E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami dhe Shqiptarizmi, dy të papajtueshëm

Xhemail Ahmeti/Historian

-Kim Mehmeti, mu në zemër të Prishtinës, i lëshoi dy teza në eter: Njëra ahistorike, tjetra nënçmuese. Tekstualisht tha: «Islami e ka shpëtuar shqiptarinë» dhe pandehu se një pjesë e kosovarëve t’i sulmojnë gjithë ata (duke aluduar logjikisht në botën islame) për të cilët i urdhërojnë amerikanët. Reagimet pro et contra ishin të paraprogramuara. Dhe shkrimtari nga Shkupi reagoi duke thënë se nuk debaton me “buzhalla dhe budalla”. Formë e re komunikimi ndër-intelektual nga Shkupi? Po në ç’mënyrë konkrete mbrojti Islami shqiptarët në Maqedoni apo diku tjetër? Sa hoxhallarë u arrestuan dhe u masakruan sepse besonin në Islam? Sa xhami u mbyllën në kohën e Titos? Sa të burgosur politikë shkuan në burgje se duke u falur në xhami donin ta mbronin identitetin e tyre kombëtar? Sa vetë u vranë se kërkonin lejimin e Kuranit e jo të shkollave shqipe? Në cilën kohë? Në bazë të cilave fakte konkrete flet autori në fjalë, i cili krahas polemikës, si duket pavetëdije përforcon edhe lokalizmin ndërshqiptar kur kërkon që Shkupi ta marrë timonin kombëtar? Pyetjet që pjell implikimi: kush e mbrojti shqiptarizmin para epokave islame? Kush e mbrojti shqiptarizmin në Shqipërinë “ateiste” të Enver Hoxhës? Kush e ruajti në histori e kush e ruan shqiptarizmin në diasporat shqiptare? Për ne historianët me profesion, nuk ka asnjë dilemë faktografike se përhapja e Islamit në Ballkan u bë nëpërmjet invadimit osman. Ashtu siç nuk ka dilemë rreth periudhave, fazave dhe metodave që u përdorën nga osmanlinjtë për të thyer identitetin e shqiptarëve si dhe kontributin e mëvonshëm të shqiptarëve brenda kësaj perandorie. Është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij sundimi që shqiptarët mbetën populli më i vonuar në institucionalizimin e identitetit, gjuhës dhe kulturës së tyre në Ballkan. Trashëgimi konkrete të kësaj periudhe kemi qytete e fshatra, që edhe pse shqiptarë për nga origjina dhe gjenealogjia, flasin turqisht e nuk dinë shqip ose shumë keq; kemi arkitekturën, sjelljen sociale, ca nga zakonet, doket dhe mendësinë orientale që dominon në ato pjesë ku myslimanizmi është më i theksuar. Dhe shumë relikte të tjera jetëbërëse. Shkupi në historinë osmane - shqiptare luan një rol shumë të rëndësishëm. Për këtë arsye kronistët e sulltanëve regjistronin gjithçka çka zhvillohej aty. Falë këtyre kronikave ne sot kemi dëshmi të mjaftueshme për atë se si u “avulluan” nga aty sidomos popullata katolike dhe ajo hebreje. Në luftërat ballkanike e deri në shpalljen e Maqedonisë si Republikë, nga Titoja dhe Dimitrovi, në Shkup do të nisë një rikonfigurim i ri demografik në dëm të elementit shqiptar. Shqiptarë themi, e jo myslimanë, sepse nga Bosnja dërgoheshin atje edhe boshnjakë myslimanë. Duke filluar nga vitet e 60-ta e deri sot Shkupi nuk ka luajtur asnjë rol historik në lidhje me ruajtjen e identitetit shqiptar në Maqedoni. Këtë e dëshmojnë edhe statistikat. Lufta antikomuniste kryesisht prirej nga njerëz të rrafshit të Pollogut dhe Kërçovës. Lidhja e tyre me Shkupin? Aty u varën. Islami dhe shqiptarët Problemet e inkompatibilitetit të Islamit dhe Shqiptarizmit (të dyja si filozofi identiteti) shpërthyen qysh në “Lidhjet e Prizrenit”. Edhe pse nuk mund të mohohet roli i ca imamëve të Karadakut në luftën kundër komunizmit (të cilët nuk thirreshin në emër të fesë por kishin pretendime balliste), shtresa intelektuale që e pësoi rëndë ishin klerikët katolikë, ata që bënë alfabetin në Manastir, që u pushkatuan nga Enveri me qindra dhe që vdiqën Burrelit, Spaçit e gjetiu. Që nga vitet 1945 e deri më 1990 xhamitë në Maqedoni nuk kanë luajtur asnjë rol qoftë edhe simbolik duke u vënë në anën e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve atje. Mbrojtjet publike vinin nga Prishtina ashtu siç vinte literatura indoktrinare e Enver Hoxhës bashkë me listën për UDBnë se kush do t’i merrte ato. Përkundrazi xhamitë ishin më të disiplinuara ndaj pushtetit se sa kishat ortodokse. Imamët ishin kryesisht informantët e shërbimeve sekrete që denonconin njerëzit që kishin prirje “separatiste, nacionaliste dhe irredentiste”. Islami është besim, të cilin shqiptarët sot e praktikojnë. Është elementi që vonë i është instaluar identitetit shqiptar. Shqiptarët si shqiptarë – që të mos spekulojmë për lashtësitë – ekzistojnë edhe para daljes në skenë të profetit dhe shumë shekuj para ardhjes së osmanëve në Ballkan. Tash a është mirë apo jo që shqiptarët janë besimtarë islamë? Ne kësaj pyetjeje as që kemi nevojë t’i përgjigjemi deri në atë moment kur Islami është besim i njerëzve tanë e jo synim politik i ndonjë qendre ekspansioniste.

Marrë nga Zëri.info


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›