E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset emigranti në Kamëz

Policia shpall në kërkim një person nga Shkodra. Krimi pas një konflikti në Itali


TIRANE- Ajo që pritej të ndodhte dhe të cilës i druhet Policia, nisi të ndodhte dje. Kthimi i emigrantëve me probleme nga jashtë vendit, shkaktoi dje ngjarjen e parë, të cilës policia i ruhet thuajse çdo fund viti dhe çdo verë në muajin gusht.


Një emigrant nga Kodër- Kamza, mbeti i plagosur lehtë dje në mbrëmje në një qendër interneti, kur u qëllua me armë zjarri pistoletë nga një person me banim në Shkodër.


Adriatik Kazmiu 26 vjeç, me banim në Institutin Bujqësor mbeti i plagosur lehtë, rreth orës 20:00, ndërsa ndodhej në një qendër interneti. I dëmtuari u identifikua nga policia si emigrant i sapo kthyer nga Italia. Ndërkaq si autor të dyshuar të ngjarjes, policia shpalli në kërkim Ervin Demën, 28 vjeç, nga Shkodra me qëndrim në Itali.


Policia e komisariatit nr.5, mbërriti në vendin e ngjarjes menjëherë dhe në pak minuta mundën të identifikonin dhe t'iu jepnin të gatshëm ngjarjen "kolegëve" të tyre të zyrës së hetimit të vrasjeve. Këta të fundit pas marrjes së deklarimeve të të të dëmtuarit dhe dëshmitarëve të tjerë në vendin e ngjarjes shpallën në kërkim, të dyshuarin Dema.


Nga veprimet e para të kryera në vendin e ngjarjes, policia konstatoi se shkak kishte pasur disa të shtëna ndërsa u sekuestruan disa gëzhoja plumbash.


Nga hetimet e para, policia ka mësuar se të dy personat e përfshirë në ngjarje janë konfliktuar mes tyre që në kohën kur kanë qenë në Itali. Ditët e fundit ata janë kthyer në Shqipëri, ndërsa pikërisht dje në një qendër interneti, në Institutin Bujqësor në Kamëz, Dema qëlloi ndaj Kazmiut, duke e plagosur atë.


Burimet e policisë thanë se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa kishin kryer disa kontrolle banesash për të kërkuarin Dema.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›