E Shtunë, 31 Tetor 2026

Somali, dhjetëra mijëra të larguar nga shtëpitë

Najrobi - Me dhjetëra mijëra somalezë kanë braktisur shtëpitë e tyre muajin e fundit në Mogadisho, si pasojë e luftimeve ndërmjet rebelëve dhe forcave të mbrojtjes. Kombet e Bashkuara deklarojnë se numri i të larguarve është mbi 96 mijë vetë.

Numri i refugjatëve brenda Somalisë mendohet të ketë arritur shifrën e të paktën 1 milionë personave. Kjo shifër konsiderohet nga organizatat ndërkombëtare si një nga krizat më të rënda në botë.

Të paktën 18 mijë civilë dhe një numër i pacaktuar ushtarësh janë vrarë si pasojë e këtij konflikti, i cili ka nisur që prej dy vjetësh. Konflikti ka shtuar sulmet pirate dhe ka trazuar të gjithë rajonin duke vendosur fqinjët e tjerë të Afrikës Lindore në gjendje alarmi.

Të paktën tre milion somalezë kanë nevojë urgjente për ushqime dhe ndihma mjekësore. Në një nga statistikat e fundit për Mogadishon, agjencia e OKB-s për refugjatët, UNHCR, deklaroi se rreth 35 mijë të shpërngulur nga luftimet të fundit që nisën më 8 maj, vazhdojnë të qëndrojnë akoma në qytet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›