që kanë me shumë nevojë për  këto investime: të papunët.  Tek- tuk ndonjëri ka parë  dicka apo ka përfituar  dicka. Por  përfitimi edhe në ketë sferë është një llotari-fjala vjen një  në njëmijë- gjë që nuk  i përgjigjet  kërkund shifrave t ë larta të investimeve që reklamojnë  zyrat qeveritare  dhe proqeveritare të  shpëndara andej këndej si njëqind krëhët e perëndisë  Uishnu.

Investimet e huaja për vitin 2010 janë mbi një milard euro, njoftonte disa ditë më  parë një zyrë shqipfolëse  e OKB-së në Tiranë. Njoftimi i zuri në befasi publikun e gjerë dhe vetë qeverinë. Për të mos rregjistruar një prani prej budallai në atë myzhde pa lidhje me realitetin shqiptar, por edhe  i trembur se mos ato investime ishin bërë vertetë kushedi ku e kushedi si, zevendësministri i ekonomisë bëri një deklaratë të hollë, nga ato  kinezet, që edhe qeverinë  ta mburrte, edhe të papunët e vendit të mos i lëndonte shumë. Tha se këto investime kaq të mirëpritura nuk kishin krijuar impaktin e pritshëm në fushën e punësimit, por  e ardhmja do të ishte më e mirë. Me fjalë të tjera, një milard eurot e investuara  gjatë vitit 2010,  sipas zyrës  së OKB-së nuk kanë krijuar vende të reja pune, ndërkohë që  investimet e reja nga  viti 2011 e në vazhdim do ta ndreqin edhe këtë anomali! Pra do të kemi edhe investime që  prodhojnë punë dhe punësim! Duket si estradë, me dallimin se këto gjëra të bëjnë për të qarë me shumë se për të qeshur. Ku janë invetuar këto një miliard euro? Në teknologjinë  e robotëve? Minimalisht, zyra përkatëse e OKB-së, në respekt të popullit  shqiptar, duhej ta shoqëronte  njoftimin bombë me një listë të objekteve dhe fushave ku janë investuar këto para dhe njeherësh me një listë të kompanive apo individëve që kanë investuar. Këto të dhëna janë të domosdoshme jo vetëm për të kompletuar informimin si një  normë etike dhe e drejtë qytetare, por edhe për të kuptuar joshjet  e resurve dhe tendencat e ekonomisë sonë në këtë periudhë të vështirë. Plasja e shifrës njëmilard  pa  këtë informacion  të  lë shijen e një genjeshtre propagandistike dhe burokratike që nuk mbështetet  në investime  të realizuara, por në kontrata në  letër. Në rastin më të mirë.

I pari dhe i fundit qeveritar që doli, pas nëj hezitimi të shkurtër, nga habia e njoftimit të zyrës së OKB-s렠 ishte  kryeministri Berisha. Vonesa e tij e pazakonte  për të  hedhur fishekzjarre  duhet ti ketë mërzitur pak ata të zyrës së OKB-së, por shpejt u kuptua se kryeministri thjesht kishte një shifër akoma më të lartë se një miliard euro.  Ndërkaq, përvec fjalëve të përgjithshme, që mëtonin si gjithnjë të skiconin një parajsë shqiptare  në lidhje me investimet e huaja, Berisha gjithashtu nuk sqaroj asgjë se ku  dhe kush kishte investuar. Si të ishte fjala për  investitorë-ufo! Duhej ta bënte dhe ta bëjë ketë, sëpaku për hir të gjithë atyre njerëzve, kryesisht të papunë, që torturohen dyfish tek marrin vesh  se në vendin e tyre të vogël investimet e huaja vërshuakan  lumë, kurse për ata fatkeqë gjithcka mbetet ende mollë e ndaluar. Sëpaku të mësojnë se disa nga  sëra e tyre kanë  përfituar. Një ngushëllim i vogël, por gjithsesi ngushëllim. Shkrimtari rus Gogol ka një tregim për  efektin shkatërrimtar, deri në halucinant, që krijojnë tek  dy të uritur në një ishull të braktisur copat e një gazete të hedhur  ku ishte  botuar deri në hollësi kronika e  një darke madhështore.

