Vendimi i Qeverisë: KESH të importojë energji deri në fund të vitit

Importi i energjisë deri në fund të këtij viti do të kryhet nga Koorpoarta Elektroenergjetike Shqiptare dhe jo nga CEZ shpërndarje, sikurse bëhet aktualisht konform kontratës së privatizimit të sistemit të Shpërndarjes. Vendimi i qeverisë ka hyrë tashmë në fuqi lejon që KESH të importojë energji elektrike për periudhën deri më 31 dhjetor të këtij viti, për garantimin e furnizimit të pandërprerë të konsumatorëve me energji si dhe për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes. Kostot financiare të importit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistem do t’i faturohen shoqërisë CEZ-Shpërndarje. Sipas këtij vendimi, Ministria e Financave është përgjegjëse për sigurimin e burimeve financiare për kryerjen e importit të energjisë elektrike nga shoqëria KESH. Në lidhje me këtë ministria ka prezantuar së fundmi një akt normativ për vendosjen e një garancie prej 50 mln euro, me qëllim që KESH të marrë kredi dhe të importojë energjinë e nevojshme për konsum. Po ashtu, kjo ministri është përgjegjëse dhe për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për importin e energjisë elektrike të realizuar nga KESH në periudhat e mëparshme. Kështu, si pjesë e aktit normativ që ndryshon buxhetin e vitit 2012, ministria e Financave propozon që faturat e papaguara të ujësjellësve të zbriten nga fondet që qeveria jep për pushtetin lokal.
Situata e rëndë në sektorin e energjisë po vjen për shkak të humbjeve të shumta të energjisë në rrjet si dhe për shkak të arkëtimeve të ulta. Aktualisht CEZ gjendet në një situatë të vështirë financiare dhe si rrjedhojë të pamundur për të kryer importin e energjisë, që është aq shumë i nevojshëm për periudhën e dimrit. Një numër i madh konsumatorësh nuk paguajnë energjinë elektrike prej vitesh dhe në kushte të tilla CEZ Shpërndarjes është detyruar të nisë një fushatë për ndërprerjen e energjisë, deri në kryerjen e pagesave.
Kjo situatë që ka vënë në dyshim menaxhimin e sektorit nga kompania e huaj ka shtyrë Entin Rregullator të Energjisë të rishqyrtojë licencën dhënë CEZ Shpërndarje.