E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solana: EULEX në Kosovë me 2 dhjetor

Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Havier Solana ka deklaruar se EULEX-i do të vendoset në tërë territorin e Kosovës, sipas planit të veprimit miratuar kohë më parë nga Bashkimi Europian. Në pritje të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, në Bruksel vazhdojnë të besojnë që pas këtij raporti do të jetë e mundur që EULEX-i të fillojë edhe zyrtarisht në gjithë territorin e Kosovës. Për këtë ka folur në Bruksel përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Solana gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kreun e NATO-s Jaap de Hoop Scheffer. Konferenca erdhi pas takimit NATO-BE mbi situatën në Bosnjë-Hercegovinë. I pyetur nëse do të vendoset EULEX-i në tërë territorin e Kosovës dhe cilat ligje do të zbatojë, Solana u përgjigj se kishte biseduar rreth kësaj çështje në Nju Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së. "Pres që raporti të paraqitet sa më shpejt që të jetë e mundur, por nuk më takon mua të them se kur", është shprehur Solana. Ai më pas tha se është takuar dhe me gjeneralin francez Yves de Kermabon, i cili është aktualisht shefi i EULEX-it. "Shpresoj që vendosja të fillojë sa më shpejt në fillim të dhjetorit, mundësisht në 2 dhjetor", ka thënë Solana. Në këtë mënyrë ai ka bërë të ditur se Bashkimi Europian nuk do të heqë dorë nga vendimi që kishte marrë në muajin shkurt të këtij viti kur u aprovua plani i veprimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›