Nga një anë është shumë e habitshme që qeveria nuk e zhvillon, por e lë pezull një njoftim që e ka në favor, sic është ky për  një milliard  a  një miliard e gjysëm euro investime të huaja në harkun e një viti të ëvshtirë, kur  të ardhurat dhe investimet  e buxhetit të shtetit kanë njohur vetëm rënie dhe po ashtu kanë njohur rënie  edhe  treguesit e nivelit ekonomik të familjes shqiptare. Në parantezë, një miliard  euro  investime të huaja nuk do të ishin një shifër impresionuese  për  një vend  me anëtarësim të  freskët në NATO.  Dy milard euro do të ishte vetëm investimi në portin e ri të  Shengjinit, po të ishte  ndjekur e po të ndiqet  me vendosmëri dhe largapamësi një plan rigoroz për ndërtimin e tij me koncension. Gjithsesi, në kontekstin e krizës  ekonomike botërore, shifra një milard është  e madhe dhe promovuese për   shendetin e ekonomisë shqiptare. Cila janë pra  arsyet  që as  zyra e OKB-së, as kryeministri dhe as një organizatë biznesi  nuk i bën me dije publikut të gjerë  se ku  janë  bërë këto investime, cfarë  efekti  konkret kanë patur në  zhvillimin e vendit, e tjerë? Një arsye mund të jetë  shifra e fryrë. Ballafaqimi i shifrës një miliard  me realitetin e objekteve  të investuara do të  nxirrte në pah  spekullimin. Objektet nuk mund të shpiken sic shpiken shifrat.  Në këto kushte qeverisë dhe zyrave që punojnë për   të zbukuruar imazhin e saj u duket më e leverdishme të plasin një shifër të fryrë  të cilën ta besojë kush të dojëm, se sa të rrezikojnë tu plasë tollumbacja në duar.  Një arsye e dytë mund të  këtë lidhje me faktin se këto investime nuk e bëjnë krenare qeverinë dhe mund të hapin një seri pikpyetjesh   të reja nëse  zbërthehen. Mund të jenë investime të dështuara  tregëtare apo koncensionare, të realizuara nga shoqëri dhe individë që qeveria nuk ka shumë nder ti ekspozojë. Një arsye e tretë: mund të jenë investime jo dhe aq të huaja, por që qeveria ka dëshirë ti paraqesë si të huaja, sic janë përshembull investimet e AMC-së, Vodafon-it, Albtelekomit apo edhe CEZ-it të privatizuar. Investimet e brëndshme  të këtyre  kompanive  konsiderohen tashmë investime shqiptare, investime vendase pasi, vec të tjerash, ato investojnë një pjesë të  fitimeve  që vjelin nga populli shqiptar. Minarja në thes nuk futet, thotë populli. Lë ta  tregojë qeveria minaren e investimeve, që ta duatrokasim po të jetë bindëse.

Kam  përshtypjen se nuk e tregon dot, por do të vijojë  ta mbajë  komunikimin në planin e rrumbullakosjes së paverefikueshme të gjërave. Edhe pse e ka të qartë se shqiptarët nuk janë idiotë që të besojme se cfarë fluturon hahet! Nuk ka kohë  për mashtrime dhe vetmashtrime në fushën e investimeve.Problemi i madh me të cilin përballet vendi është dështimi , stopimi dhe ngadalësimi  i investimeve të huaja  në raport me pritshmërinë pas anëtarësimit në NATO. Padyshim, kriza botërore ka rolin e vet në këtë kundërzhvillim, por kriza nuk mund të jetë një alibi për të mbuluar mungesën e vizionit, korrupsionin dhe paaftësinë si faktorë madhorë  që pengojnë  investimet prodhuese dhe ato në infrastrukturë. Vetëm në Vlorë dhe Lezhë janë nënshkruar  gjatë viteve 2008-2009 investime që shkojnë deri në katër  milliard euro investime në  zona industriale,  në porte, në parqë energjitike, fabrika të materialeve të ndërtimit e tjerë.  Nga gjithë kjo masë e madhe investimesh në letër nuk gjen më shumë se një lugë kafeje  investimesh të realizuara  në terren. Qeveria duhet ti mbështesë kompanitë për të kapërcyer vështirësitë. Qeveria duhet të jetë shumë e hapur për  kompanitë që ofrohen për të ndërtuar rrugë dhe porte të ndryshme me paratë e tyre. Punësimi dhe  mirëqënia  janë një interes publik dhe kombëtar, para të cilëve propaganda nuk ka asnjë vlerë. Më  mirë investime që realizohen e nuk rriten se sa investime që rriten e nuk shihen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›